Marrëdhënie

April 29, 2016 | 6:40

Leonard Beqiri:Familja është gjithçka

Nga të gjitha ato njohje që unë kam pasur jashtë, edhe prezenca ime në politikën e huaj, PSD gjermane apo marrëdhëniet me personalitetet e Qeverisë gjermane, kam kërkuar të marr më të mirën e mundshme në interes të vendit tim. Politika ta jep këtë mundësi…

Nuk është fort e lehtë të trokasësh në dyert e një ministrie. Duhet të përballesh me një barrierë sigurie, ekrane që të vëzhgojnë nëpërmjet kamerave të sigurisë, civilë e njerëz me uniformë që nuk t’i heqin sytë asnjë çast, një metal detektor që provon se në çantën e dorës nuk ka asgjë metalike të rrezikshmërisë së lartë. Dhe si ke kaluar të gjitha këto janë sekretaret elegante që të tregojnë ‘sinorët’ e rëndësisë së vetë institucionit. Në tetë apo dhjetë godina në qendër të kryeqytetit, shteti është shtet, dhe jo shaka. Por në rastin konkret flas për ministrinë e ekonomisë dhe energjetikës, dikaster i cili është fare pranë jetës sociale të vendit, aty ku problemet e njerëzve janë dhe pjesë e shqetësimeve të përditshme të zyrtarëve të shtetit. Takim i rezervuar me zëvendësministrin e ekonomisë, Leonard Beqirin, ishte shënuar në axhendën e murit dhe padyshim në kalendarin portativ mbi skrivani. Kështu që nuk ishte e vështirë të kapërceje ‘pengesat’ falë komunikimit me personelin, dhe se në fund të fundit, në çantën time, detektori përgjegjës nuk mund të zbulonte veç diktofonit, stilolapsave e bllokut të shënimeve dhe një… të kuqi buzësh. Në katin e dytë të godinës të strukturuar nga arkitektë italianë, pas njërës prej dyerve të rikonstruktuara sipas modelit shqiptar, zëvendësministri më priste për të realizuar intervistën. Tek vendosem në poltronin përballë tavolinës së tij të punës, pamja e përgjithshme më krijoi një imazh të cilin e kisha perceptuar krejt tjetër gjë. Një dhomë pune e thjeshtë, mbi tavolinë vetëm kompjuteri, dy karrige ku mund të ulej gjithkush kish lënë takim me zyrtarin e lartë për motive pune, një mobilie ku ruheshin shkresurinat dhe ajo që zë vend në çdo zyrë shteti, një fotografi e madhe e presidentit të republikës mbi krye. Leonard Beqiri është i ri në këtë detyrë. Por dhe emërimin në postin e lartë ai e quan një rastësi. Prej dimrit të 2009 gëzon portofolin e zëvendësministrit të ekonomisë, prej të cilit i është dashur të përballet me shqetësime nga më të ndryshme të komunitetit që përfaqëson por dhe të bëhet promotor i një sërë investimesh serioze duke sjellë kompani të fuqishme në Shqipëri. U është gjendur pranë njerëzve që kanë trokitur në zyrën e tij, duke ndarë përvojën e përftuar perëndimore në ofrimin e zgjidhjeve. Në emër të një force politike që ai përkrah, Leonard Beqiri ka pranuar të japë kontribut jo vetëm si një lider i suksesshëm por edhe si menaxher i klasit të parë me eksperiencë të gjatë në Gjermani.

