Në fokus

January 29, 2019 | 9:00

Kush gjen një mik gjen një thesar… por a është gjithmonë kështu?

PA DYSHIM KUSH GJEN NJË MIK TË VËRTETË KA NJË BURIM TË MADH PËR MIRËQENIEN E VET PSIKOLOGJIKE. MIQËSIA NDËR DY NJERËZ APO NË BRENDËSI TË NJË GRUPI ËSHTË NJË BURIM I PAFUNDMË. MIQËSIA BAZOHET NË NDIHMËN RECIPROKE, MBI FAKTIN QË TË BËHESH MËNJANË PËR T’I LËNË HAPËSIRË “EMOTIVE E PSIKOLOGJIKE” TJETRIT.

Miqësia është sinonim i besnikërisë dhe lumturisë. Të gjitha sa thamë më sipër na bëjnë veçse mirë. Por si të gjitha gjërat, ndonjëherë, pas një sjelljeje fshihet diçka tjetër, dhe edhe miqësia nuk bën përjashtim. Shpesh nuk rrethohemi nga miq të mirë, por vetëm nga njerëz që na shfrytëzojnë, na manipulojnë apo nga njerëz tek të cilët nuk mund të besojmë, sepse miqësi do të thotë edhe besnikëri.

Kur filloni të takoheni me një person duhet të tregoni kujdes nëse ai ju kërkon vetëm kur i nevojitet diçka ose nëse ju kërkon kur ndihet vetëm dhe nuk ka asnjë person tjetër me të cilin të dalë. Këto sjellje janë kambana alarmi, të cilat nuk duhet t’i nënvlerësoni asnjëherë, sepse ai person që frekuentoni nuk i ka karakteristikat e duhura për t’u shndërruar në një njeri të besuar dhe të bëhet një mik i mirë.

Po cilët persona është mirë t’i mbani larg dhe të mos i fusni në rrethin e miqësive? Kemi nxjerrë disa karakteristika të tyre.

GËNJESHTARËT | Të gjithë themi gënjeshtra, por gënjeshtarët patologjikë, ata njerëz që krijojnë një botë plot me mashtrime, është mirë që t’i mbani larg. Edhe njerëzit me dy fytyra, ata që nuk janë të sinqertë është mirë të mos i keni në rrethin miqësor. Të tillë njerëz herët a vono do t’ju lëndojnë dhe do ta bëjnë këtë gjë duke qenë krejtësisht të vetëdijshëm për veprimet e tyre. Për ata nuk jeni të rëndësishëm dhe nuk kanë asnjë empati kundrejt të tjerëve, sepse janë shumë të përqendruar që të ruajnë sa më lart vetëbesimin e tyre.

MANIPULUESIT | Cilët janë personat manipulues? Janë të gjithë ata persona që mundohen, me anë të mashtrimit, lajkave dhe strategjive të ndryshme, që ju të bëni çfarë ata duan dhe nuk ju lejojnë të shpreheni për atë që jeni. Është gjithmonë mirë që të qëndroni sa më larg manipuluesve, sepse nuk ka gjë më të shëmtuar se sa të manipuloheni dhe të mos e kuptoni këtë gjë. Asnjë manipulues nuk do të mund të jetë ndonjëherë një mik i mirë, sepse miqësia nuk bazohet mbi manipulimet.

TË PAMATURIT | Njerëzit e pamatur ose më thjesht “thashethemexhinjtë” nuk janë aspak miq të mirë. Si gjithmonë duhet të bëni edhe dallime, sepse të gjithëve u ka ndodhur që të thonë diçka për dikë tjetër, që do të ishte më mirë të mos e thonin. Kjo nuk do të thotë se jeni thashethemexhinj, sepse një thashethemexhi i vërtetë është ai që mundohet që të bjerë në sy të të tjerëve dhe kërkon që të jetë i rëndësishëm vetëm nëpërmjet fjalëve. Thashethemexhinjtë janë ata persona që ju bëjnë të besoni se janë miqtë tuaj vetëm për të kuptuar sekretet tuaja e më pas, t’ua thonë ato të tjerëve, sepse kush di një sekret ka fuqi të mëdha. Duan pushtetin dhe e fitojnë atë në kurriz të të tjerëve.

Për ta mbyllur, duhet të dini se një mik të mirë e dalloni duke e njohur gjatë rrugëtimit të jetës. Do të kuptoni se është gjithmonë pranë jush, në momentet e bukura e të vështira të jetës. Kur keni nevojë, e dini se mund të mbështeteni tek ai dhe nuk ju ka kërkuar e nuk ju kërkon asgjë për shpërblim. Një mik i vërtetë është ai njeri që di të bëjë një pah pas kur është e nevojshme, por është gjithmonë aty, gati, për t’ju zgjatur dorën.

 

Përgatiti: Manjola EREQI  |  Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 134

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top