Karota u kultivua për herë të parë në Afganistan dhe ishte e njohur që në lashtësi. Mjeku i lashtësisë, Hipokrati, e përdorte atë si tonifikues për stomakun dhe sistemin tretës. Gjatë viteve ’60, disa shkencëtarë rusë zbuluan te karota një substancë të quajtur Daucarine, e cila kishte aftësinë të zgjeronte enët e gjakut, sidomos në zonën e kokës, duke ndihmuar kështu në evitimin e episodeve kardiake.
Në Rusi akoma edhe sot mjekët u këshillojnë pacientëve lëng karote me mjaltë për të luftuar kollën dhe të ftohtin. Karota është mjaft e pasur me vitamina A, B dhe C, si dhe minerale mjaft të çmuara për organizmin. Ajo përmban një substancë të quajtur b-karoten, e cila përmirëson shikimin. Konsumimi i shpeshtë i karotave është i nevojshëm, sidomos për ata persona që vuajnë nga lodhja, dobësia dhe stresi.
Karota ndihmon gjithashtu në rritjen dhe zhvillimin e energjisë e vitalitetit të adoleshentëve. Hekuri që ajo përmban rrit nivelet e hemoglobinës në gjak, duke luftuar aneminë. Kërkimet e fundit kanë provuar se substanca b-karoten mund të ndërpresë veprimtarinë e tumoreve, sidomos të mushkërive dhe pankreasit. Dieta me supë karotash është mjaft e mirë për pastrimin e mëlçisë.
Vetitë kuruese të karotës:
– Karota hap oreksin dhe rrit sekretimin e lëngjeve gastrike. Është një terapi mjaft e mirë kundër kolitit, irritimeve të zorrëve dhe ulçerave të stomakut.
– Aftësitë diuretike të karotës mbrojnë fshikëzën e urinës nga infeksionet.
– Karota ka aftësi dizintoksikuese, të cilat ndihmojnë personat që vuajnë nga aknet në fytyrë dhe ekzemat.
– Një veti e mrekullueshme e lëngut të karotës është se ndihmon në jashtëqitjen e sekrecioneve të mushkërive (gëlbazave), duke lehtësuar organizmin në raste bronkitesh apo gripi.
– Një gotë lëng karotash gjysmë ore para mëngjesit, ndihmon organizmin e fëmijëve që vuajnë nga parazitët e zorrëve.
– 1-2 karota në ditë ul kolesterolin e gjakut me 10%, duke ndihmuar në mbrojtjen e organizmit nga tensioni dhe sëmundjet kardiovaskulare.
– Karota ka edhe një tjetër të mirë, pasi i fal shëndet dhe gjallëri lëkurës.
Burimi / gsh.al
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.