Në fokus

April 23, 2018 | 9:50

Kush është Juliani, studenti që “lufton” bullizmin në Kamëz

Julian Sopaj, student në vitin e dytë në universitet për Administrim Biznesi, ka lindur në qytetin e Kukësit por që në moshë të vogël familja e tij u shpërngul në Kamëz. Gjatë një interviste për pozitivi.org Juliani tregon se prej gati 5 vitesh është bërë pjesë e Rrjetit Kombëtar të Edukatorëve Bashkëmoshatar, i cili në Shqipëri u themelua në vitin 2003.

Qëllimi i këtij rrjeti tashmë i shtrirë në disa qytete të vendit është edukimi nëpërmjet edukatorëve bashkëmoshatarë për  fuqizimin e të rinjve në vendimmarrje të lirë dhe të përgjegjshme për të garantuar një stil jetese të shëndetshme. Bullizmi një fenomen mjaft shqetësues te adoleshentët është edhe në fokus të edukatorëve bashkëmoshatarë, ku sipas të dhënave që ata kanë mundur të mbledhin gjatë veprimtarisë së tyre më i përhapur është te gjimnazet dhe shkollat 9-vjeçare private.

Duke qenë se 21 vjeçari ka përfunduar gjimnazin në Kamëz edhe puna e tij vullnetare është më shumë me të rinjtë e qytetit të Kamzës, një zonë ku bullizmi është në shkallë të lartë. Gjatë bashkëbisedimeve me nxënësit i riu thotë se ka dëgjuar histori nga më të ndryshmet, të cilat na i tregon në intervistën e plotë.

Për t’u mbrojtur nga bullizmi Juliani përcjell disa këshilla të cilat i ndan çdo ditë me të gjithë të rinjtë dhe adoleshentët gjatë punës së tij vullnetare.

Intervista:

Çfarë është Rrjeti Kombëtar i Edukatorëve Bashkëmoshatar dhe si u krijua?

Julian Sopaj: Y-PEER nënkupton Rrjetin e Edukimit të të Rinjve Bashkëmoshatar.

Y-PEER është një rrjet rinor, themeluar në nivel ndërkombëtar në vitin 1999 dhe në Shqipëri është themeluar në vitin 2003 nga UNFPA dhe që nga ky vit FOCAL POINT in CHARGE in ALBANIA  është Z. ANDI RABIAJ i cili solli për herë të parë në Shqipëri rrjetin e edukatorëve bashkëmoshatarë Y-PEER . Y-PEER parashikon që të rinjtë të kenë pjesëmarrje kuptimplote dhe gjithëpërfshirëse në vendimmarrje, në lidhje me stilin e shëndetshëm të jetesës që ata kanë, në mënyrë që të kenë qasje të barabartë në informacion dhe shërbime.

Kjo është një iniciativë edukuese moderne dhe e plotë ndërmjet të rinjve filluar nga UNFPA. Sot në të gjithë Shqipërinë rezultojmë si rrjet edukatorësh bashkëmoshatarë (2003 – 2018) me 2680 anëtarë, të regjistruar më dëshirën e vullnetin e tyre të plotë, që marrin pjesë në trajnime dhe aktivitete të ndryshme që ne organizojmë,  shumica e anëtarëve kryesisht janë studentë dhe gjimnazistë.

Cili është qëllimi i këtij rrjeti, ku është i shtrirë dhe si funksionon aktiviteti?

Julian Sopaj: Qëllimi është edukimi dhe promovimi nëpërmjet edukatorëve bashkëmoshatarë dhe specialistëve për  fuqizimin  e të rinjve në vendimmarrje të lirë dhe të përgjegjshme për të garantuar një stil jetese të shëndetshme, rritjen e aksesit dhe cilësisë së shërbimeve shëndetësore. Të promovojmë akses të barabartë drejt mundësive të ofruara si dhe praktikave të mbrojtjes ndaj diskriminimit me bazë gjinore, orientim seksual, statusin serelogjik, kapacitetet fizike, aftësive të kufizuara, si dhe diskriminimit etnik dhe kombëtar.

