Festa e përvitshme e “1 Qershorit” i dedikohet fëmijëve, asaj pjese të shoqërisë që do të përbëjë të ardhmen e një vendi nesër, por që fatkeqësisht, po vritet padrejtësisht sot. Kujt nuk i zbutet zemërimi brenda vetes kur shikon një fytyrë fëmije? Kujt nuk i largohet dhimbja kur shikon një buzëqeshje engjëllore përballë vetes?
Një fëmijë reflekton brishtësinë e jetës në rritje dhe njëkohësisht forcën për të pranuar brishtësinë e jetës në zbritje. Një fëmijë përthyen egot më të mëdha, nënshtron forcat e gravitacionit shpirtëror. Me rritjen e fëmijëve rriten psiqikisht çdo ditë edhe vetë prindërit, e njëkohësisht edhe shoqëria. I parrituri të rrisë të rriturin është njësoj sikur i rrituri të rrisë të parriturin, e tërë jeta jonë është një proces rritjeje. Përpjekja e prindërve për t’u rritur, rrit përpjekjen e parritur të fëmijëve. Për ta thjeshtuar situatën, prindërimi është një përpjekje rritjeje brenda rritjes, është një përpjekje sigurie brenda pasigurisë. Shqetësimi i prindërve është siguria e fëmijëve të tyre. Mijëra para derdhen në emër të krijimit të një mjedisi më të sigurt për fëmijët e tyre, në emër të një të ardhmeje derdhen mijëra sakrifica prindërore. Por jo gjithmonë ajo që shpenzojmë individualisht për t’u siguruar na shpërblehet në siguri individuale. Në një komunitet, siguria individuale përkthehet në sigurinë e gjithë shoqërisë. Nëse prishet një hallkë e këtij zinxhiri shoqëror, atëherë ‘të sigurohesh’ apo ‘ruhesh’ individualisht është e njëjta gjë sikur të mos ruhesh, sepse rreziku të vjen nga të katërta anët. Rasti konkret ndodhi disa ditë më parë në zonën e Freskut, në qytetin e Tiranës, ku një makinë doli nga rruga duke aksidentuar në trotuar tre qytetarë, nga pasojë e së cilës humbi jetën një fëmijë 3 vjeç dhe mbetën të plagosur dy prindërit.
Një fëmijë, i shoqëruar nga siguria që të fal prania e prindërve, papritur bëhet ‘Kurbani’ i pasigurisë shoqërore. Sa ‘kurbane’ të tjerë do të flijohen nga ky zinxhir i shkëputur instancash?! A do të dëshiroje lexues i dashur, që fëmija, nipi ose mbesa juaj të ishte kurbani i radhës, në pragun e një supermarketi, në pragun e një shkolle më keq akoma, në pragun e shtëpisë tënde?! Kërkojmë t’ia lëmë fajin një fajtori, e kjo sigurisht është një e drejtë, por dijeni se fajtori nuk është “NJË”, por janë “SHUMË”. Fajtorët janë ‘ata’ të papërgjegjshëm që manipulojnë dhënien e lejeve drejtuese, janë ‘ata’, jakat e bardha të papërgjegjshëm, që kundrejt ryshfetit lëshojnë raporte mjekësore pa bërë analiza. Janë ‘ata’ të papërgjegjshëm, që i vënë çmim vlerës së jetës, duke lejuar narkomanë apo të sëmurë psikikë të bredhin rrugëve të Tiranës normalisht, si ‘të aftë’ në drejtimin e një mjeti. Ja pra, faji nuk qëndron vetëm tek një 21-vjeçar, që në gjendje deliri a gabimi teknik bëri ‘kurban’ një fëmijë 3 vjeç, në prag të festës së ‘1 Qershorit’, e bëri ‘kurban’ në prag të Ramazanit, e bëri ‘kurban’ në prani të prindërve, e bëri ‘kurban’ të pasigurisë që na ofron sot shoqëria, me një zinxhir hallkash të prishura.
Një varr-dhuratë për ‘1 Qershorin’ e fëmijës 3 vjeç të aksidentuar, nuk mund të lihet në heshtje nga shoqëria, që për të kundërshtuar ndërtimin e këndit të lojërave tek liqeni shqyhet. Këndi i lojërave tek liqeni u shndërrua në legjendë urbane, nuk u anashkalua as në ditën e fëmijëve.
Fëmijëve të kryeqytetit të Tiranës iu krijua një hapësirë argëtuese e standardit europian, prindërit e të cilëve nuk do të detyrohen të paguajnë baret dhe restorantet në këmbim të disa këndeve modeste lojërash. Përse shoqëria civile nuk çirret për pasigurinë e këtyre fëmijëve që dorë për dore prindërve kinse të sigurt, mbesin viktima të absurdeve sociale e korruptive. Shoqëri civile civile që kujdeset për cilësinë e diellit dhe fotosintezën e gjetheve, pa kuptuar që po i shuhet drita përpara syve.
PARADOKS të shihje shpërfytyrime mimikash nga protestat e shoqërisë civile për këndin e lojërave kundrejt heshtjes që mori ‘varri’ i trevjeçares, si dhuratë nga të gjithë gojëqepurit që nuk bëjnë zë për të denoncuar dhe ndërgjegjësuar njëkohësisht përgjegjësit e vërtetë, ‘ats’ që japin leje drejtimi në mënyrë korruptive, ‘ata’ të jakave të bardha që pa kontrolle mjekësore lëshojnë raporte, e kështu zinxhir hallkat na flijojnë ‘kurbanet’ një e nga një. Të përpiqesh për kërkesa surreale në mjedise sociale të pasigurta do të thotë të nxisësh fëmijët të largohen në mjedise të huaja shoqërore për më shumë siguri, për të qenë larg surrealizmit civil që tejkalon hapat e zhvillimit, me demek, përparimin e shkallës ndërgjegjësuese.
Nisur nga rrethanat historike të një populli të përvuajtur, është rrënjosur edhe mentaliteti i një kujdesi të tepruar për fëmijët, deri diku patologjikë. Prindërit duke mos u ndjerë të sigurt në një mjedis të tillë social, e përçojnë këtë ndjesi tek fëmijët e tyre, dhe me kalimin e viteve, ajo shtresëzohet dhe shndërrohet në një patologji nga e cila ke vetëm dy mundësi rikuperimi: ‘ose të ruash të njëjtën linjë edukimi ose të largohesh në një mjedis tjetër social’. Çdo njeri kërkon mundësi më të mira për fëmijët e tij, kërkon jetëgjatësinë e tyre si më parësore. A është e vështirë të rrisësh një fëmijë? Sipas një kalkulimi të lehtë, vetëm në tre vitet e para të fëmijës, prindërit humbasin nga vetja e tyre shumë gjëra, por mbi të gjitha ajo që humbasin është koha, vlerën që nuk mund ta shlyej asnjë dënim apo çmim. Të rrisësh një fëmijë deri në moshën 3 vjeç do të thotë të investosh për 45 muaj (+9 shtatzëni) shpresë, dashuri për jetën, një kulm që të lidhësh pasiguritë e tua në botë, pa përmendur pastaj, netët pa gjumë,dhimbjet e dhëmbit të parë, buzëqeshjen, hapat e para dhe gjurmën e pashbëshme në memorie dhe shpirt. Në një kohë që s’ka kohë, e rëndësishme është të rrekesh fëmijët në gji, dhe dorë për dore pasiguritë të përcjellin njëra-tjetrën me shpresën se nuk do jenë kurbani i radhës. Ngushëllime, kush nuk ndihet fëmijë!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.