Në fokus

November 24, 2018 | 9:07

‘Kush fal gjak ne e nderojmë’, Elvis Naçi i dhuron shtëpi gruas që i vranë burrin para syve dhe që e fali gjakmarrjen për hatër të djalit të vetëm (Video)

“Shqiptarët për shqiptarët” udhëtoi në Ishull Shëngjin. Këtu jeton familja Gjini. 14 vite më parë familja me 4 pjesëtarë zbriti nga fshati Kashnjet e Lezhës. Ata u vendosën në ketë vend për një jetë më të mirë. Por sot nëna e tre fëmijëve është duke përjetuar një dramë të rëndë. Dilore Gjini mbeti e ve në moshën 26 vjeçare. Burrin ja vranë në derën e shtëpisë. Dilorja e kujton atë moment tragjik që i ndryshoi jetën. “Unë isha brenda banesës, po gatuaja. U afrua duke bërtitur, po shante, ishte i pirë, erdhi me një tjetër. Erdhi i vuri pistoletën në qafë. U tremba se isha shtatzënë. Isha mbas shpinës së tij, ai ra. Isha atje kur e vrau. M’u këputën gjunjët, bërtita me të madhe. Burri m’u vra para syve”, -thotë Dilorja.

Vajza Majlinda erdhi në jetë disa muaj pasi i ati ndërroi jetë. Dilorja ka kaluar një jetë tepër të vështirë. “Nuk m’u ndanë hallet asnjëherë. Nuk dija si do t’i mbaja me bukë fëmijët. Kisha ndihmë ekonomike 3 mijë lekë. Kam punuar tek një komshi me lopatë tokën, vetëm që t’i mbaja fëmijët me bukë. Kam rritur tre fëmijë jetimë. Vetëm shpirti im e di sa kam vuajtur”, -thotë ajo. Dilorja është një burrneshë, siç i ka hije grave të malësisë, dhimbja nuk e ka mposhtur kurrë! Ajo qëndron e fortë, e pamposhtur. Kur kujton bashkëshortin e saj sytë i qeshin. Edhe pse kanë kaluar 18 vite nga vdekja e burrit, kujtimet i ruan thellë në zemër “vetëm të mira kam pas prej tij. Më thoshte, ti je shumë e vlefshme, ti je zemra ime, ishte bashkëshort i mirë”.

Në zemër do të ruajë gjithë jetën 7 vitet e lumtura të martesës, ashtu si edhe premtimin e dhënë. Dilore Gjini ja ka kushtuar jetën tre fëmijëve të saj. Sakrificat dhe vuajtjet nuk e kanë kursyer. Por ajo i ka bërë vetes një betim, që nuk do ta shkeli kurrë. “Vetëm, 7 vite jetova me burrin, u betova të mos martohem më, doja te isha besnike ndaj tij”, -thotë ajo. Vajza e Dilores quhet Majlinda.


I ati i saj u vra vetëm disa muaj para se ajo të lindte. Kur ishte e vogël, mamaja i kishte thënë se jeton jashtë shtetit “prisja me padurime ta takoja” thotë vajza. Të vërtetën e hidhur ajo e mëson në shkollë.

“Isha 10 vjeç isha në shkollë, mësueset kërkuan babin, u mërzita shumë që nuk erdhi, mami me tha që nuk e ke babin, u mërzita shumë”. Edhe pse nuk e kishte takuar kurrë, e vërteta e tronditi shumë 10-vjeçaren. “Më mungonte shumë babi isha shumë e vetmuar”, -thotë Majlinda me zë të mekur. Por forca për të ecur përpara gjendet tek familja e bashkuar. Majlinda ruan emrin dhe ngjashmërinë nga babai. “Ndihem e lumtur pasi kam emrin që më ka vënë babi”, tha ajo. Dëshira e kësaj vajze është “ta përqafoja dhe të kisha një fotografi bashkë me të”.

Elvisi dhe Sidriti kanë takuar Diloren dhe familjen e saj. Elvis Naçi është prekur nga forca e kësaj gruaje që rrit e vetme në kushte shumë të vështira tre fëmijët e saj. Elvisi i kërkon Dilores ta shoqërojë për të parë shtëpinë e re. Është një befasi. Dilorja sapo hap derën shikon një ambient tejet të bukur dhe komod për të jetuar.



 

“Ua çfarë surprize, më duket e pabesueshme. Nuk e kam pritur kurrë këtë. M’u ngroh shpirti, prisja që banesa të ishte e suvatuar. Kjo shtëpi ishte e rrënuar, çatia ishte duke rënë, edhe korrentin e kisha nëpër këmbë, kam qenë në rrezik, qaja çdo ditë për fëmijët” thotë ajo e emocionuar duke parë shtëpinë e saj.

Dilorja e ka të vështirë të kujtojë atë moment dramatik kur burri u vra para syve të saj kur ajo ishte me barkun te goja. Kujton se pas ngjarjes, disa njerëz erdhën për besën. Nga frika e gjakmarrjes, ajo mori një vendim “Unë u thashë, më mirë ta fal se kam një djalë, pajtimin e kemi bërë pas tre vjetësh. Nuk dua të jetoj me frikë, më mirë jetoj sikur s’ka ndodh gjë. Ne e kemi fal gjakun” shprehet ajo me një grimcë krenarie në sytë e saj. Ndihet e çliruar. E ka falur gjakun për hir të djalit të vetëm që e ka dritën e syve. Elvis Naçi i thotë Dilores arsyen përse vendoi që ta ndihmonte atë dhe fëmijët e saj jetimë. “Ne jemi të prekur nga kjo histori, lum ai që fal gjakun, shqiptari nuk e vret shqiptarin, kush fal gjak shqiptari ne e nderojmë, ke bërë një vepër të madhe”, -i thotë Elvisi.

 

Burimi / BalkanWeb

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top