FILLIMET NË POLITIKË

Takimi me politikën ishte një takim me rastësinë. Kështu e cilëson zëvendësministri i ekonomisë Leonard Beqiri, përfshirjen në një rrugë e cila brenda pak vitesh do t’i jepte mundësinë të shfaqte kontributin e tij në funksion të shtetit të tij. As nuk kishte ndërmend të rikthehej pas duke menduar investimin dhe jetën komode që i jepte Gjermania. Por një fjalë, e lindur nga një miqësi e rastësishme me ish-zv/ kryeministrin Ilir Meta, do të bënte që mendimi i tij të ndryshonte. “Një nga klientët e mi në lokalin që menaxhoja, në vitin 2002, ishte konsull nderi për Liberinë. Ai vepronte me shtete që i jepnin mundësinë për të operuar në fushën e thithjes së investitorëve. E pyes se përse nuk e bënte këtë gjë me Shqipërinë, dhe ai më tregon se duhej mbështetje politike që të arrihej kjo gjë. I premtoj dhe përmes një mikut tim realizoj një takim në Tiranë me ish-zëvendëskryeministrin. Pa shumë burokracira firmosëm një investim në interes të vendit. Në korrik të ’03 më bie zilja e telefonit dhe më merr Ilir Meta. Më kërkoi të vija në Tiranë. Ishte koha kur ai ishte shkëputur nga Partia Socialiste e kishte krijuar forcën e tij politike. Më kërkoi nëse mund të organizonim një takim me emigrantët në Gjermani. Arrij t’ia plotësoj këtë kërkesë miqësore dhe më 23 tetor të 2003 u mblodhëm të paktën 1500 vetë, mes tyre dhe shqiptarë të Kosovës. Për pritjen na u desh të merrnin masa sigurie për shkak të grumbullimit të madh të njerëzve. Ilirit nuk iu besua, kur hyri brenda iu mbushën sytë me lot dhe më falënderoi. Pas kësaj organizuam këshillin koordinator për LSI në diasporë. Këtë herë Ilir Meta më kërkoi të isha kryetar. Nuk isha marrë me politikë deri në atë kohë kështu që m’u desh ta pranoja detyrën veç për sedër. Pastaj krijuam organizata në vende të tjera. Kemi bërë takime me personalitete të së majtës evropiane. Në vitin 2005 pranohem anëtar i Partisë Social Demokrate gjermane dhe një vit më vonë u propozova për kryesinë e qytetit ku jam me të drejta të plota”.

FAMILJA

Kur vjen puna tek familja, Leonardit i duhet të zhvishet nga kostumi zyrtar. E vendos atë në kremastar dhe ndërron rolin duke u bërë babai shembullor dhe partneri ideal për bashkëshorten e tij. Jo në pak situata ai lë mënjanë etiketat protokollare duke u ulur këmbëkryq apo të hidhet në sulm për të luajtur shpenguar me dy krijesat e tij. Mezi e pret në fakt këtë hapësirë të ditës, pasi rreket të dëgjojë fjalët e reja të mësuara nga djali dhe vajza që presin ta bëjnë për vete babin e tyre. Për Leonard Beqirin, Alvi dhe Renola janë mrekullia më e veçantë që i sjellin paqe shpirtit të tij sa herë janë bashkë. Ndërsa si bashkëshort ai rrëfen se ndihet me fat për Blerinën me të cilën i është dashur të ndajë jo vetëm formimin profesional por dhe ndjenjën.

INTERVISTA

Çfarë është për ju familja?

Është gjithçka. Eshtë një mrekulli që mbi të gjitha duhet të dish ta ruash, një pasuri që nuk humbet kurrë. Njeriu pa familje nuk mund të paragjykojë atë që nuk e ka pasur kurrë. Do t’ia rekomandoja gjithkujt që familja është e rëndësishme sidomos me baza të fuqishme. Familja e ka një qëllim, di se për çfarë po punon. Është pasuria më e mirë.

Midis karrierës dhe familjes kë do rendisje të parën?

Nuk do t’i rendisja kurrë. E rëndësishme është që të jesh dikush, të marrësh përgjegjësi për këtë familje, t’i sigurosh të ardhura, t’i plotësosh kushte si prind ndaj fëmijëve. Ata duhet të kenë të ardhme. Karriera nuk është gjithçka. Është një qëllim në vetvete për të ecur përpara në kualifikim profesional apo njerëzor. Në mënyrë kategorike nuk shkojnë, familja do një përkushtim ndërsa karriera përkushtim për një interes tjetër, për të qenë dikush në shërbim të dikujt.

Po si bashkëshort, si jeni?

Këtë do të doja të përgjigjej zonja… Mezi pres të shkoj në shtëpi të luaj me fëmijët.

Po si baba?

Është një fazë shumë e mirë. Kur djali do të thotë diçka, je i detyruar ta ndjekësh. Po filloi të flasë të tërheq vëmendjen ta shohësh në sy. Në anën tjetër kur më përqafon djali, vajza bëhet xheloze.

Luani me fëmijët në shtëpi?

Luaj aty dhe kudo. E jetoj botën e tyre, u përkushtohem…

Jua shprehin fëmijët mungesën?

E ka shprehur me mënyrën e vet djali. Dëgjon zhurmën e makinës, sheh që unë hyj e bën 20 metra vrap. Nuk ka qejf kur bisedoj me zonjën, nuk ka dëshirë ta ngre zërin për problemet e shtëpisë. Ndërsa vajza është shumë xheloze kërkon vetëm atë të përkëdhelësh. Sidomos të ëmën e do për vete. Kur afrohet djali e shtyn. Janë të dy shumë energjikë e të lezetshëm.

