Ndërsa nuk ka dyshim se gjenetika luan një rol në zhvillimin e sëmundjes së Alzheimerit, disa studime të reja kanë treguar që edhe një dietë e pasur me sheqerna dhe karbohidrate të thjeshta mund të ndikojë në gjasat e kontraktimit të sëmundjes. Ekzistojnë shumë lloje të proteinave që punojnë së bashku për të pastruar trurin nga mbeturinat që përfshijnë qeliza të ngordhura ose të dëmtuara, materiale të huaja dhe akumulimin e beta-amiloidës.
Në disa raste, dieta ndikon në efektivitetin e disa prej këtyre proteinave. Kjo lidhje është bërë e qartë kur studiuesit zbuluan se pacientët me diabet kanë më shumë të ngjarë të zhvillojnë Alzheimer. Edhe Jonathan C.K, Wells, profesor i antropologjisë dhe nutricionizmit në Universitetin UCL në Londër, në librin e tij interesant “Ushqimi, Shëndeti dhe Liria” botuar në Itali nga Aboca, e përkufizon alzheimerin si diabetin tip 3.
Kjo pasi, sipas profesorit, diabeti është i lidhur para së gjithash me përkeqësimin e sistemit kardiovaskular dhe indit të muskujve skeletor, por “edhe truri duket i ndjeshëm ndaj çrregullimeve të metabolizmit”. Hulumtimet e fundit mjekësore e kanë lidhur Alzheimerin me një ndryshim në sinjalizimin e insulinës në tru, duke rezultuar në akumulimin e proteinave. Një studim i botuar në revistën Diabetologia në vitin 2018 ndoqi gjatë një dekade 5,189 njerëz në Britani të Madhe dhe doli në përfundimin se kjo është e vërtetë për të gjithë diabetikët. Njerëzit me diabet tip 2 dhe ata me diabet tip 1 kanë më shumë të ngjarë të preken nga Alzheimer sesa ata që nuk kanë probleme me insulinën.
Gjithashtu sipas këtij studimi humbja e kujtesës do të ndodhte pikërisht për shkak të mungesës së insulinës. Rreth 10% e të gjithë diabetikëve do të preken nga kjo lloj sëmundje, edhe pse vetëm në 2% të rasteve ata do të diagnostikoheshin saktë. Rreth 4.5 milion amerikanë vuajnë nga sëmundja e Alzheimerit dhe kjo shifër mund të trefishohet në më pak se pesëdhjetë vjet, sipas Shoqatës së Alzheimerit. Më shumë se 65% e amerikanëve janë mbipeshë ose obezë dhe Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) vlerësojnë se rreth 54 milion njerëz konsiderohen para-diabetikë.
Para-diabeti dhe diabeti nënkuptojnë sheqer të lartë në gjak, mbipeshë, sëmundje të zemrës dhe sipas këtyre studimeve të reja përfshijnë edhe Alzheimerin. Kjo lidhje nënkupton një rritje të mprehtë të rasteve tw kësaj sëmundje degjenerative, përveç rasteve kur merren menjëherë masa për dietat dhe zakonet e jetesës.
Studime të shumta kanë treguar që njerëzit me diabet tip 2 kanë rreth dyfishin e rrezikut për t’u prekur nga Alzheimer. Hulumtimet nga Instituti Suedez Karolinska kanë zbuluar se njerëzit me diabet kufitar, domethënë ata me sheqer të lartë në gjak, gjithashtu kanë një rrezik 70% më të madh të zhvillimit të sëmundjes Alzheimer. Me sa duket, rreziku i demencës rritet tek njerëzit me sheqer të lartë në gjak.
Hipoteza është se shkaku kryesor është qarkullimi jo adekuat cerebral i shkaktuar nga diabeti. Një studim tetë vjeçar i kryer nga Kaiser Permanente ekzaminoi 22.582 pacientë të moshës 50 vjeç e më shumë me diabet të tipit 2 dhe zbuloi se individët me sheqer të lartë në gjak kishin një rrezik të shtuar të demencës dhe Alzheimerit. Në krahasim me subjektet me nivele normale të hemoglobinës së glikoziluar (HgbA1c më pak se 6), ata që kishin nivele më të mëdha se 12 kishin një mundësi 22% më shumë për të zhvilluar demencë dhe për ata me nivele më të mëdha se 15 shanset ishin 78% më shumë.
Një aspekt tjetër shumë interesant dhe shqetësues në të njëjtën kohë, që profesori Wells citon në librin e tij është ai që ka të bëjë me incidencën e vdekjeve nga diabeti, i cili që nga viti 1990 është rritur me 90%, kundër një rritjeje 25% të atyre nga goditja në tru dhe 35% për shkak të sëmundjeve kardiovaskulare.
Burimi / http://www.affaritaliani.it
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.