Vetëm kur përpiqemi të marrim vesh dëshirat e thella të tjetrit e kuptojmë sa të pakuptueshme, të lëkundshme dhe të vagëta janë krijesat që shohin bashkë me ne yjet dhe që ngrohen nga i njëjti diell.
“Lord Xhim”, një nga romanet më të mira të shekullit XX, trajton çështjet e ndërlikuara të nderit të humbur dhe fajit, shpagimit dhe heroizmit.
Xhimi është një djalosh me sedër dhe imagjinatë të fortë, që vesh çdo gjë me një tis të mjegullt romantizmi. Ai e sheh veten si një hero të pagabueshëm. Prandaj edhe turbullohet kur papritur dhe vetvetishëm braktis një anije në rrezik mbytjeje. Tashmë, një njeri tërësisht i kapluar nga ndjenja e fajit, ai do ta kalojë gjithë jetën duke u munduar të vërë në vend nderin dhe personalitetin e tij. Në valën e turpit, ai udhëton në rajonin ekzotik të Patusanit, ku fiton respektin e banorëve, të cilët, për nderim do ta quajnë “Tuan” Xhim – Lord Xhim. Këtu ai gjen qetësi dhe respekt brenda vetes. Megjithatë, kur një bandë hajdutësh arrin në ishull, atij i rivihet në dukje veprimi i turpshëm dhe marrëdhënia e tij me njerëzit e ishullit rrezikohet. Një pyetje metafizike përshkon gjithë romanin dhe i jep atij unitet: mos vallë universi vepron qëllimisht kundër një individi të caktuar apo mos është ai i paanshëm dhe indiferent? Në varësi të përgjigjes mund të vendosim se deri në ç’pikë është dikush përgjegjës për çka bën apo nuk bën. Conrad-i ka hulumtuar thellësisht çështjet e ndërlikuara të nderit të humbur dhe fajit, shpagimit dhe heroizmit. Ndjenjat e pamjaftueshmërisë dhe përgjegjësisë do ta çojnë heroin tonë drejt një fundi të logjikshëm e të pashmangshëm. “… një kryevepër rrëfimesh të ndërlidhura, një triumf kapërcimesh kohore … Si shumë nga veprat e Conrad-it, dëshmon për fuqinë shkatërrimtare të ëndrrave, megjithëse askush nga ne nuk mund t’i shmangë vërtet iluzionet romantike”, citon “The Washington Post”.
Titulli: Lord Xhim
Autor: Joseph Conrad
Shqipëroi: Zef Simoni
Gjinia: Roman
Shtëpia Botuese: PEGI
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.