Nëse në valixhe gjejnë vend edhe mendimet e përditshmërisë, nëse edhe nën çadër bëhemi më të disponueshëm ndaj “tekave” të një kolegu, ja ku pushimet shndërrohen në një përvojë stresuese.
Përse kur shkojmë me pushime nuk ia dalim të shkëputemi me të vërtetë nga rutina dhe kjo gjë vazhdon të jetë një burim stresi?
Të gjithë jemi bërë viktima të punëve tona. Nuk ia dalim të shkëputemi nga rutina. Faji është edhe i teknologjisë. Teknologjia nuk ndihmon. Kemi mësuar të jemi të ndërlidhur me të tjerët në atë pikë sa nuk ia dalim të çlirohemi prej tyre. Çdo 5-10 minuta kontrollojmë nëse kanë ardhur e-mail apo njoftime të reja. Nuk bëjmë dot pa telefonat dhe tabletët. Gjatë pushimeve duhet t’ia dalim të shkëputemi nga gjithçka, për t’u kthyer në përditshmëri dhe në aktivitetet e punës me përkushtimin e duhur dhe me entuziazëm.
Nga teknologjia, përveç stresit, edhe rreziku për t’u larguar nga të tjerët
Të qëndrojmë gjithë kohës të lidhur me të tjerët nuk është gjithmonë një zakon i mirë, sepse kemi tendencën të mos takohemi, të mos qëndrojmë me të tjerët. Nga ana tjetër, interneti, rrjetet sociale na ndihmojnë të jemi në kontakt me njerëzit që nuk janë pranë nesh. Marrëdhënia ndërpersonale është më e lehtë dhe e rehatshme, pasi është e filtruar. Mendimet dhe komentet peshohen mirë, korrektohen, mundet edhe të qëndrojmë vetëm duke parë, por duke bërë kështu rrezikojmë të largohemi nga njerëzit e tjerë. Duhet të arrijmë të kuptojmë se kur një zakon bëhet i tepërt dhe ndërhyn në përditshmërinë tonë.
Puna shihet shpesh si një rrugëdalje nga situata ku ndihemi keq. Gjatë vitit puna mund të shndërrohet në një shfajësim të mirë për të evituar të matemi me punët që nuk na pëlqejnë. Ndërsa pushimet na detyrojnë të ndajmë atë nga e cila shpesh rrëshkasim: për shembull, çdo ditë vendosim së bashku çfarë të bëjmë. Ndaj pushimet mund të shihen si një rast për të kaluar më shumë kohë me partnerin dhe fëmijët dhe për të bërë gjërat me pak më shumë kohë dhe harmoni.
Kur nuk shkojmë me pushime, puna kushtëzon ditët e shumë njerëzve dhe shpesh ato sjellje tipike që bëjmë në punë, vështirë se i braktisim. Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojën të ndihemi në garë, ndoshta me veten dhe jo domosdoshmërisht me të tjerët, të kemi atë “drithërimën” e performancës në punë, t’ia dalim me çdo kusht të arrijmë një objektiv. Puna është një pretekst për t’u vënë në provë dhe këtë ndjesi e marrim me vete edhe gjatë pushimeve, teksa e shohim veten duke bërë gjëra që duhet të jenë të kënaqshme me shpirtin e fitores, gjë që na bën të humbasim ndjenjën e argëtimit.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 132
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.