Sipas një studimi lekët mund ta blejnë lumturinë, ama sekreti është t’i shpenzoni për të mira dhe shërbime që kënaqin nevojat, të cilat diktohen nga personaliteti ynë…
Ka nga që thonë se lekët nuk mund ta blejnë lumturinë dhe studimet e bëra deri tani mbi këtë temë duket se e konfirmojnë këtë teori. Por, një studim i botuar së fundmi në “Psychological Science” nga një grup studiuesish të “Cambridge Judge Business School” dhe nga Departamenti i Psikologjisë në Universitetin e Cambridge-s në Mbretërinë e Bashkuar ka nxjerrë në dritë një tjetër aspekt mbi këtë çështje. Studiuesit kanë arritur në përfundimin se duke shpenzuar për të blerë produkte apo shërbime që kanë lidhje me personalitetin tuaj, rritet niveli i kënaqësisë për jetën dhe kjo gjë mund t’ju bëjë më të lumtur.
Si fillim, studimi ka parashikuar klasifikimin e personalitetit të 625 pjesëmarrësve në bazë të karakteristikave të ashtuquajtura në psikologji “Big Five”: të qenit estrovertë, miqësorë, të ndërgjegjshëm, me qëndrueshmëri emotive dhe mendjehapur. Falë bashkëpunimit me një bankë shumëkombëshe me seli në Mbretërinë e Bashkuar, studiuesit kanë mundur të kryqëzojnë të dhënat mbi personalitetin me më shumë se 77 mijë transaksioneve bankare që u bënë nga pjesëmarrësit e këtij studimi.
Përveçse nxorën në pah një tendencë më e madhe për të shpenzuar më shumë lekë për të blerë produkte dhe shërbime që lidhen me personalitetin e tyre (në rastin e një personi estrovert, për shembull, një darkë në pub) studiuesit gjithashtu vëzhguan një lidhje mes blerjeve në bazë të personalitetit dhe kënaqësisë më të madhe për jetën e tyre.
Konfirmimi i kësaj lidhjeje u vërtetua nga një eksperiment i dytë, ku pjesëmarrësit morën kupona për të bërë blerje në një librari apo lokal. Njerëzit estrovertë që mundën t’i përdornin kuponat e tyre në një lokal, rezultuan më të lumtur, krahasuar me introvertët që u detyruan t’i shpenzonin në të njëjtën mënyrë kuponat e tyre. Nga ana tjetër, estrovertët e detyruar t’i përdornin kuponat në librari, nuk ishin edhe aq të lumtur se sa introvertët që i përdorën kuponat për të blerë libra.
Ndoshta edhe më interesant është fakti që studiuesit zbuluan se përdorimi i lekëve për blerje sipas personalitetit të tyre, rrit kënaqësinë personale më tepër se sa të fitosh shumë apo të shpenzosh shumë. Me pak fjalë, paratë mund të na bëjnë me të vërtetë të lumtur, por vetëm nëse shpenzohen për të kënaqur nevojat personale psikologjike.
“Rezultatet tona – nënvizon Sandra Matz, udhëheqëse e studimit – sugjerojnë se shpenzimi i lekëve për produkte që na ndihmojnë të shprehemi se cilët jemi si individë, mund të jetë shumë e rëndësishme për mirëqenien tonë, po aq sa të gjejmë punën e duhur, shtëpinë e duhur apo miqtë dhe partnerin e duhur”.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.