“Para nesh shtrihet shekulli dixhital i njohjes absurde të veprimeve. Vetëm një sy kureshtar që do të bredhë tek imtësia, te cilësia dhe guximi i veprimit do t’i japë një vlerë të vërtetë ekzistencës, shoqërisë, individit”.
Pas botimit të librit “Shigjeta mendimi”, autori Sokol Xhaka vjen me librin “Ndryshe” , ku trajton mendime të ndryshme filozofike (5285 të tilla në 425 faqe). Një libër, që siç thotë autori synon “të dënojë me vdekje kohën e moralit demagogjik të ideve të mykura në gene”.
INTERVISTA për revistën Psikologjia:
– Sokol, çfarë ju shtyu të sillni një botim të këtij zhanri?
Larmia e pafundme estetike e ideve për t’i dhënë botës sa më shumë ngjyra emocionuese në veprim. Diferenca në gjallëri e llojit me larminë e pafundme të formave dhe përmbajtjeve në zhvillim. Më shtyu për të shkruar një shpresë ndryshe e qenies për të dënuar me vdekje kohën e moralit demagogjik të ideve të mykura në gene.
– Si lindi ideja e kësaj përmbledhjeje?
Nga një lojë e thjeshtë me “kubin me ngjyra të rubikut”…nëpër faqet e tij pikturova emocionet, ndjenjat, kureshtjen dhe habitë më filozofike të qenies, të cilat pastaj i shtriva në tre brinjë gjigande të kohës, hapësirës dhe vendit… nga kombinimi harmonik i ideve të ndryshme mes tyre …mendimi sulmoi mendimin me forcën titane të shkakut dhe pasojës, të analizës dhe sintezës… dhe para syve të mi u shfaq një frymëmarrje e pafundme opinionesh kureshtare mbi totalin, mbi gjithësinë…
– Cili është profili juaj akademik?
Profili im akademik është pikturuar nga dora absurde e eksperiencave të kureshtjes. Çdo vlerë pune e shikoja si një mundësi të pafundme imagjinate, si një copë mozaiku të mbushur me simbole të pafundme idesh… qenia sa më shumë përvetëson llojin e eksperiencave të vlerës, aq me shumë e kupton se hapi i hedhur në kohë ndryshe është një pushtim real i infinitit të ideve.
Kam pasur disa dhjetëra profesione… kam mbaruar Politeknikumin “7-Nëntori” për mekanik të përgjithshëm… kam punuar në N.N Miniera, më pas studiova Gjuhë–Letërsi. Kam punuar dy vjet në Pukë për t’u bërë pastaj një nga të shumtët për të ndryshuar diktaturën. Kalova një emigracion tejet të vështirë, ku arrita të punoj dhe si polumbar i rëndë në Selanik….etj…etj. Lloji i ndryshëm i punëve më ofroi vlerën estetike të dyshimeve dhe kureshtjeve mbi jetën.
– Cili është mesazhi më i parë që do e përcillnit si një nevojë për shoqërinë?
Di të them se nëpër hapësira lloji, qenia, duhet të emancipojë vetveten dhe idetë më pikante të kohës së ardhme. Te mënyra se si do ta hedhim hapin, te saktësia e idesë… kjo do të përcaktojë shijen e vërtetë të kuptimeve mbi jetën. Para nesh shtrihet shekulli dixhital i njohjes absurde të veprimeve. Vetëm një sy kureshtar që do të bredhë tek imtësia, te cilësia dhe guximi i veprimit, do t’i japë një vlerë të vërtetë ekzistencës, shoqërisë, individit.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.