Në fokus

October 28, 2016 | 8:16

Llojet e inteligjencës

Dr. Howard Gardner, një psikolog dhe profesor i neuroshkencës në Universitetin e Harvardit, zhvilloi teorinë e inteligjencave të shumëfishta (MI) në vitin 1983. Gardner sfidoi teoritë e vjetra dhe të menduarit e shkencës njohëse, që thotë se njerëzit janë të lindur me një aftësi të përgjithshme njohëse që mund të matet me lehtësi nga testet me përgjigjie të shkurtëra. Në të kundërt, Gadner zhvilloi një teori të re në të cilën ka lloje të ndryshme të inteligjencës që reflektojnë mënyra të ndryshme të bashkëveprimit me botën – dhe çdo person ka një përzierje unike të këtyre inteligjencash.

1.Inteligjenca gjuhësore; njeriu lind me aftësinë e përpunimit të tingujve të ndryshëm dhe formimin e fjalëve me anën e të cilave ai e shpreh mendimin e tij së paku në një gjuhë. Gjuha është pasqyra e mendjes thotë Çamski. Kjo aftësi nuk është e rezervuar vetëm për zhvillimin e gjuhës, por kjo ka të bëjë edhe me aftësinë e të shprehurit në matematikë, shkencë, muzikë, art dhe në shumë fusha nga veprimtaria e njeriut. Aftësia e të folurit është ndër veprimtaritë më të larta të trurit të njeriut dhe është e lidhur me zonën e të folurit të hemisferës së majtë dhe pjesës ballore të korteksit. Kjo aftësi e lindur duhet ushqyer dhe kultivuar edhe nga veprimi specifik i mjedisit, i cili e bën që kjo potencë natyrore e trurit të zbërthehet dhe të sendërtohet në një mjet të përkryer të shprehjes së mendimit dhe të komunikimit ndërmjet qenies njerëzore.

2.Inteligjenca muzikore;   po ashtu njeriu lind me aftësi për të dëgjuar tinguj me ngjyrë të ndryshme dhe me aftësinë e përzgjedhjes së tyre drejt krijimit të një vije melodike të caktuar. Fëmija i moshës dy vjeçare është në gjendje që t’i shpikë vet ritmet melodike dhe t’i shpreh në këngë spontane. Të gjithë fëmijët lindin me këtë potencial por nga mosha tre vjeçare ajo fillon rënie. Megjithatë intuita apo inteligjenca muzikore mbetet pjesë e përbërjes së tij mendore gjatë gjithë jetës. Inteligjenca muzikore është rezultat i bashkëveprimit të një talenti natyror dhe nxënies sistematike të koncepteve thelbësore nëpërmjet shenjave dhe vijave të shkrimeve muzikore. Edhe inteligjenca muzikore është e lidhur me qendrat përkatëse të përpunimit të tingujve në hemisferën e majtë të korteksit. Kjo gjithashtu ka lidhje me llojet tjera të inteligjencave dhe njëkohësisht ndikon në zhvillimin e tyre.

3.Inteligjenca logjike – matematikore; përfaqëson aftësinë mendore të individit për identifikimin e gjësendeve të botës reale dhe zbulimin e veçorive dalluese dhe atyre të përbashkëta duke krijuar koncepte reale për llojet e ndryshme të tyre në mendjen e tij. Në këtë fushë kontribut të madh ka dhënë Piazhe, i cili zhvillimin e aftësive logjike të individit e ndanë në disa faza. Sipas tij fillet e para të marrëdhënieve logjike fillojnë që në kohën e foshnjërisë, kur fëmija është në gjendje që të zbulojë ekzistimin e llojeve të ndryshme të objekteve dhe ajo përforcohet në moshën e adoleshencës kur ai është në gjendje që t’i përdorë fjalët dhe simbolet për t’i shprehë marrëdhëniet e tyre në kohë dhe hapësirë. Tani ata mund të zbulojnë marrëdhëniet logjike ndërmjet pohimeve të ndryshme dhe të nxjerrin hipoteza për situata të ndryshme problemore.

