Aktualitet

May 22, 2025 | 12:03

Lamtumirë Artan Lame!

 

Artan Lame u nis për në amshim. Një ikje e beftë, që na gjeti të papërgatitur. Pavarësisht përpjekjeve të mundimshme, zemra e tij e brishtë pushoi së rrahuri. Ishte një tjetër betejë për t’i dhënë jetë muskulit të lodhur, por fati kishte paracaktuar një rrjedhë tjetër. Intelektuali Artan Lame ndërroi jetë papritur në Gjermani, pas një ndërhyrjeje të vështirë në zemër.

Ishte marsi i vitit 2016 kur u përball për herë të parë me sfidat e shëndetit të zemrës. E kaloi me sukses një ndërhyrje të rrezikshme, duke e konsideruar atë një betejë të fituar me jetën. Një vit më vonë, në një reflektim të thellë, ai shkroi disa rreshta prekës, të cilët sot marrin një kuptim edhe më të veçantë. Po i sjellim sërish në kujtesë:

artan-lame

“KTHIM

Miq,

Sot mbush vitin që prej ditës kur vendosa të qëndroj ende këtu, në këtë pjesëz tokësore të Pafundësisë. Në këto 365 ditë, ende s’i kam dhënë dot përgjigje pyetjes në dukje shumë të thjeshtë: I kujt qe vullneti që të kthehesha sërish?

Ndoshta Universi është organizuar në një të atillë mënyrë, që ca pyetjeve të mos mundemi kurrë t’u japim udhë. Dhe përmes këtij mundimi drejt njohjes, kalon edhe e gjithë përpjekja për të mirën.

Shumë nga gjërat që premtova t’i bëj që atëherë, ndoshta nuk i kam bërë, paçka se e kisha shpirtin të zhveshur në eter. Por zemra e mishtë që përleshej mes bisturish të çelikta, më bën sot t’ju kujtoj të gjithëve se sa i hollë është tehu që ndan atë se ku do jemi, këtej apo andej. Është aq i hollë, sa nuk ja vlen ta mprehim edhe më tej atë me pakujdesitë tona të zhurmës së përditshme.

I thashë, më tha, s’i flas, do t’i bëj këtë, i keqi, do ta zhduk, ja ngeca, do ta marr, se jap, t’ia marrim, ta prishim, s’dua, se bëj, s’ma bën, e plot e plot të tjera ankthe, me të cepat e thepët të të cilëve gërricim ditët tona. Jua thotë këtë dikush që e pa atë teh, e jo veç e pa, por edhe e ndjeu në mish të vet.

Ky vit që shkoi, më ka bindur edhe më tej në dobinë e dhënies. Universi është shumë i pafund për të patur kohë ta marrim të gjithin brenda vetes, edhe në qofshim aq të pangopur. Ndaj e vetmja mënyrë për të marrë diçka më shumë, është të japim. E kam thënë, s’ka rëndësi çfarë: panem, amor, vitam…

Dhe se fundi, sa herë bëni diçka, bëjeni me shpirt dhe ndjejeni deri në shpirt, sepse çdo herë mund të jetë e fundit.

A.”

 

Artan Lame ka qenë një figurë e rëndësishme e shtetit shqiptar, duke mbajtur pozita të larta si zëvendësministër dhe drejtor i Agjencisë së Kadastrës dhe Legalizimeve. Por pasioni i tij i veçantë ishte historia. Ai renditet ndër koleksionistët më të mirë në vend, një njohës dhe ruajtës i kujtesës kombëtare.

Ndarja e tij nga jeta, në moshën e re 58-vjeçare, është një humbje e madhe për familjen, miqtë dhe mbarë shoqërinë shqiptare.

I lindur në Tiranë më 1967, me origjinë nga fshati Qytezë i Kolonjës, Artan Lame la gjurmë të thella në jetën publike dhe civile. Ai kontribuoi me përkushtim në zhvillimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë, duke u shquar si një njeri me kulturë të gjerë dhe shpirt të madh.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top