Fajin e ka teknologjia, fajin e kanë prindërit, fajin e ka shkolla, fajin e ka sistemi, fajin e ka kurrikula, fajin e ka qeveria, fajin e kanë mediat, fajin e kanë mësuesit, fajin e kanë psikologët, punonjësit socialë, fajin e kanë vetë adoleshentët etj., etj. Të gjitha këto dhe shumë të tjera përmenden lidhur me ngjarje ku përfshihen adoleshentët duke shfaqur sjellje agresive. Në fakt, askush dhe asnjë nuk mundet të thotë diçka të saktë, të prerë dhe të sigurtë në lidhje me fajësinë e një sjelljeje të tillë. Pra, të gjesh një apo dy fajtorë për sjelljen e një adoleshenti sot nuk është aspak e thjeshtë. Pse?
Pranvera Paplekaj (Martinaj), psikologe në Lezhë
Sepse sot nuk është më asgjë e lehtë, sot pjesa dërrmuese e adoleshentëve kanë kushtet më të mira të jetesës, krijuar nga familja, me qëllimin për t’jua lehtësuar jetën, por në të vërtetë asnjëherë më vështirë nuk e kanë patur për t’u rritur njerëz me personalitet të shëndoshë.
Sot mësuesit edhe pse nuk janë aspak afër asaj që meritojnë, krahasuar me kohën përpara, kanë pagën më të mirë se asnjëherë, kanë shkollat më të mira se kurrë, kanë transportin dhe në tërësi kushtet e punës më të mira se asnjëherë, por u është cenuar rëndë ajo që nuk ka çmim që ta paguajnë, u është cenuar autoriteti dhe dinjiteti i pozicionit të tyre. Kanë kushte dhe pagë më të mirë, por kanë nxënësit dhe brezat më të vështirë të të gjithë kohërave për të punuar me ta.
Sot prindërit, në të përgjithshmen janë më të përgatitur se kurrë për të prindëruar, por kanë fëmijët më të vështirë se kurrë për të rritur, menaxhuar dhe edukuar, dhe si pasojë psikologjikisht janë dorëzuar këmbëkryq një pjesë e mirë e tyre.
Sot nxënësit kanë kushtet më të mira për të mësuar, më të mira se asnjëherë tjetër, por dëshira për t’u marrë me mësime është gjëja më e vështirë që ata mund të mbjellin tek vetja, pasi ndodhen në një botë e cila të jep shumë mundësi, ku asnjëra nuk të tregon të vërtetën, të gjitha janë në konkurrencë për të përthithur mendje adoleshentësh dhe për t’i bërë për vete, duke u nxitur mendime në kokën e tyre se “ti mund të bëhesh milioner brenda pak ditësh” pa u shkolluar, pa studiuar, pa u lodhur”.
Sot kemi psikologë më të përgatitur dhe më të kërkuar se kurrë më parë profesionalisht, por që në raste të tilla nuk kanë bashkëpunëtorë dhe në rastin më të keq nuk guxojnë ta trajtojnë deri në fund rastin, pasi kërcënohen me jetë dhe nuk e mbron askush përveç letrave në teori.
Pra, jemi të gjithë aktorët në kohën më të vështirë të mundshme për të rritur dhe edukuar brezat e rinj. Jo vetëm ne, por edhe ata vetë nuk e kanë aspak të lehtë të gjejnë vetveten në këto kohëra, nuk është e drejtë kur krahasohen brezat me breza, me siguri edhe ne të rriturit nëse në këtë kohë do të ishim adoleshentë, po njësoj do ishim.
Jemi në kohën ku një adoleshent mund vijë në shkollë me 1.5 – 2 orë gjumë. 13-15 orë të kaluara në telefon. Në shkollë na vijnë adoleshentë të cilët mund të kenë konsumuar edhe 4,5,6,7 pije të forta energjike, raste jo të rralla hashash, etj., etj.
Kemi adoleshentë me trauma psikologjike të rënda, adoleshent i cili mund të vijë i dhunuar nga babai i alkoolizuar, një tjetër mund të jetë duke përjetuar divorcin e prindërve, një tjetër bullizimin nga shokët, një tjetër duke luftuar me vetëvlerësimin e tij, një tjetër që nuk po e gjen veten askund dhe me askënd, një tjetër duke përjetuar humbjen e një njeriu të afërt etj., etj.
Të gjitha këto dhe të tjera nxisin çrregullime psikologjike të ndryshme si: Çrregullime të sjelljes, çrregullime depresive, do veçoja këtu çrregullimin e ankthit, që prej 5 vitesh është prezent në shifra alarmante jo vetëm tek të rriturit, por theksoj, ka një numër të shtuar tek adoleshentët dhe fëmijët. Simptomat kryesore të dukshme që këto çrregullime shfaqin janë: Sjellje agresive të shtuara deri në dhunë fizike, mos kontroll i emocioneve, frikëra (fobi) të ndryshme, probleme me komunikimin, probleme në marrëdhëniet sociale, humbje e interesit dhe dëshirës për veprimtari dhe aktivitete, rënie drastike në mësime, sjellje të pakontrolluara, shkelje e normave dhe rregullave, mosnjohja e autoritetit etj., etj.
