Libri të ndriçon mendjen, një udhërrëfyes i shkëlqyer, një mik i pandarë për gjithçka rrethon e përfaqëson jetën. Një nismë për t’u vlerësuar është edhe hapi që Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj ka ndërrmarë së fundi. “Do të rihapim të gjitha bibliotekat e lagjeve. Libri ndryshon jetën”. Ky ishte mesazhi i Veliaj në nxitje të leximit të librit dhe kulturës që ai përçon. Kreu i Bashkisë një ditë pas Ditës Ndërkombëtare të Librit, ka përuruar ambientet e reja të Bibliotekës në Kombinat, e cila ofron kushte dhe një fond të gjerë librash të dhuruara kryesisht nga mësuesit, komuniteti dhe shtëpitë botuese. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se: “Bashkia synon të ringrejë të gjitha bibliotekat e lagjeve, për të krijuar një mundësi më shumë për të rinjtë e apasionuar pas librit. Në komunitetet tona duhet të jenë gjithnjë më të rëndësishëm të rinjtë dhe të rejat e talentuara, jeta e të cilëve ndryshon nëpërmjet librave. E duke ndryshuar jetën e tyre, këta të rinj ndryshojnë edhe jetën e komunitetit ku jetojnë”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj. Më tej, ai tha se projekti i kësaj biblioteke shërben edhe si një projekt pilot, për të parë nëse bibliotekat e lagjeve mund të funksionojnë edhe si qendra rinore, por pa humbur funksionin primar, librin.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.