Pse Elton John e përcaktoi Lady D-në “Trëndafilin e Anglisë” kur shkroi këngën e famshme “The England’s Rose”? Ndoshta ngaqë ishte e bukur, apo sepse trëndafili ka një domethënie të thellë kulti? Për njerëzit në mbarë botën, Diana nuk ishte thjesht një princeshë, por ajo përfaqësonte feminizmin e shenjtë. Nga mediat e ndryshme, princesha e Uellsit është konsideruar shpesh jo vetëm si “princesha e popullit”, por si një grua e dashur, e sjellshme, e bukur, duke i veshur kështu personalitetit të saj të gjitha karakteristikat e një subjekti idhull. Dhe në fakt ashtu ishte! Diku, për Lady D është shkruar: “Diana ishte e bukur, me një portret të freskët e me tipare tipike angleze. Me sy të mëdhenj blu, që rrëmbyen zemrat e meshkujve dhe femrave dhe me një shprehje fytyre krejtësisht të pafajshme. Sytë e Lady D, ashtu si ato të Marilyn Monroe-s, përmbanin një thirrje që nuk i drejtoheshin një personi të vetëm, por gjithë botës. Shpesh, fytyra e saj dukej sikur qante, e ngjashme me portretin e Shën Mërisë”. Media ka luajtur një rol kyç në krijimin e ikonës së Lady D-së, duke dokumentuar detaje nga martesa e saj përrallore, të marrëdhënies së trazuar me Çarlsin, të aktiviteteve të saj humanitare dhe së fundi për vdekjen e saj të mbetur mister… Në përvjetorin e 15-të të largimit të saj nga jeta, turistë, dashamirës dhe adhurues të shumtë injoruan trafikun e qytetit të zhurmshëm të Parisit për të lënë buqeta lulesh e shënime të panumërta në memorialin informal pranë vendit ku Lady Diana humbi jetën në aksidentin tragjik. Ajo ishte dhe do të mbetet një nga ikonat e shekullit XX, e cila ka luajtur një rol të rëndësishëm në përcaktimin e një brezi për familjen mbretërore britanike. Edhe pse është e vështirë të shuhet jehona e 15 viteve më parë, pallati mbretëror, sot shtëpia e dukeshës së Kembrixhit, në përvjetorin e 31 gushtit të këtij viti ishte më i qetë dhe më ëndërrimtar se kurrë. Jo më ceremoni zyrtare të planifikuara për të kujtuar ditën e ndarjes nga jeta të Lady D. Dhe ajo që kuriozoi më shumë dashamirësit dhe njerëzit në mbarë botën ishte fakti që William dhe Harry priteshin ta kalonin ditën për përvjetorin e nënës së tyre larg vëmendjes së publikut. Teksa William kujton humbjen e nënës së tij të dashur, bashkë me dukeshën e Kembrixhit po përgatiten që muajin e ardhshëm të nisen në një udhëtim në Singapor, ku ata do të shohin për herë të parë një lule orkide të mbjellë për nder të Lady D. Lulja përkujtimore, e cila rritet në një nga kopshtet më të njohura botanike të Singaporit, u emërua në shtator të vitit 1997 për nder të Lady Diana-s, një muaj pas vdekjes së saj. Plani i vizitës së William dhe Kate është që edhe ata të dy të kenë “orkidenë” e tyre, e cila do t’i bashkohet lules së princeshës Diana në zonën VIP të kopshtit. Që nga koha që Diana nuk jeton më, të dy djemtë kanë rrëfyer se si nëna e tyre shërbeu si një udhëzuese për t’u bërë meshkujt që janë sot.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.