Mbulimi gjeografik në Shqipëri aktualisht është në 8 qytete: 1.Tiranë; Shkodër; Vlorë; Elbasan; Kamëz; Gjirokastër; Berat; Pukë. Ne si rrjet edukatorësh bashkëmoshatarë mendojmë se këtë vit do jemi dhe në qytetet e tjera të Shqipërisë ku do krijojmë mundësi te veçanta gjithëpërfshirëse për të gjithë të rinjtë pa asnjë dallim.

Funksionon për rritjen e kapaciteteve të të rinjve, duke marrë në konsideratë standartet ndërkombëtare dhe kuadrin ligjor shqiptar në lidhje me trajnimet e trajnerëve(ToT) në aspektin humanitar, advokim dhe leadership.

Sipas të dhënave që keni ku është më i përhapur bullizmi?

Julian Sopaj: Sipas të dhënave nga edukatorët bashkëmoshatare dhe vetë të rinjtë e pranojnë që fenomeni i bullizmit është goxha i hapur në ambientet shkollore por numri me i madh i rasteve është te gjimnazet dhe shkollat 9-vjeçare private. Por në të tilla shkolla private nuk i pranojnë si raste dhe nuk i trajnojnë që mos të prishin imazhin e shkollës së tyre. Vlen të thuhet se rastet më të mëdha janë në kryeqytet pastaj vijojnë me zonat periferike dhe qytetet e ndryshme të vendit tonë.

Ti operon më së shumti në Kamëz, a është bullizmi në shkallë më ta lartë te nxënësit atje se sa në shkollat e Tiranës?

Julian Sopaj: Une aktualisht jam FOCAL POINT për qytetin e Kamzës dhe prandaj vëmendja e puna  ime  vullnetare është tek të gjithë të rinjtë e qytetit të Kamzës, pasi dua ti përfshij në jetën vullnetare që ata mos të shpenzojnë kohën e tyre kot. Por nuk mund të lë pas asnjë të ri në Tiranë e çdo qytet të Shqipërisë.

Bullizmi është i përhapur kudo në qytetet e Shqipërisë por Tirana është qyteti i parë më i prekur ndërsa Kamza vjen më pas me një diferencë shumë të vogël rreth 3.5%  prandaj dhe puna ime është e përqendruar në Kamëz.

A ka pasur nxënës që gjatë takimeve iu kanë treguar raste kur janë bulluar?

Julian Sopaj: Sigurisht që ka qenë pak e vështirë që ata të na tregojnë disa histori kur kanë bulluar apo kanë qenë vetë ata që janë sulmuar nga agresorët. Së bashku me kolegen time Eleni Nanaj kemi ndikuar tek ata pozitivisht që te na rrëfejnë historitë e tyre personalisht ose gjatë infosesioneve që kemi mbajtur në klasat e tyre. Po vlen të thuhet se kur kishim mësues me ne të pranishëm në klasë nxënësit nuk flisnin aq lirshëm sa me mua dhe Elenin kur nuk kishte asnjë mësues të pranishëm.

Kemi shumë raste ku ata na kanë treguar dhe na kanë shkruar në disa fletë anonime, të cilave iu ruajmë anonimatin  që mos të ndikojmë tek ata që këto raste bullizmi të shfaqen sërish por duam që të gjitha këto raste tek të rinjtë të shuhen e të jetojnë jetën e tyre të lumtur me njëri tjetrin. Po ju tregoj tre raste të shkurtra: Të gjithë shokët e shoqet e klasës time ndikojnë negativisht tek një shoqe, e cila është vajzë që mëson shumë dhe sa herë ngrihet të flasë në mësim, i vendosin nofka negative e kjo gjë ka ndikuar shumë keq në gjendjen e saj psikologjike pasi preket shumë dhe fillon të qajë.

Nxënësi ndikohet nga zona e thellë që vjen, ne në klasë e ofendojmë rëndë, ai ndihet shume keq. Zakonisht funksionon kështu që hapin rrjete sociale në emrin e atij që duan të sulmojnë e komentojnë dhe publikojnë përmbajte që e ulin para të gjithëve duke e rënduar psikologjikisht. I sulmojnë për gjendjen ekonomike të personit dhe fizikun etj.

Ti aktualisht je student, na trego pak më shumë për veten… Si u bëre pjesë e këtij rrjeti dhe çfarë eksperience e konsideron këtë që po bën?

