Kur bëhet fjalë për fëmijët, një ndër shqetësimet që prindërit kanë është se kur do nisë të flasë? Erges Eskiu, logoped dhe pedagog në Universitetin e Mjekësisë Tiranë, thotë se fjala e parë vjen në moshën 12 muaj, megjithatë ka një tolerancë deri në moshën 18 muaj.
Nëse deri në këtë moshë fëmija nuk ka thënë asnjë fjalë, atëherë duhet të drejtoheni te specialisti. “Deri në këtë moshë, prindërit mund të presim të qetë që fëmija të fillojë e të artikulojë fjalën e parë. Nëse deri në këtë moshë nuk është arritur ende fjala e parë, atëherë, patjetër që duhet të shkojnë te logopedi për të zhvilluar një konsultë me të e për të parë dhe vlerësuar zhvillimin gjuhësor të fëmijës”.
Vështirësia në të folur te fëmijët, apo pamundësia për të artikuluar fjalët, deri kur konsiderohet normale dhe kur duhet të fillojmë të shqetësohemi?
Vështirësia në të folur konsiderohet pamundësia për të artikuluar tinguj, fjalë apo vështirësi në formulimin e fjalisë. Shkaqet mund të jenë të ndryshme. Përmendim faktorë funksionalë, ku fëmija nuk ka dëmtime të aparatit fonator, por bën një ekzekutim të pasaktë në artikulim. Faktor organik në nivelin e aparatit fonator (buzë, gjuhë, dhëmbë) ose si pasojë e dëmtimeve në tru, adenoideve apo noduj të kordave vokale. Faktor psikologjik, ku fëmija ka vështirësi të shprehet si pasojë e mungesës së besimit në vetvete apo e hiper-vëmendjes së mjedisit ndaj tij, frikërave etj. Fjala e parë vjen në moshën 12 muaj, megjithatë ka një tolerancë deri në moshën 18 muaj.
Deri në këtë moshë, prindërit mund të presim të qetë që fëmija të fillojë e të artikulojë fjalën e parë. Nëse deri në këtë moshë nuk është arritur ende fjala e parë, atëherë, patjetër që duhet të shkojnë te logopedi për të zhvilluar një konsultë me të e për të parë dhe vlerësuar zhvillimin gjuhësor të fëmijës. Nëse logopedi do të vërë re diçka, e cila ka nevojë për t’u konsultuar më tepër apo do të ketë nevojë për një mendim më gjithëpërfshirës, atëherë ai do të këshillojë takimin me mjekun neuropediatër, për të parë më shumë në drejtim të zhvillimit neurologjik të fëmijës, apo arsyeve se nga mund të vijë vështirësia gjuhësore.
Sa i pranishëm është ky fenomen dhe ku duhet t’i kërkojmë fajtorët?
Realisht, në Shqipëri, është e vështirë për statistika, për më tepër kur logopedia nuk është ende e institucionalizuar nëpër spitale shtetërore, në çerdhe, kopshte e shkolla nga ku mund të nxirreshin më kollaj statistika sesa është realisht numri i fëmijëve apo të rriturve, që kanë vështirësi në artikulim. Po t’i referohemi një studimi të bërë në SHBA, rezulton se 1 në 12 ose 7.7 % e fëmijëve kanë vështirësi në artikulim të lidhur me një tingull, me të folurin, me gjuhën ose me gëlltitjen. Mendohet se në të njëjtat shifra duhet të jemi edhe këtu. Ku duhet t’i kërkojmë fajtorët apo shkaktarët? E thashë më lart, shkaktarët mund të jenë të ndryshëm. Faktorë të keqfunksionimit të aparatit fonator, por që nuk lidhet me shkaqe gjenetike.
Mund të jenë edhe faktorë gjenetikë ose psikologjikë. Nga ana tjetër, ne mund të themi se ku duhet të ndërhyjmë, çfarë duhet të bëjmë për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve, për t’u dhënë zgjidhje atyre në veçanti dhe shoqërisë në tërësi? Dhe në këtë pikë, unë them se shteti ka detyrën të hartojë politika afatgjata dhe të mirëmenduara për të ecur përpara në këtë fushë. Nevojitet, e para, hapja e vendeve të punës për logopedinë në institucionet e sipërpërmendura. Në kohën që prindi do të ngrejë alarmin për fëmijën e vet, do të shkojë në spital dhe do pyesë se pse fëmija im nuk flet, mjeku pediatër apo neuropediatër do ta drejtojë për te logopedi dhe prej aty do të fillojë trajtimi i tij dhe dhënia e zgjidhjes për sa u përket vështirësive gjuhësore në një moshë më të hershme.