Thonë se gruaja do pushtetin në familje, jashtë ia lë burrit. Rasti juaj?

Gruaja ka pushtet amvisën, pastërtinë, rregullin, është e përkushtuar dhe e saktë. Kemi pushtet të përbashkët. Jemi të kënaqur nga kjo.

Po “ministri i financave” në familjen tuaj cili është?

Jam shumë i sigurt në duart e gruas dhe e bën shumë mirë këtë.

Kush vendos për arredimin, detajet, blerjet?

Shoqja ime është shumë e saktë në këtë drejtim. Në kaq kohë që jemi bashkë mendohet shumë. Kjo më ka bindur dhe nuk jam shumë pjesëmarrës.

Çfarë ka ndodhur me ju kur u bëtë baba për herë të parë?

Qe mrekulli. Je i vetëm në këtë botë me diçka tënden dhe është e pabesueshme ajo që ke përpara, dy duar e dy këmbë. Djali ka lindur shtatë muajsh dhe ka qenë në inkubator për 40 ditë. Kam provuar një ndjesi të brendshme. Atë kënaqësi do të kisha dëshirë edhe për gjëra të tjera por është e pamundur ashtu siç ndodh me fëmijën.

Keni trashëguar nga ati juaj tiparet që ju karakterizojnë?

Prindi është gjithçka. Ne kërkojmë te fëmijët jo vetëm shkollën por që dhe ambienti, shoqëria, komuniteti të luajnë rolin e duhur, atë pjesë të formimit të përgjithshëm, por mbi të gjitha është familja, janë prindërit. Unë nuk mund ta harroj këtë. Kam qenë në situata shumë të vështira dhe të dy prindërit e mi punonin, nëna në fabrikën e llambave ndërsa babai shef i transportit në Parkun e Mallrave. Sidoqoftë rrogat kanë qenë të ngushta për t’iu përgjigjur një jetese të sigurt. Unë nuk mund ta harroj sakrificën e tyre për të na garantuar kualifikimin. Unë kam dy vëllezër dhe një motër e të gjithë kemi mbaruar studimet shumë mirë.

E keni pasur shok babanë tuaj?

E kam shok dhe këshilltarin më të mirë. Është shumë i saktë. Kur nuk i pëlqen ndonjë gjë, ta thotë. Është i drejtpërdrejtë. Unë jam djali i madh, e jo vetëm kaq por kam dhe shumë detyrime, i do të gjitha nga unë. Ndërsa nëna është amvisë e zonja, me zemër të madhe, gjenerata që vështirë se do të vijnë më. Jam krenar për të dy si prindër. Janë modeli i mirë për mua.

Sa jeni protagonist?

Pa protagonizëm nuk mund të thuash do arrij gjithçka apo do shkoj diku. Mua më intereson të mbaj përgjegjësi të plotë për atë që bëj. Të kem raporte shumë të mira me njerëzit dhe të jem përfaqësues dhe ndihmues i ligjit për ta përshtatur e për t’ju garantuar njerëzve mbrojtje të mirë. Protagonizmi është domosdoshmëri por jo gjithçka.

Komunikimi?

Do ta ndaja në dy lloje, komunikimi njerëzor atë që kam jetuar këtu, dhe komunikimi institucional që kam përjetuar një Gjermani. E para ka të bëjë me edukatën, formimin, kulturën ajo është për të gjithë ndërsa i dyti është më i komplikuar. Ka ndërlikim në vetvete, ka njerëz që vijnë me shqetësime prej shumë kohësh, dikush i grindur, dikush me ankesë, je i detyruar që të komunikosh dhe të bëhesh pjesë e problemit të tij. Është komunikim brenda normave të punës. Unë e kam shumë të lehtë se ajo që kam arritur të mësoj jashtë është që duhet të tregohesh shumë i qetë e i matur, të dëgjosh me qetësi para se të reagosh. Çdo gjë është e përcaktuar.

A keni hobe, pasione?

Pasioni im ka qenë dhe mbetet futbolli. I apasionuar që herët pas figurave legjendare si Perlat Musta etj, më bënë që për këtë shkak të ndiqja dhe Akademinë Ushtarake. Kam luajtur në fillimet e mia me ekipin e të rinjve të Partizanit. Sot i ndjek me po kaq interes aktivitetet në këtë fushë.

Botuar në revistën Psikologji, shtor 2010

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top