Të gjitha këto dhe shumë të tjera na bëjnë qartazi të kuptojmë se po rriten adoleshentë pasivë në komunikim, pasivë në aktivitet fizik, pasivë në aktivitet mendor, marrëdhënie të dëmtuara sociale.
Si pasojë e këtij stili jetese një adoleshent e ka të pamundur të ketë durimin të dëgjojë mësuesin, të dëgjojë prindin, të dëgjojë shokun, madje as të dashurën/in. Kjo ndodh në situatë normale, le të imagjinojmë se sa mund të durojë ky adoleshent t’i bësh moral apo t’i prekësh familjen. E pamundur, plotësisht e pamundur. Pse? Sepse të kesh një shëndet mendor të mirë, kushtet bazë janë: Orët e gjumit të plotësuara, ushqyerja e mirë, aktiviteti fizik, të paturit një psikolog (ku adoleshenti ta frekuentojë herë pas here), etj.
Të mendojmë pak, i bëjnë adoleshentët e sotëm këto? Sa prindër janë të gatshëm t’i bëjnë këto veprimtari në mënyrë sistematike me fëmijët e tyre? Nuk janë të shumtë në numër…
Në përvojën time të punës, kam raste gjithnjë e më të shpeshta ku prindërit më kërkojnë me ngulm dhe shprehen “aman të lutem zonja psikologe merru pak me djalin/vajzën time se nuk e kam mirë, më duket se vuan nga ankthi, më duket se e bullizojnë, por nuk shprehet me mua, më duket se dikush po ma ngacmon, por nuk tregon etj., etj. Ndërkohë që përpiqem të bëj punën time me shumë përkushtim, në bashkëpunim shumë të mirë me mësuesit dhe drejtuesit kur është e nevojshme, prindi ikën dhe nuk duket më. Shpesh ata të braktisin në punën me fëmijën e tyre. Kjo është një e vërtetë e rëndë dhe shumë prezente. E thërret disa herë dhe ai nuk të vjen, duke u justifikuar zakonisht “nuk më japin leje tek puna”. Përse ndodh kjo? Në momentin kur gjejnë një mësues, drejtues, psikolog, punonjës social, ku ata krijojnë besimin se do e kenë kujdes fëmijën e tyre, ata psikologjikisht çlirohen disi, ua besojnë, u duket se ia kalojnë stafetën dikujt tjetër dhe vazhdojnë pa u dukur për javë dhe muaj. Por, a është e mundur të ndihmohet një adoleshent pa një bashkëpunim të ngushtë mes shumë aktorëve, ku kryesor është prindi? Personalisht mendoj se prindërit e sotëm ndodhen në presion të lartë psikologjik për të prindëruar, pasi brenda një dite e gjejnë veten shumë herë në udhëkryq duke mos ditur si të veprojnë me fëmijën e tyre.
Nga ana tjetër, e njëjta gjë po ndodh me mësuesit, më besoni, për gati një dekadë që punoj në arsim pranë mësuesve, kam njohur dhe punuar me mësues që stresohen pafund, kur nxënësit humbin rrugës rrugën e drejtë. Më besoni, ka plot mësues që i përjetojnë aspak mirë këto ndryshime negative tek nxënësit, dhe më kërkojnë mendim apo ndihmë në rolin tim si psikologe si ta ndihmojmë X nxënës. Ka shumë mësues të tillë që mendojnë si për fëmijën e tyre. Por nga ana tjetër, ka edhe të tjerë mësues, të cilët nuk ia dalin dot të jenë mësues të mirë. Por, asnjë lloj profesioni nuk i ka të gjithë profesionistët e kompletuar, humanë dhe të përgatitur. Si pasojë, duhet pranuar kjo dhe asnjëherë të hedhim poshtë pjesën dërrmuese të mësuesve që janë personat që prej tyre dalin gjithë profesionistët e fushave të tjera. Kurrë nuk kam dëgjuar një person të arrirë në profesion, karrierë apo në jetë ku të mos ketë përmendur të paktën një mësues, dhe ta ketë falenderuar për kontributin e tij. Andaj ju lutem mos hidhni baltë mbi këtë profesion të shenjtë. Le të forcohen pak më shumë të gjithë mekanizmat mbështetës që kanë, ndikim në rritjen dhe edukimin e fëmijëve dhe adoleshentëve. Të ndryshohen gjërat që janë provuar dhe që nuk funksionojnë, të investohet shumë më tepër tek çdo mekanizëm dhe kështu parandalojmë dhe nuk trajtojmë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.