Në fokus

April 9, 2016 | 6:15

Kur shtëpia nuk është aq e ëmbël

Nga Albana Cenollari Baze

“Kur jam atje [Angli], dua të vij këtu [Shqipëri], kur jam këtu… mmm, dua të kthehem atje…s’jemi të sigurt se ku duam të jetojmë” V.29 vjeç

Ndodh që malli me të afërmit shuhet pas disa ditësh, pushimet janë drejt fundit, e shokimi kulturor tashmë në vendin amë e jo në vendin pritës, demostrohet në mendime, fjalë dhe sjellje. Konceptet rreth kulturimit dhe identitetit kulturor janë shpjeguar nga shumë psikologë kulturorë. Një ndër të cilët është dhe Nan Sussman (2002), e cila foli për modelin e tranzicionit kulturor duke pasur në fokus këto etapa qëhasin sojourners (rikthyesit e përkohshëm në vend), si: ndërgjegjësimi, përshtatja, ndryshim të konceptit rreth vetes, reagimi ndaj identitetit kulturor dhe rikthimit në atdhe.

Si e shpjegon procesin e riintegrimit në vend Sussman në modelin që propozon? Dëshirën për të kuptuar proceset psikologjike të jetesës në një tjetër vend por dhe procesin e kthimit pjesërisht e ndjejmë të gjithë, pasi unë besoj se pothuajse çdokush nga ne është prekur sadopak me këtë fenomen, qoftë nga përvoja personale apo nga përvojat e të afërmve,kolegëve, miqve tanë. Mendoni për një mik tuajin, shoqe, të afërt, i cili pas disa javësh i ndërgjegjësuar se tashmë është rikthyer në vendin e tij, fillon procesin e përshtatjes, kupton se mendimi i tij është ndryshe, se në tavolinat e miqve ka kafe makiato dhe jo çaj, se … etj. Si vëzhgues shpesh nuk e kemi të lehtë të kuptojmë realisht se ç’ndodh me këta individë ashtu si dhe padashur paragjykojmë duke i pozicionuar si “ata që jetojnë jashtë”; “këta “italianët” që kanë harruar që kanë ngrënë “groshë”; “ai që është bërë anglez”, etj, etiketa që tregojnë se njohuritë rreth atyre proceseve psikologjike që bëhen pjesë në këto eksperienca janë të vakëta.

Individi soujourner si fillim ndërgjegjësohet që nuk është më prezent në vendin ku jeton, punon, studion, që nuk rrethohet nga individët që njohin skemat social-kulturore jashtë vendit të origjinës, që fjalët “të lutem/faleminderit” gjejnë përdorim të ndryshëm, që takimi i orës 19:00 jo gjithmonë fillon në atë orë, që darka nuk hahet në 18:00, etj… Kjo është faza kur ky individ përjeton ankth, pasiguri, ka mungesë gjumësie, për rrjedhojë, një shokim kulturor. Shumë nga situatat e ditës i percepton ndryshe nga ata që ndajnë të njëjtin identitet kombëtar me të, pasi çka drejton mendimin dhe sjelljen e tij është identiteti i ri kulturor. Me identitet kulturor konceptohet “ai element i vetëkonceptimit kolektiv, që buron nga të qenit anëtar i një grupi kulturor, por që zotëron veti që e dallojnë nga identitetet e kolektivave të tjera” (Sussman, 2000). Identiteti kulturor nuk është statik (i qëndrueshëm), dhe pse i padukshëm, ai është në zhvillim, riformim e sipër, por që gjallërohet në kontakt me kultura të ndryshme.

Më pas, soujourner-it i duhet të balancojë mendimet dhe sjelljen e tij për t’iu përshtatur kushteve të reja që përballet, duke u përpjekur të krijojë miq të rinj për të realizuar objektivat personale. Këtë proces vetëvlerësues jo të gjithë të afërmit ia kuptojnë, duke përfshirë dhe familjarët. Shpesh në këto raste dëgjojmë kur prindërit thonë: “Djali është bërë anglez fare”; “Ku merret vesh tani! Ka ndryshuar”; “Është bërë mendjemadh”, etj., komente që përcjellin mesazhin se individi ka ndryshuar. E domosdo që ka ndryshuar. Procesi i të menduarit, të sjellurit në vendin pritës ka kërkuar konsiderimin e të tjerë faktorëve nga ato të vendit ku është mëkuar, rritur, etj.

Është e çuditshme, një pjesë e vogël e atyre që rikthehen ndjehen të izoluar dhe e kanë të vështirë të përshtaten, pjesa më e madhe e këtyre individëve përshtaten dhe ndryshojnë në nivele të kënaqshme mendimet dhe sjelljet e tyre. Disa prej tyre ndryshojnë kaq shumë sa që sillen ngjashëm me anëtarët e komunitetit që jetojnë. Shpesh quhen dhe “naivë”. Një pjesë e tyre zgjedhin elementë të kulturës amë dhe i përvetësojnë duke jetuar në harmoni me ato vlera kulturore që i kanë pasuruar gjatë qëndrimit jashtë vendit, duke shpenzuar gjithashtu kohë me ndërkombëtarët që jetojnë në vendin e tij. Sipas Sussman, në çdo rast të rikthyerit përkohësisht përpiqen të ekuilibrojnë ndërsa balancojnë gjendjen komforte me efektshmërinë. Megjithatë duhet theksuar se faktorët personalë ndikojnë se sa shumë individi përshtatet, duke përfshirë këtu dhe distancën midis vendit pritës dhe atdheut të tij, vlerat e ngjashme apo jo midis vendeve, prezencës së bashkëkombësve të tij në vendin pritës, vizitat e shpeshta apo jo me vendin si dhe statusi social i individit në vend në raport me vendin amë.

Nëse ne kemi përvetësuar mënyrën e të menduarit, sjelljen dhe vlerat e vendit pritës në repertorin tonë, idetë tona rreth vetes gjithashtu kanë ndryshuar. Psikologët socialë e quajnë këtë “disturbancë e konceptit rreth vetes”. Qartësia midis asaj që jemi dhe asaj që jemi bërë qartësohet kur ne kthehemi në sojourners.

Ky cikël tranzicioni kulturor bazuar në modelin e identitetit kulturor natyrisht gjen kritikë në arenën e kërkimeve sociale, megjithatë në të ka elementë për t’u vlerësuar, të cilat na njohin me disa procese psikologjike që pasojnë pas rikthimit në vend. Për ta mbyllur, nëse rikthimi në atdhe shoqërohet me eksperienca jo të këndshme, me stres, izolim, paqartësi të asaj që je apo përfaqëson, shpresoj që kjo të mos ju dekurajojë për të provuar eksperienca ndërkulturore, të cilat pasqyrojnë individin me përvoja të jetuara, që pasurojnë diapazonin tuaj në procesin e kulturimit. Goethe thotë:“Më i lumturi, qoftë ai mbret apo fshatar, është ai i cili gjen paqe në shtëpinë e tij”. Është pikërisht kjo paqe që do ndihmonte për të qartësuar vetkonceptimin.

Botuar në revistën Psikologji, nr 39

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top