Marrëdhënie

May 2, 2019 | 12:06

Kur tradhtia shkatërron jetën në çift

Mund të jetë e vështirë për t’u kuptuar, por shpesh pas një tradhtie fshihen arsye më të thella, zakonisht të lidhura me një pakënaqësi personale. Por cilët janë faktorët që e shtyjnë një njeri të tradhtojë? Shkaqet janë si psikologjike, ashtu dhe gjenetike.

Kur flasim për tradhtinë, në përgjithësi kemi tendencën të mbajmë një qëndrim të caktuar. E megjithatë, pabesia nuk është kaq e thjeshtë për t’u kuptuar apo gjykuar. Pasiguria, nevoja për t’u ndier gjithmonë të sigurt e për t’u vënë në provë, por edhe për të përjetuar ndjenja të forta në nivel seksual, janë disa nga shkaqet që mund ta shtyjnë dikë të tradhtojë. Megjithatë, të mendosh se pabesia është rezultat i keqdashësish së partnerit apo e instinktit seksual është shumë minimaliste.

Në fakt, pas çdo tradhtie, fshihen arsye më të thella, zakonisht të lidhura me pakënaqësinë personale. Kur diçka në brendësi të çiftit ose në nivel personal nuk shkon, shpesh njëri nga partnerët ose të dy, kanë tendencën të largohen, në vend që të mundohen të zgjidhin situatën. Nëse nuk përballohen, këto probleme e godasin keqas marrëdhënien me partnerin, duke e bërë edhe më të pakënaqshme dhe duke krijuar kështu një rreth vicioz. Për këtë arsye, disa njerëz shohin në tradhtinë e përkohshme një mjet për t’u larguar, por shpesh nuk bëjnë gjë tjetër veçse shtojnë pakënaqësinë dhe trishtimin.

Në brendësi të çiftit është shumë thelbësore që të keni të njëjtat objektiva. Ose të paktën, është e rëndësishme që këto objektiva të jenë të ngjashme. Është mjaft thelbësore të gjeni ekuilibrin mes afërsisë e largësisë në çift. Nëse nevoja për të ndarë jetën tuaj me një partner dhe nevoja për liri e pavarësi nuk është e balancuar në brendësi të çiftit, rritet ndjeshëm mundësia për të tradhtuar. Për këtë arsye është e rëndësishme që të dy partnerët të kenë të njëjtën nevojë për afërsi e largësi ose që të gjejnë një kompromis mes nevojave të të dyve.

Faj i gjenetikës?

Edhe shkenca është interesuar mbi tradhtinë. Sipas një studimi të Universitetit të Queensland në Australi, një ndikim të madh për të tradhtuar ka edhe ADN, përveç elementëve kulturorë, psikologjikë e socialë. Me pak fjalë, gjenetika mund të shpjegojë pjesërisht predispozitën natyrale për të tradhtuar. Në përgjithësi, studiuesit kanë tendencën të nënvizojnë se nuk bëhet fjalë për një “alibi”, por kushtet e jashtme dhe personale janë shumë të rëndësishme në tradhti. Sidoqoftë, edhe geni mund të ketë një rol thelbësor, edhe pse është e nevojshme të bëhen studime të tjera për t’u thelluar më shumë mbi këtë temë.

Mund ta parandalojmë tradhtinë?

Shpesh, kur njëri nga partnerët tradhton, projekti i përbashkët i çiftit shkatërrohet. Nga njëra anë, personi i tradhtuar humbet besimin që kishte për partnerin dhe për marrëdhënien. Nga ana tjetër, ai që tradhton zakonisht zhvillon një ndjenjë të madhe faji, për shkak të vuajtjes që ka shkaktuar. Që të mund të parandaloni një tradhti është e nevojshme të jeni të vetëdijshëm për pakënaqësitë personale dhe për nevojat tuaja në brendësi të lidhjes. Në disa raste mund të jetë e nevojshme një ndihmë profesionale që t’ju lejojë të përballeni me pakënaqësinë, vetëbesimin e pakët, por edhe me vështirësitë që keni për të marrë vendime.

Ndonjëherë, atëherë kur e kuptoni se marrëdhënia po përkeqësohet gjithnjë e më shumë, zgjidhja më e mirë mund të jetë të ndaheni nga partneri, pa rrezikuar që ta tradhtoni dhe ta lini të lirë që të nisë i vetëm një rrugëtim të ri.

 

 

Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 136

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top