Lisa Marie Presley, këngëtarja dhe fëmija i vetëm i Elvis dhe Priscilla Presley, ka ndërruar jetë në moshën 54-vjeçare, pasi u shtrua papritur në spital të enjten. Nëna e saj, 77-vjeç, konfirmoi vdekjen e Presley-t më vonë të enjten mbrëma.
“Me hidhërim më duhet të ndaj lajmin shkatërrues që vajza ime e bukur Lisa Marie na ka lënë,” tha Priscilla Presley në një deklaratë. “Ajo ishte gruaja më e pasionuar, e fortë dhe e dashur që kam njohur ndonjëherë. Ne kërkojmë privatësi ndërkohë që përpiqemi të përballojmë këtë humbje të thellë. Faleminderit për dashurinë dhe lutjet. Për momentin nuk do të ketë komente të tjera.”
Presley u dërgua në spital nga shtëpia e saj në Calabasas, Kaliforni, pas një arresti kardiak, raportoi fillimisht TMZ.
E lindur në Memphis, Tennessee në vitin 1968, Presley është fëmija i vetëm i Elvis dhe Priscilla Presley. Kur prindërit e saj u divorcuan, Lisa u zhvendos me nënën e saj në Los Angeles. Kur Elvis vdiq në vitin 1977, Lisa, asokohe 9 vjeç, u bë trashëgimtare e përbashkët e pasurisë së tij me gjyshin e saj, Vernon Presley, dhe stërgjyshen e saj, Minnie Mae Hood Presley.
Në vitin 1997, ajo publikoi “Don’t Cry Daddy” si një duet me vokalin e babait të saj, për të shënuar 20-vjetorin e vdekjes së tij. Më vonë ajo ndoqi rrugën e babait të saj në muzikë, duke publikuar tre albume: “To Whom It May Concern” (2003), “Now What” (2005) dhe “Storm & Grace” (2012).
Lisa Presley u martua katër herë. Ajo ishte e martuar me muzikantin Danny Keough midis viteve 1988 dhe 1994, me të cilin pati dy fëmijë: aktoren Riley Keough dhe djalin Benjamin Keough, i cili kreu vetëvrasje vitin 2020, në moshën 27 vjeçare. Keough dhe Presley mbetën miq të ngushtë pas divorcit.
Presley u martua me kitaristin dhe producentin e saj muzikor Michael Lockwood në vitin 2006 dhe ata patën dy vajza, binjaket Harper dhe Finley. Presley bëri kërkesë për divorc pas 10 vitesh martesë.
Gjatë jetës së saj, Presley u tregua e hapur për luftën e saj me varësinë nga opioidet, duke shkruar se ajo u bë e varur pas lindjes së binjakeve në vitin 2008.
Burimi/AnabelMagazine
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.