Nevoja për ndërgjegjësim për të ndihmuar fëmijët disleksikë
Një libër që i shërben jo vetëm identifikimit të vështirësive, por orienton konkretisht për veprimtaritë dhe ushtrimet që duhen kryer në mënyrë që fëmijët të fuqizohen aty ku kanë më shumë dobësi.
Është botimi i dytë i juaji studimor, këshillues, didaktik dhe praktik. Ku konsiston ideja e këtij udhëzuesi?
Ky libër ka në fokus shpjegimin, njohjen dhe trajtimin e llojeve të ndryshme të çrregullimeve në të nxënë. Përveç shqyrtimit të koncepteve teorike bazë dhe kritereve diagnostike, një nga qëllimet kryesore është ndërgjegjësimi mbi faktin se këto çrregullime ekzistojnë, duke qenë se identifikimi i këtyre nxënësve në praktikë është i vakët.
Sa kohë të është dashur të punosh për të dhe si e ke kategorizuar?
Projekti dhe ideja për hartimin e këtij teksti ka nisur prej 3 vitesh. Përveç prindërve, mësuesve e psikologëve, i drejtohet dhe studentëve. Është organizuar në 20 kapituj dhe përmban 3 llojet kryesore të çrregullimeve të të nxënit që kanë të bëjnë përkatësisht me leximin, shkrimin, matematikën (disleksi, disortografi/disgrafi, diskalkuli), diagnozën dhe vlerësimin, trajtimin dhe ndërhyrjen, planet mësimore të personalizuara, instrumentet mbështetëse, rolin e shkollës e të familjes si dhe raste konkrete.
Sa e vështirë është të punosh me këta fëmijë?
Nuk është e vështirë të punosh me ta, e rëndësishme është që puna me këta fëmijë të jetë sistematike, e vazhdueshme dhe frekuente.
Pse u ndale pikërisht te kjo kategori fëmijësh?
Kjo është një kategori nxënësish e cila për hir të së vërtetës në shumicën e rasteve nuk njihet nga të rriturit. Mendova të ndalem këtu, duke qenë se vështirësitë dhe nevojat e këtyre fëmijëve në vend që të marrin trajtimin dhe kujdesin e duhur nga prindërit dhe mësuesit, lihen pas dore, keqkuptohen dhe konsiderohen si indiferentë, neglizhentë dhe dembelë. Fatkeqësisht dhe gabimisht, ka ndodhur që këta fëmijë jo vetëm janë lënë jashtë vëmendjes tonë, por madje janë stigmatizuar, paragjykuar dhe vënë përpara përgjegjësisë mbi ecurinë e ulët dhe vështirësitë që shfaqin në procesin mësimor.
Më trego për një rast të veçantë që të ka mbetur në mendje si rast i studiuar?
Një nga rastet më të veçanta që më ka mbetur në mendje, ishte ai i një vajze disleksike 10-vjeçare në qendrën ku kam kryer praktikat e masterit në “Nevoja Edukative Specifike” në Spanjë. Më bënte përshtypje sepse ishte një nga fëmijët më interesantë, simpatikë dhe inteligjentë që vinin në qendër. Megjithatë, vështirësitë që kishte për të lexuar rrjedhshëm dhe për të shkruar në mënyrë të kuptueshme, ishin problematika kryesore e saj, pavarësisht zgjuarsisë dhe shkathtësisë që kishte në çdo aspekt tjetër të zhvillimit.
Në Shqipëri, në bazë të statistikave (nëse ka) dhe ato individuale që ke prekur nga afër, ka raste të shtuara apo jo?
Sa i përket shifrave të fëmijëve të prekur nga çrregullimet e të nxënit në Shqipëri, se cila është përqindja e tyre dhe frekuenca e çrregullimeve, nuk ka të dhëna. Megjithatë, për të krijuar një ide se si është shpërndarja e këtyre çrregullimeve, mund t’u referohemi statistikave që vijnë nga vende të tjera. Pa shkuar shumë larg, p.sh: në Itali, në një studim të vitit 2012 me një kampion prej 1774 nxënësish, rezultatet treguan se prevalenca e çrregullimeve të të nxënit është rreth 3.2%. Pra, përafërsisht 3 nxënës në 100. Këto shifra dëshmojnë se çrregullimet e të nxënit nuk janë kaq të rralla; shpërndarja e tyre është e tillë që meriton vëmendje dhe kujdes profesional të posaçëm.
Ku ndryshojnë këta fëmijë dhe çfarë aftësish mund të nxjerrim përmes këtyre udhëzuesve?
Këta fëmijë shfaqin vështirësi apo dëmtime të ashpra në aftësitë që lidhen me një apo disa lëndë shkollore; në matematikë, lexim, drejtshkrim. Lexojnë në mënyrë të pasaktë, shkruajnë në mënyrë të paqartë, nuk arrijnë të kuptojnë përmbajtjen e teksteve të shkruara, kanë gabime në kuptimin e përdorimin e numrave dhe llogaritjeve. Ky libër i shërben jo vetëm identifikimit të vështirësive, por orienton konkretisht për veprimtaritë dhe ushtrimet që duhen kryer në mënyrë që fëmijët të fuqizohen aty ku kanë më shumë dobësi.
Sa e nevojshme është puna e prindit për të përvetësuar këshillat e duhura dhe të ndihmojë në ecurinë e fëmijës?
Në fakt është një nga pikat kryesore të punës me këta fëmijë. Është pikërisht ajo që quhet “aleanca edukative” mes shkollës dhe familjes, e cila ka të bëjë me marrëdhënien dypalëshe dhe bashkëpunimin e domosdoshëm prind-mësues. Sigurisht që detyra e prindit në radhë të parë është që të mirëkuptojë situatën dhe vështirësitë e fëmijës, e më pas së bashku me shkollën të përfshihet në mënyrë aktive në procesin e trajtimit dhe në ndihmën praktike që duhet t’i japë fëmijës për t’i lehtësuar të mësuarit dhe detyrat e shtëpisë.
Integrimi i tyre është një fjalë e madhe, por çfarë mund të bëjë shteti, politikat sociale apo OJF për mbështetjen e tyre?
Gjëja e parë që duhet bërë është që të njihen, të shtohet informacioni dhe të rritet ndërgjegjësimi. Integrimi në kurrikulat universitare në formimin e të gjithë psikologëve, mësuesve të ciklit të ulët dhe atyre parashkollor, rritja e vëmendjes dhe shtimi i instrumenteve vlerësues dhe identifikues, janë ato çfarë duhen bërë për fëmijët me çrregullime të të nxënit.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 135
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.