“Më iku mendja nga inati dhe nuk dita se çfarë thashë e bëra”, është shprehje të cilën e përdorin njerëz të ndryshëm për të justifikuar veprimet e tyre të dhunshme kundrejt një tjetri, por sidomos me njerëz që i quajnë se i kanë nën vete dhe se ata duhet t’u binden dhe t’i bëjnë gjërat kur thotë i “nxehuri” dhe si thotë i “nxehuri” që po humbet durimin. Këtë shprehje e dëgjon nga burra kur i pushton inati me gratë e tyre e i dhunojnë, e dëgjon nga prindër kur nxehen me fëmijët e tyre e i dhunojnë fizikisht e emocionalisht, e dëgjon nga mësues kur nxehen me nxënësit që nuk u binden apo edukatorët që i ushqejnë me forcë fëmijët sidomos kur refuzojnë ushqimin, madje edhe kur fëmija e vjell ushqimin ato vazhdojnë ta ushqejnë me një lloj inati që të tremb.
Ky inat, që e pushton të rriturin sa humb kontrollin e vetes dhe harron, që është bashkëshort, prind apo mësues dhe edukator, por vetëm dëshiron të mposhtë “viktimën”, tregon që inteligjenca emocionale e këtyre njerëzve lë shumë për të dëshiruar. Këta njerëz janë të paaftë për të menaxhuar veten dhe për pasojë akuzojnë tjetrin që e ka fajin pasi “u soll keq”.
Këta të rritur që harrojnë deri frikën nga ligji tregon më së miri se si njerëzit kur i pushton inati, menjëherë u aktivizohet harresa dhe pësojnë anestezi emocionale ku dhimbsuria bëhet e paaftë të influencojë mbi inatin që i ka pushtuar.
Këta të rriturit kur i pushton inati harrojnë se kush janë dhe kë kanë përballë. Ata i drejton vetëm inati edhe pse mund t’i duan shumë personat që dhunojnë. Ata janë të paaftë të menaxhojnë veten që të mos bien në kthetrat e paaftësisë së tyre për të vepruar nëpërmjet empatisë apo dhimbsurisë.
Këta njerëz nuk arrijnë të qetësojnë veten që të mos dhunojnë njerëzit apo fëmijët që i duan. Kur qetësohen, i pushton ndjenja e fajit, por dëmi është bërë dhe për më tepër, nuk dinë të kërkojnë të falur, pasi mendojnë se nuk ishte faji i tyre.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.