Mos jini indiferent ndaj dukurive të tilla, pasi fëmija nuk i di gjërat, ai i mëson nga ju. Fëmija nuk mund të luajë dhe mësojë i vetëm pa praninë e të rriturit. Këto veprime, si prishja e lodrave dhe grisja apo zhubrosja e librave, janë veprime që tregojnë se fëmija ndihet vetëm.
Nga Lira Gjika, pediatre
Ai, fëmija, është i vogël, është i parritur, por ka shumë energji, dhe po nuk u përfshi në aktivitete të ndryshme së bashku me të rriturin, ai ndihet i vetmuar dhe i mërzitur. Vetmia dhe mërzia që fëmija provon, sidomos kur mbetet vetëm me sendet dhe nuk ka njeri pranë që t’i demostrojë se çfarë di të bëjë dhe të mësojë edhe gjëra të reja, ato ndjesi do t’i shkarkojë tek gjërat dhe sendet, që varen nga ai.
Sendet, lodrat dhe sidomos librat, të cilat, ngaqë nuk di çfarë të bëjë me to i prish, i gris apo i zhubros. Ai, fëmija mund ta ketë mësuar, që këtë libër ia lexon mami apo babi dhe ai kënaqet, por kur është vetëm, libri nuk e kënaq. Kështu fëmija e gris ose e zhubros. Nëse prindi nuk tregon kujdes për librat, lodrat dhe sendet e tjera të fëmijës, pra nuk i sistemon, nuk i tregon se duhet ta ruajë që ta përdorin edhe herë të tjera, atëherë ky është dhe modeli që i demostrom fëmijës dhe fëmija do të bëjë të njëjtën gjë, do t’i trajtojë pa kujdes.
Fëmija që gris librin dhe prish lodrat, fëmija që nuk bindet me fjalën por me prekjen e ashpër dhe kërcënimin, nga specialistët e fushës së psihës, cilësohet fëmijë i neglizhuar.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.