Sa persona njohim në shkollë, në punë, në rrugë, në bar, në festa, në lagje… sa njerëz përshëndesim me qejf apo me pahir, pak rëndësi ka. Por për sa njerëz gëzohemi kur i takojmë, vetëm zemra jonë e di… duke bërë që të ndihemi në faj për përdorimin vend e pa vend të fjalës mik apo mikeshë. Mënyra më e mirë për të pasur një mik është mbi të gjitha të jesh i tillë, por: A dimë ne të jemi miq? A dimë të gëzohemi me gjithë shpirt nga një sukses i mikut tonë?! Sepse çdokush mund të jetë afër shpirtërisht me vuajtjet e një miku, por druaj se nuk është kaq empatik kur vjen puna për suksesin e tij. Thonë “Kush gjen një mik, gjen një thesar”… epo më thoni kush e ka gjetur thesarin në këtë botë, përveç tre-katër vetëve në periudha të ndryshme kohore.. Pikërisht! Të gjesh një mik është shuuuuumë e vështirë. Por të mos bëhemi tepër idealistë, duke rrezikuar kështu të dalim jashtë mode. Unë jam e sigurt se dua të qëndroj “në treg” dhe të konsumoj me vetëdije të plotë këto lloje miqësish që vijojnë:
U takuam rastësisht… në shkollë
E dashur shoqe klase… “Mbaj mend se më pëlqeu fustani yt kur erdhe ditën e parë të shkollës, modeli i flokëve dhe çanta me atë ngjyrë të çuditshme”. Miqësitë e kohës së shkollës fillojnë nga kaq pak dhe mund të përfundojnë kurdo që ne zgjedhim. Nuk është çudi që shoqja e ngushtë e shkollës fillore të vazhdojë të jetë edhe më tej një mike e mirë. Kur jemi të rinj, dimë pak për ndjenjat, bazohemi te gjërat sipërfaqësore dhe janë ato që na orientojnë miqësitë. Gjërat mund të jenë aq sipërfaqësore, sa mjafton të kesh celularin më të bukur dhe bëhesh lideri i klasës. Ndërsa kalojnë vitet, fuqia jonë për të bërë miq në klasë rritet, jo vetëm bashkë me mundësinë tonë për të njohur dhe ndjerë afeksionin e vërtetë, por edhe bashkë me forcën tonë intelektuale për të veçuar vlerat që na interesojnë. Në këtë mënyrë, adoleshentët “përshëndesin” mënyrat e sjelljes së të rriturve… duke mësuar të dallojnë ca thërrime falsiteti dhe hipokrizie. Ndaj nxjerrin krye dilemat: “Ajo nuk është e sinqertë, miqësia jonë bazohet vetëm te fakti që jemi në të njëjtin kurs dhe unë e ndihmoj në disa ushtrime, ajo ka interes. Kaq. Në të kundërt, ajo s’do më fliste me gojë”. Apo kur kupton që miqësitë mund të prishen nëse shoqja e ngushtë tenton të joshë të dashurin tënd simpatik, gjë për të cilën betoheshe që nuk ndodh. Eh, në fund të fundit kupton që njerëzit nuk janë dhe aq të çiltër. Prandaj syzet pink prej fëmije, me të cilat shihje botën, janë krisur dhe thyer. E dashur shoqe klase, ç’të të shkruaj më parë…
E dashur kolege, e dashur shefe E dashur kolege, e dashur shefe…
“Falë Zotit kam dëgjuar se forcimi i lidhjeve sociale në punë ka efekte pozitive mbi produktivitetin dhe mbarëvajtjen, sepse në të kundërt… Në të kundërt, unë s’do ta duroja dot prezencën tënde të padëshirueshme për mua, pompozitetin dhe arrogancën tënde. Por më duhet të hesht, të të përgjigjem, të bashkëpunoj me ty dhe të bëj punën për të cilën paguhem”. Edhe kjo miqësi, sikurse ajo e shkollës, është rastësore. Por, nëse në klasë nuk na pëlqen një shok, mundemi thjesht ta injorojmë dhe të vazhdojmë të ndjekim mësimin, në punë je i detyruar të bashkëpunosh, dhe s’mund të bësh tjetër veçse të shtiresh që çdo gjë është OK, duke vendosur një maskë. Të gjithë e dimë sesi mund të jenë miqësitë nëpër institucione. Aty gjen çdo gjë, përveçse miq… Ose le të tentojmë të përdorim fjalën mik, dhe sërish të ndihemi në faj për përdorimin e kësaj fjale. Të zgjerosh rrethin shoqëror, nuk do të thotë se po bën miq, edhe pse shumë prej nesh quajnë mik një person që e kanë njohur vetëm një herë dhe janë të sigurt që ia mbajnë mend emrin. Miqësia në punë mund të jetë po aq sipërfaqësore, sa edhe miqësia e adoleshentëve, ndaj rekomandohet që në ambientet e punës të bëhen biseda të thjeshta të jetës së përditshme (gatimi, veshjet, arredimi). Është shumë e rëndë- sishme të ruash kufijtë në punë, sepse nuk të ndalon njeri të bësh miq, por është e vështirë të ndalosh së përhapuri thashethemet për gjërat që ke rrëfyer në mirëbesim. Personalisht nuk besoj tek miqësitë e vërteta në punë, për aq kohë sa janë në lojë statusi, pozicioni dhe paga. Miqësia në punë është një mit, e dëshiruar, por jo e arritshme. Kthehet në një ekuacion me shumë ndryshore në momentin kur hyn në lojë paraja dhe pushteti. Sa më shumë kompanitë flasin për miqësi në punë, aq më pak e vërtetë është, sepse nuk mund të ketë miqësi të vërtetë mes jo të barabartëve.
