Editorial

December 28, 2024 | 2:29

Kur zemra mbushet me mirësi

1

Festat e fundvitit na bëjnë më të ndjeshëm, më të gëzuar dhe pa dyshim më humanë. Dhe a e keni vënë re se, sa herë i japim dorën dikujt ndihemi më të çlirët; sa herë e këshillojmë dikë që t’ia dalë mbanë, se ka gjithmonë mundësi, edhe vetë bëhemi më pozitiv. Po kaq të lehtësuar ndihemi kur ndihmojmë dikë në nevojë me qindarkat e fundit që na kanë mbetur në xhep, a qoftë duke i shërbyer një vakt të munguar. Dhe kaq duhet për t’u gjendur brenda një bote të mëshirshme.

Nga Orjona Tresa, Gazetare

Nga Orjona Tresa, Gazetare

Gjithmonë ka ekzistuar kjo ndjesi. Dhe kishte nga ata që e bënin publike humanizmin e tyre siç kishte plot të tjerë, që këtë akt sublim e bënin në heshtje. Kjo e fundit ndoshta më ka pëlqyer më shumë, edhe për shkak të edukimit që kam marrë nga të parët e mi. Gjyshërit na thoshin: “Bëje të mirën, por mos e trego. Ti e bën për veten, jo për t’u dukur. Kështu vlerat qëndrojnë brenda teje, mirësia”. Sot gjërat kanë ndryshuar, bota është më e hapur. Dhe mbase është më mirë kështu. Kjo e bën më të ndjeshme ndihmesën dhe më të përhapur gjithashtu. Në raste festash, ky veprim ishte bërë si një rit, të cilit i përmbaheshim edhe ne më të vegjlit. Kujtoj kur bashkë me motrën, mbushnim trastat prej cope me ushqimet kryesore të kuzhinës, e shkonim trokisnim në dyert e atyre që i njihnim në lagje dhe që ishin nevojtarë. Në çdo kohë ka pasur familje që vareshin edhe nga një çantë e tillë për të kaluar një natë festive. Të ndihmosh dikë duhet të burojë nga shpirti dhe pa mendimin se do shpërblehesh për atë që ke bërë. Tek e fundit është si një përshpirtje që ti bën me veten dhe i je mirënjohës jetës për atë që ke arritur deri më sot. Po sa vend zënë këto vlera në shoqëri? Gjithnjë e më shumë njohim modele që dukshëm po tregojnë sipërmarrje të guximshme në shërbim të njerëzve në nevojë. Një edukatë qytetare që shpërfaq ata individë që shpirtin e kanë të madh e mendojnë si e si t’u vijnë në ndihmë të pastrehëve, të varfërve, të uriturve. Shembuj të tillë bëhen publikë dita-ditës dhe kjo është një e mirë që, si normë shoqërore, meriton vëmendjen e duhur. Përse jetojmë dhe frymojmë? Për shumëkënd, jo thjesht për të ngrënë mirë e për t’u veshur bukur. Këto gjithmonë mjaftojnë. Të tjera cilësi e bëjnë njeriun të vlefshëm në shoqëri!

Mesazhe ka pa fund për të dhënë. Dhe njëra prej tyre, ndoshta nga më të rëndësishmet, është se e mira duhet të na shoqërojë në udhën e jetës. T’u falemi vlerave e të bëhemi ndjekëse të tyre. Bashkërisht bëhemi një forcë përçuese e këtyre vlerave që, në mënyrë të ndërsjellë, i transmetojmë ndër breza. Faleminderit në këtë rast lexuesve që na ndjekin në udhën tonë. Gëzuar e mbarësi në jetët tuaja!

Botuar në revistën Psikologjia, nr.115

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top