Nevojitet një fushatë ndërgjegjësimi dhe sensibilizimi e popullatës në lidhje me kulturën shëndetësore në përgjithësi, në të cilën ne kemi mungesë të madhe, si pasojë e nivelit të ulët arsimor që ka shoqëria shqiptare, por edhe si pasojë se shteti nuk ka punuar mjaftueshëm në këtë drejtim. Për nënat e reja nevojiten edhe broshura, në të cilat tregohet zhvillimi normal i fëmijës dhe kur duhen ngritur shenjat e alarmit.
Gjithashtu, disa këshilla sesi do të jetë prindërimi i tyre dhe si të nxisin zhvillimin gjuhësor të fëmijës së tyre. Këto kanë një kosto të ulët, prindërit mund t’i marrin në maternitet pasi fëmija lind dhe në këtë mënyrë ne mund të shmangim kostot e mëdha, që sjell vështirësia gjuhësore për fëmijën, për aspektin psikosocial e akademik të tij, për koston morale të prindërve të fëmijës dhe në fund edhe kostot monetare, të cilat nuk janë të vogla për familjen.
Politikë-bërësit, nga ana e tyre, duhet të kuptojnë se baza për një ekonomi të fortë është një shoqëri e shëndetshme dhe një shoqëri e shëndetshme është një shoqëri krijuese. Një shoqëri, që krijon, shet. Shitja na sjell të ardhura dhe kështu jemi edhe më mirë ekonomik isht. Na kushton shumë më pak nëse do të fokusoheshim më shumë te parandalimi i problemeve të ndryshme shëndetësore, përfshirë sigurisht edhe ato të zhvillimit gjuhësor. Ne kemi një shprehje, e cila thotë se nëse hedh një lek në shëndetësi, ke kursyer dhjetë.
A jemi mjaftueshëm të ndërgjegjësuar mbi rolin e logopedit? Cila është ndihmesa që ju jepni?
Njerëzit në Shqipëri, çdo ditë e më shumë, po ndërgjegjësohen për rolin e logopedit dhe në nevojat që shoqëria ka për të, edhe pse ende ka shumë njerëz, të cilët nuk e njohin këtë fushë, madje edhe brenda vetë person elit shëndetësor. Pa diskutim që shteti duhej të ishte treguar më i vëmendshëm në drejtim të hapjes së vendeve të punës për logopedinë në çerdhe, kopsht, shkolla e spitale dhe në mundësimin e ndërgjegjësimit të popullatës, mbi shërbimin e logopedit dhe rëndësinë e tij, për trajtimin e vështirësive gjuhësore në moshat pediatrike, adulte dhe moshat geriartrike.
Ndihma logopedike vjen në trajtën e konsultave dhe dhënies së këshillave për prindërit, të cilët mund t’i zbatojnë në shtëpi dhe në trajtën e terapisë logopedike, kryesisht në qendra dhe institucione private. Logopedi ushtron në aparatin e të folurit, bën trajtimin ose rehabilitimit e motorikës faciale, të respiracionit dhe gjithë aparatit fonator dhe i mundëson fëmijës të zhvillojë fazën paragjuhësore dhe gjuhësore.
Të mbetemi te roli i prindërve, ne vetë si mund t’i vijmë në ndihmë fëmijës?
Prindërit vetë mund ta ndihmojnë fëmijën duke i ndjekur fazat normale, në të cilën duhet të kalojë zhvillimi gjuhësor i fëmijës. Faza para gjuhësore e fëmijës, duke imituar gugatjet në 2-3 muajsh, duke imituar belbëzimet e para në 6-7 muajsh. Gjatë kohës që është duke luajtur në shtëpi më fëmijën ose është duke i treguar një përrallë, prindi mund ta bëjë edhe këtë gjë.
Të imitojë tingujt ose rrokjet e para në 9 muaj, për shembull: Po binte shi. Sh-sh-sh, ose pikë-pikë-pikë. Të imitojë sendet, objektet, dukuritë e ndryshme natyrore. Si bën motori? RR-RR, për të mundur që fëmija të mësojë shkronjën r nëpërmjet lojës ose aktrimit. Gjatë tregimit të një përralle është edhe koha më e mirë edhe për të aktruar. Prindi mund të bëjë shprehi të ndryshme të fytyrës, intonacionit të zërit, manierizma e grimasa, të cilat do ta ndihmonin fëmijën të përfshihet më shumë emocionalisht, të përfitojë aftësi narrative, të zhvillojë shprehi të reja, të zhvillojë imagjinatën, të jetë më i qetë e më i lumtur.
Burimi / Panorama.com.al
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.