Ndërlidhja e logjikës dhe e matematikës është e bazuar në faktin se veprimet me numra apo me shifra si dhe marrëdhënia e tyre qëndron mbi parimet e logjikës. Në matematikë dhe në logjikë procesi dhe rezultati janë të barabarta. Andaj njohja e matematikës nuk është ndonjë problematikë e veçantë ngase shumë probleme matematikore kanë të bëjnë me jetën praktike dhe me kombinimet e ndryshme logjike (algoritme) që të krijohen modele të një numri të pafund rezultatesh. Këto aftësi janë të lidhura me zonën asociative të korteksit dhe që manifestohen me procesin e të menduarit krijues, të menduarit kritik dhe zgjedhjen e problemit.

4.Inteligjenca hapësinore (vizuale); përfshinë aftësitë e perceptimit të botës në mënyrë të saktë dhe pasqyrimin e saj në dimensionin hapësinor dhe kohor në mendjen e njeriut. Pamjet hapësinore janë burimi i parë i ndërtimit ton mendor, nëpërmjet të cilave e njohim dhe e kuptojmë vendin dhe rolin tonë në hapësirë (mjedis, botë). Kështu krijohet aftësia e të menduarit pamor apo aftësia për të parë , manipuluar dhe shndërruar figurën e një gjësendi në procese mendore si mjet i fuqishëm për nxënie dhe zgjedhjen e problemeve (Piezhe). Fëmijët me anë të perceptimit e bëjnë leximin e botës që i rrethon duke krijuar fotografi në kujtesën e tyre dhe për ta kjo është më e lehtë se sa leximi i fjalëve për shkak se të lexuarit e fjalëve është aftësi relativisht e re e inteligjencës krahasuar me atë të leximit të objekteve, që është aftësi e vjetër edhe e qenieve jonjerëzore. Kjo lloj inteligjence është e rëndësishme për të gjithë njerëzit e cilit do profesion qoftë, sepse shikimi dhe perceptimi i gjësendeve në hapësirën që na rrethon është i lidhur me të gjitha llojet tjera të inteligjencave të njeriut. Kështu qendra e të parit në pjesën zverkore të korteksit është e ndërlidhur funksionalisht me të gjitha qendrat tjera të tij, në mënyrë që të bëhet pasqyrimi apo reflektimi i saktë mendor dhe sa më i plotë i asaj që e shikojmë për rreth nesh.

5.Inteligjenca e lëvizjeve trupore; është aftësia e shfrytëzimit të shkathtësive të lëvizjeve trupore të individit për t’i shpreh aftësitë mendore të tij. Kjo inteligjencë është rezultat i zhvillimit të gjatë evolutiv, e cila përsoset te njeriu. Me anën e saj synohet të arrihet baraspesha e zhvillimit mendor dhe fizik, e bukura dhe mençuria apo një harmoni e natyrshme e qenies njerëzore. Këto aftësi kanë të bëjnë me aktivizimin dhe harmoninë lëvizore të të gjitha pjesëve të trupit dhe që janë të lidhura me manifestimin e shkathtësive praktike të shprehurit nëpërmjet shkrimit, pikturimit, aktrimit, lojës dhe sportit. Mosha prej 5 – 12 vjeçare e fëmijëve është koha më e përshtatshme e krijimit të reflekseve dhe veprimeve manovruese të harmonizuara psikofizike të tyre. Ndryshe quhen aftësi psikomotore ngase nuk ka vetëm aftësi thjesht fizike, për shkak se edhe për lëvizjen më të vogël nevojitet ngacmimi dhe kontrollimi nervor me bazë qendrat nervore në zonën motorike (lëvizore) të korteksit.

Këto aftësi janë të lidhura me marrjen e vazhdueshme të informatave apo përvojave gjatë të nxënit. Askush nuk dinë të luaj futboll, të luaj në piano, të vallëzojë, të aktrojë në skenë, të notojë pa u mësuar edhe pse për të gjitha këto ekziston baza dhe potenciali neuromuskulor dhe asnjë nuk kanë rezultate të njëjta në këto veprimtari. Kjo është e lidhur shumë me inteligjencën dhe punën individuale të njeriut.

