Në fokus

December 26, 2015 | 8:43

Ledia Sulaj: Shoqëria ka nevojë të edukohet përmes artit

Nëse ka tri gjëra me të cilat i duhet të karakterizojë qenien e saj, ajo thotë se është sa sfiduese e autokritike ndaj vetes dhe po aq me personalitet të fortë. Nuk ka dyshim që është e tillë. Përndryshe Ledia Sulaj nuk do të ishte një balerinë klasi në skenën e Teatrit. Dhe e gjitha kjo nuk është një dhuratë të cilën e mori ditën e parë të shkollës, por shpërblimi i një pune të mundimshme kur rregullat e pamëshirshme të lojës i kishin vënë përballë vetes miqtë dhe rivalët njëkohësisht. E gjithsesi, në këtë lojë të egër partnerësh e kolegësh egoistë, me stërkëmbësha “pa dashje” dhe xhelozi të padenja, ajo ka ditur që përveç balerinës së talentuar nga jashtë, të ruaj brenda vetes njeriun. Ndërkohë, asgjë nga ajo që cilësohet me një patetizëm spontan si “luftë për ekzistencë” nuk e ka dëmtuar një grimë, veç e ka bërë më të denjë për veten dhe njerëzit rreth saj. E në këtë rrugëtim plot sprova të papritura, ku duhet të ngrihesh sa herë që të tjerët të rrëzojnë plot nerv, ajo i është mirënjohëse vetëm një njeriu, që gjithashtu është rrëzuar e ngritur bashkë me të duke i dhënë kurajën e kërkuar, nënës së saj.

Sa i shëndetshëm ka qenë për ju rrugëtimi përmes të cilit keni krijuar njohje të reja përgjatë cikleve të ndryshme të jetës?

Padyshim që rruga ime ka pasur tepër sakrifica, por për një gjë jam krenare, që rrugëtimin përmes të cilit kam kaluar, më ka bërë më të fortë. Duke filluar nga hapat e para të jetës, jam njohur me fëmijë të ndryshëm, të cilët i kisha miq dhe njëkohësisht “rivalë”. Sot mund të them me plot gojë që janë gjëja më e shëndetshme e miqësisë time. Në etapën e dytë, që është ajo e baletit, mund të them që fëmijëria ime nuk ka qenë si e gjithë të tjerëve. Në vend të pushimeve dhe lojërave, unë punoja dhe bëja stërvitje pafund. Gjëja më pozitive ishte se njoha shokë dhe shoqe prej 8 vitesh, miq të vërtetë sot e kësaj dite. Më pas dalja në botën reale ishte kur fillova punë në TKOB, ku ndryshoi çdo gjë. Përshtatja me brezat ishte ndryshe, rregullat e lojës ishin ndryshe dhe fillova të mësoja dhe unë si të “luaja”.

Cili ka qenë modeli ku ju keni përftuar më shumë në jetë dhe që i jeni mirënjohës për atë që jeni sot?

Modeli frymëzues dhe mirënjohja i shkon vetëm nënës time. Një grua e fortë, ku me shumë sakrifica më ka shoqëruar që në hapat e para të jetës dhe karrierës time. Vazhdon ende më ndjek, madje më shumë më kritikon. Kjo gjë më pëlqen më shumë prej të gjithave. Prej saj kam përfituar shumë sepse gjithmonë më thoshte: Nëse do të jesh Prima, duhet të kërkosh gjithnjë nga vetja. Miqësitë e reja që më kanë lidhur me projektet artistike kanë qenë të shumta. Çdo fushë e artit ka lidhje me njëra-tjetrën si p.sh: bashkëpunimi me shkollën “Scarpette Rosa” në Itali, me koreografë të ndryshëm që kanë ardhur në TKOB si dhe bashkëpunime të frytshme kanë qenë me këngëtarët e operës të teatrit tonë. Nuk ka më bukur teksa “jep e merr”.

Sa e vështirë është në kohët e sotme të krijosh miqësi të reja, të marrësh mendimin e tyre?

Në kohët e sotme është tepër e vështirë për të krijuar miqësi të reja, sidomos në fushën e artit. Kjo ndodh nga xhelozia e madhe dhe egoja brenda llojit. Nuk do të doja ta quaja “luftë për ekzistencë” apo diferencë vitesh mes llojit sepse do të ishte e shëmtuar. Në radhë të parë duhet të jemi njerëz me zemër të madhe, më pas balerinë apo artistë.

Jo vetëm të mirat, por edhe gabimet janë pjesë e këtij zinxhiri jetësor shoqëror. Keni mësuar ju nga gabimet?

Sigurisht që jeta të përplas midis të mirave dhe të këqijave, por njeriu duhet t’i provojë të dyja që të arrijë në botën reale. Ky është dhe ligji i natyrës. Besimi i tepërt dhe modestia e tepruar shpesh merret për dobësi, kur dhe përfitohet prej saj. Gjithsesi mendoj që deri tani gabime nuk kam pasur, sepse kam qenë shumë e rregullt dhe e vetëdijshme për çdo gjë që kam bërë.

Natyrë objektive me veten, mendjehapur, elastike? Si do ta karakterizoje veten?

Veten e karakterizoj: Autokritike, sfiduese dhe me personalitet të fortë.

Të mësosh nga të tjerët sa e mundshme është?

Të mësosh nga të tjerët është gjëja më e mirë që mund të të ndodhë gjatë jetës. Nëse ne duam që të rritemi në vetvete, duhet të mësojmë që nga një fëmijë i vogël, deri te plaku më i moçëm. Në profesionin tonë, të mësosh është “kryefjala”. Ne jemi gjithmonë në evoluim të trupit nëpërmjet stileve dhe zhanreve të ndryshëm që ka arti koreografik.

Si mund të japim më të mirën për shoqërinë marr parasysh zhvillimin e shoqërisë së sotme?

Shoqërinë e ditëve të sotme mund ta edukojmë përmes artit, duke dhënë mesazhe të ndryshme nëpërmjet shfaqjeve tona. Kjo frymë duhet të futet që në gjenezë, në shkollat fillore e deri tek të rriturit e të gjitha moshave. Në vend që të rrinë në kafe apo në rrjetet sociale, sikur një orë në javë minimumi t’ia dedikojnë teatrit do të ishte gjëja më e mirë për të gjithë shoqërinë.

Ledia Sulaj balerinë TKOB, botuar në revistën “Psikologjia”, nr.101

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top