Shoqe të vjetra
E dashur mike… “ke qenë pranë meje që nga viti i dytë i gjimnazit, deri sot. Ti më njeh, m’i di historitë, zhgënjimet, pikat e dobëta, martesën dhe marrëzitë që kam bërë, të cilat nuk ia kam treguar as motrës sime…” Thonë, që miqtë janë mënyra e Zotit për të na kërkuar falje për familjet tona. E njëherë më vjen ndërmend ajo fjala popullore “Motra jemi, shoqe s’jemi”. Ndonjëherë një mik mund të jetë më shumë se motër apo vëlla, sepse nuk mjafton thjesht të të duan; çështja është të të kuptojnë, të të njohin telat, të mos të gjykojnë. Është e rrallë të gjesh një sintoni të tillë, një linjë të njëjtë kuptueshmë- rie dhe shikimi në të njëjtin drejtim. Është e rrallë të gjesh një mik para të cilit mund të mendosh me zë të lartë, para të cilit mund t’ia lejosh vetes të jesh edhe qesharak, sepse është e sigurt që të njeh dhe të kupton. Pikërisht sepse është e rrallë, ne rrezikojmë të mbytemi në mendimet tona, duke mbajtur shumë gjëra brenda nesh, pikërisht sepse nuk kemi me kë të flasim… sepse në mijëra modele miqësish, me askënd nuk kemi sigurinë se nuk do të na gjykojë apo më keq, të paragjykojë. Si përfundim, qëndrojmë vetëm me problemet tona dhe në kohën me të ashtuquajturit miq, konsumojmë vetëm thashetheme dhe limonada. Kurse për problemet tona të vërteta shkojmë te psikologu. Shkojmë jo sepse besojmë se psikologu do të na e zgjidhë, por sepse të paktën psikologu do të respektojë etikën profesionale dhe nuk do të na nxjerrë sekretet. Ato sekrete, që përbëjnë thashethemet tona të parapëlqyera, janë “ushqimi” i ditës së bashku me gazetat. Miqësia e pastër, ashtu si pavdekshmëria e shpirtit, është shumë e bukur për t’u besuar se ekziston, prandaj deri atëherë le të pimë bashkë, të shtyjmë kohën pa u thelluar dhe të zgjerojmë miqësitë në rrjetet sociale.
Familja më merr kohën e miqësisë
E dashur mike, më fal… “sepse që kur jam martuar, koha nuk më del për asgjë. Fëmija im është një uragan dhe nuk e di si po ia dal. Më mungon ti, takimet tona, dirty martini dhe margaritat” Pas martesës, femrave u limitohet jashtë mase koha. Ajo çfarë humbasin në këtë rast janë momentet e bukura dhe të shpenguara me shoqet e vjetra. Kjo, jo sepse në këto takime pritet të ndodhë kushedi çfarë ngjarjeje, por sepse janë si një kthim pas te rrënjët, te vetja e para disa viteve. Daljet me shoqet edhe pas martese janë si një ilaç që duhet marrë herë pas here, janë takime të mirëpritura për të diskutuar ç’kemi qenë dhe ç’jemi bërë. Në këto raste, matësit e miqësisë konsistojnë jo në numrin e gjërave që mund të diskutosh, por në numrin e gjërave që nuk duhen përmendur më. Një mike të njeh mirë, dhimbjet e tua, pikat e dobëta, ato që ke dashur dhe që s’i ke bërë dot. Por, miqësia e kohëve të sotme nuk lë hapësirë për idealizma të tilla, ajo tenton të jetë tepër praktike. Ne rrimë me miq rastësor dhe që na shkojnë për shtat, rrimë me gratë e shefave, rrimë me shoqet e pasura, rrimë me atë që ka makinën më të mirë, atë që ka punën më të mirë, me atë që vishet më mirë… si përfundim, ajo çfarë shkëmbejmë me ta është thjesht “maska jonë e radhës”. Jeta është si bregu i detit. Përgjatë saj ne shohim po aq fytyra sa çka gurë bregu, e ndërsa shëtisim aty, tentojmë të mbledhim gurët më interesantë… Sepse të grumbullosh miq nuk është një ritual i thjeshtë mbledhjeje gurësh, por seleksionim i tyre.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.