Kjo enigmë është vetë gjuha dhe kultura arabe: që nga origjina, traditat, mënyra nomade e jetesës, haremet, simbolika, shkrimi si dhe variantet e shumta të një rrëfimi që në kohë të ndryshme duket i pamundur, duke e bërë në këtë mënyrë edhe më magjepsës. Në këtë rrëfim artistik, romancieri brazilian Alberto Mussa në rolin e një studenti pasuniversitar të letërsisë paraislamike, endet nëpër konferencat arabe dhe labirintet e bibliotekave për të krahasuar atë që është origjinale me atë të trilluar në tekstet e mijëvjeçarit. Dhe të duket sikur udhëhiqesh nga një udhëzues i verbër i mitit të quajtur Jorge Luis Borges. Kjo endje letrare çon në një prozë poetike të një bukurie të rrallë, të shpërndarë nëpër mësimet e të antikitetit e të Lindjes së pafundme. Dhe nuk është vetëm bota e saj e trashëguar malesh legjendare, shkretëtirash me erërat e tyre mizore, beduinësh, poetësh e xhindësh mitikë që na magjeps. Është gjithashtu edhe gjuha arabike që në Enigmën e Qaf-it na shfaqet si një personazh po aq joshës. Ali Baba dhe dyzet hajdutët nuk ishin kriminelë, por filozofë; teorema e Pitagorës për trekëndëshin u frymëzua nga një kryqëzim në Jerusalem dhe demoni më i keq me të cilin u përball Sinbadi nuk ishte mitik, por kanibal. Këto të dhëna jepen për ata të krisur që përpiqen të zgjidhin Enigmën e Qaf-it. Sipas traditës madhështore të këtyre poezive arabe, poeti protagonist i Enigmës së Qaf-it rrëfen kërkimin nëpër shkretëtirat e Arabisë për të gjetur gruan që dashuron, të cilën nuk e ka parë asnjëherë me sy.
28 kapitujt e Enigmës së Qaf-it përkojnë me njëzet e tetë shkronjat e alfabetit arab, duke na udhëhequr në një udhëtim nëpër kohë e kultura të ndryshme si dhe nëpër vetë natyrën e gjuhës, në kërkim të zgjidhjes që garanton triumfin e dashurisë.
Alberto Mussa ka lindur në Brazil në vitin 1961 dhe ka studiuar matematikë përpara se të studionte për gjuhësi në Universitetin e Rio de Janeiro-s. Përveç Tupi-t, gjuhës së fisit vendas brazilian, ka studiuar gjuhë të ndryshme afrikane, ndërmjet tyre edhe Yoruba, gjuhën e komuniteteve afro-braziliane, si dhe arabisht.
I përfundoi studimet në vitin 1991 me një punim mbi historinë e portugalishtes së skllevërve. Pas kësaj, punoi si mësues i klasës së gjashtë dhe si leksikograf. Ka një interes të veçantë në letërsinë arabe.
Titulli: Enigma e Qaf-it
Autor: Alberto Mussa
Gjinia: Roman
Shqipëroi: Eljona Balilaj
Shtëpia botuese: OMBRA GVG
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.