Julian Sopaj: Po unë aktualisht jam student në vitin e dytë bachelor në universitet, dega Administrim Biznesi. Kam lindur në Kukës dhe kur unë kam qenë 8-muajsh familja kishte vendosur të migronte në një qytet tjetër për të punuar e jetuar më mirë e për të qenë afër Tiranës. U shpërngulën në qytetin e Kamzës ku unë jam rritur e thuajse u bënë 21 vite që jetoj këtu. Pjesë e rrjetit te edukatorëve bashkëmoshatarë u bëra 4 vite më parë kur ANDI, doktoresh Teuta Pipa dhe një grup të rinjsh mbajtën një infosesion për Bullizmin në gjimnazin ‘Ibrahim Rugova’ ku unë studioja.

Pas kësaj vendosa të bëhem pjesë e rrjetit  dhe nga ajo ditë kam punuar shumë që të informojmë çdo të ri për rrjetin e edukatorëve bashkëmoshatarë. Është eksperienca më e bukur pasi që prej katër vitesh jam ndierë si në familje dhe kam njohur studente, profesionistë të fushës dhe të rinj nga shtetet e tjera te Europes. Shumicën e kohës ia kushtoj shkollës pasi dua të kem rezultate të shkëlqyera, por s’e lë pas Y-PEER edhe punën ku jam aktualisht.

Kur nxënësit iu tregojnë rastet e tyre, cilat janë këshillat tuaja, si i ndihmoni ata që të përballen me këtë problem?

Julian Sopaj: Ne i sugjerojmë psikologun e shkollës, mësuesit e prindërit e tyre, i këshillojmë që të merren më shumë me rastet, të mundohemi të bashkëpunojmë  të gjithë bashkë që të arrijmë të shuajmë rastet e bullizmit dhe të mos kemi me viktima.

Ne iu japim disa këshilla: Fyerjeve, përqeshjeve dhe ngacmimeve  mund ti përgjigjeni butë; mos i lejoni t’ju shikojnë të mërzitur; largohu nëse e sheh veten të nervozuar; thuaj JO me zë të plotë e të qartë nëse nuk dëshiron të bësh diçka, që të kërkojnë. Rri drejt dhe shikoji në sy kur e thua; mos i lër të tjerët të të thonë që të bësh diçka që mund të pendohesh më vonë; mos ki frikë të tregosh rastet e ngacmimit; lëviz gjithmonë në grup, bullizmi ndodh shpesh herë kur je vetëm.

A je përballur ti personalisht ndonjëherë me bullizmin në shkollë?

Julian Sopaj: Sigurisht që çdo i ri është përballur me raste të bullizmit kryesisht në gjimnaz, ku kam pasur raste të agresorit dhe të viktimës. Gjithmonë jam munduar të ndikoj pozitivisht që këto raste mos të përsëriten dhe gjithçka të kthehet në tragjedi apo edhe pasoja të tjera të frikshme që mund të ketë. Kam qenë gjithmonë në mbështetje të tyre duke bashkëpunuar me psikologen, mësuesit, shokët /shoqet dhe prindërit që rastet e bullizmit të mos jenë prezent e të mos mërzitet askush e mos të ndihet keq psikologjikisht.

Çfarë mesazhi ke për t’u dhënë të rinjve dhe adoleshentëve ?

Julian Sopaj: Duke parë që rastet e bullizmit janë duke u shtuar çdo ditë unë jo vetëm mesazh për ta por do u bëja thirrje QË TE GJITHE TË RESPEKTOJNË NJËRI-TJETRIN E MOS TË MBAJNË INATE, POR TA KALOJNË GJITHÇKA ME BUZËQESHJE. JETA E SECILIT PREJ NESH ËSHTË E SHENJTË DHE S’DUHET TË CËNOJMË ASNJËRIN PËR GJËRA TË KOTA KU MOS T’I HUMBIM KOHË VETES E TË MERREMI ME GJËRA TË TJERA QË KANË VLERË.

PSE JO MOS TE BEHEN VULLNETARË SEPSE PËRVEÇ KËNAQËSISË QË MARRIN DUKE NDIHMUAR TË RINJTË MUND TË KALOJNE KOHËN E TYRE TË LIRË.

Burimi | http://pozitivi.org

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top