Nga pyetja “Kush janë shqiptarët?”…
I pari që e shtroi si studiues në kohët moderne pyetjen “Kush janë shqiptarët?” është studiuesi suedezo-gjerman Johan Erih Tunman i Universitetit të Halles në librin e tij “Kërkime rreth historisë së popujve të Europës Lindore”, që u botua në 1774. Në këtë libër ai shtron pyetjen:
Cilët janë shqiptarët? Si u formua ky popull? Nga doli gjuha e tyre?
Ky studiues gjenial e shtroi këtë pyetje në një moshë shumë të re, 26 vjeç, një gjë kjo tërësisht e çuditshme për atë kohë. Sepse Tunman shkruante pikërisht në kohën kur Gibbon do të shkruante fjalët e famshme se “Shqipëria është një tokë që mund të shihet nga Italia, por që është më e panjohur se brendësia e kontinentit amerikan.” Dhe vetë Tunman në librin e tij që kam përmendur më lart, shprehej njëlloj si Gibbon, duke thënë: Asnjë popull tjetër i pjesës së botës në të cilën jetojmë nuk është aq i panjohur për ne evropianët e Perëndimit, përsa i përket prejardhjes, historisë dhe gjuhës, sa shqiptarët dhe vllehët. E megjithatë, ata janë popuj kryesorë, popuj të lashtë e të rëndësishëm, që çdo historian do të dëshironte t’i njihte: historia e tyre do të plotësonte zbrazëti të mëdha në historinë e lashtë e të re të Evropës. Por ata sot nuk luajnë më ndonjë rol, ata janë popuj të nënshtruar, ata janë fatkeqë dhe historiani shpesh është i padrejtë sa dhe njeriu i zakonshëm: ai nuk i përfill atë që nuk i ka punuar fati.
Titulli: Kush jemi ne shqiptarët
Autor: Ndriçim Kulla
Gjinia: Vështrim historik, kulturor, sociologjik e psikologjik mbi kombin shqiptar
Shtëpia Botuese: “Plejad”
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.