6.Inteligjenca personale (personale dhe kolektive);  përfshinë aftësitë e individit për njohjen e vetvetes dhe e të tjerëve. Kjo lloj inteligjence zhvillohet në dy pikëpamje: së pari njohjen dhe të kuptuarit e vetes duke qenë një individ me ndjenja që e ndërtojnë një personalitet me sjellje të caktuar dhe së dyti aftësia e njohjes dhe e të kuptuarit e sjelljeve dhe identifikimi me ndjenjat e të tjerëve në shoqëri. Nxëniet apo shkëmbimi i informatave të para ndërpersonale zhvillohen ndërmjet nënës dhe foshnjës, e cila , për fëmijën, shërben si mjeti kryesore për zgjerimin e komunikimit edhe me të tjerët. Është konstatuar se fëmijët të cilët nuk kanë pas fatin që të rriten me nënën e tyre, më vonë kanë pasur probleme të ndryshme në komunikim me të tjerët.

Fëmijët që nga mosha 20 – 25 muajsh është në gjendje që ta njoh identitetin e vet. Këtë mund të provoni nëse fëmijës i jepni fotografinë e tij apo i jepni pasqyrën që ta shikoj veten, do të vëreni se ai do ta njeh veten, por edhe kur e thërrisni emrin e tij ai reagon me sjellje dhe shprehje që tregojnë se e kupton emrin e tij. Fëmija duke njohur vetveten ngadalë mësohet që t’i njohë edhe ndjenjat dhe shprehjet emocionale e të tjerëve. Ai ka aftësi që t’i lexojë saktësisht emocionet e të tjerëve nëpërmjet sjelljeve , shikimit dhe mimikës së fytyrës dhe e ndërton qëndrimin e tij të përshtatur ndaj mjedisit shoqëror përkatës. Nëpërmjet inteligjencës personale dhe asaj shoqërore fëmija e përshtat ndërtimin e personalitetit të tij me prirjen e të qenët në qendër të vëmendjes ndaj të tjerëve, ndjenjë e cila e përcjell individin gjatë gjithë jetës dhe ndjenja e mbizotërimit ndaj të tjerëve, e cila gjithashtu përcillet dhe përshtatet gjatë gjithë jetës së tij. Si shihet njeriu së pari komunikon me veten e vet dhe me rrethin shoqëror nëpërmjet ndjenjave që shprehen nëpërmjet shikimit, mimikës dhe sjelljeve të caktuara, tek pastaj më vonë me ndihmën e gjuhës përkatëse.

Kjo aftësi e përshtatjes së komunikimit në një mjedis shoqëror është mjaft e ndërlikuar dhe shpesh shkaktohen konflikte si pasojë e mungesës së shkathtësisë së nevojshme për t’i deshifruar dhe kuptuar sjelljet e të tjerëve në kontekste të caktuara, ngase nuk ekziston shifër universale për deshifrimin e sjelljeve emotive. Secili njeri është botë në vete apo është specifik në mënyrën e reagimit emocional. Edhe pse të rriturit kanë aftësi më të mëdha të të kuptuarit në procesin e komunikimit të përgjithshëm, i vlerësojnë ato më realisht dhe janë më fleksibil, prapë se prapë ndodhin keqkuptime të shkallëve të ndryshe.

Kjo do të thotë se sa më pak që i kuptojmë ndjenjat dhe pasurinë tonë shpirtërore, aq më pak i besojmë vetes dhe aq më shumë jemi të varur prej të tjerëve. Po ashtu sa më pak që t’i kuptojmë ndjenjat dhe nevojat e të tjerëve aq më pak të suksesshëm do të jemi në një jetë të përbashkët shoqërore me të tjerët dhe anasjelltas. Njohja reale e vetvetes është shumë me rëndësi në jetë ngase e drejton veten e tij në një karrierë të suksesshme në përputhje me prirjet e tij natyrore në punë dhe profesion.

Duhet të theksohet se individët e ndryshëm të shoqërisë njerëzore përpos inteligjencës së përgjithshme, që përfaqëson një karakteristikë pak a shumë të njëjtë për të gjithë individët me zhvillim normal mendor e shpirtëror, i kanë të zhvilluara edhe disa aftësi specifike individuale apo lloje të ndryshme të inteligjencës që e bëjnë të dallueshëm individin e caktuar në aspektin e potencialit mendor e shpirtëror nga individët tjerë, krijimin e identitetit individual. Edhe potenciali i ndryshëm mendor e emocional i individëve mund të kategorizohet në bazë të aftësive të përafërta mendore në grupe të caktuara të aftësive.

 

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top