“Sfida është një nevojë e trashëguar mashkullore, e cila mbërrin që nga koha kur meshkujt ishin gjuetarë të mamuthëve”. Si e lexoni dhe komentoni këtë shprehje?
Eshtë një aksiomë që në mënyrë lakonike thotë gjithçka. Evolucioni i njeriut ka lënë gjurmë të pashlyeshme në gjenetikën njerëzore, ashtu si dhe ligjet e maleve shqiptare; ka lënë gjurmë, në mënyrë të pandërgjegjshme, në formacionin tonë shpirtëror e moral, ku sfidat duhet dhe mund t’i bëjë vetëm burri. Rrallë, shumë rrallë, ka ndodhur që sfidën ta tentojnë gratë, dhe kur kjo ka ndodhur, ato kanë marrë formën e legjendës, për t’u larguar shpejt nga një realitet i dhënë. Pra, sfidat janë lidhur thellësisht me meshkujt dhe kjo, historikisht (kryqtarët që niseshin për çlirimin e varrit të Krishtit në Jeruzalem, njëmijë vjet më parë, ishin burrat). Sfida është padyshim një esencë jetike, është një “modus vivendi”. Jeta s’mund të kuptohet pa sfidë. Pa kaluar sfida, me vetveten apo me të tjerët, me tjetrin apo me natyrën, jeta s’ka ndonjë kuptim. Aty ku s’ka sfidë, s’ka progres, s’ka madje histori. Pra, jeta kalimtare është thjesht organike, e cila kalon pa lënë asnjë gjurmë.
Për ju personalisht ç’është sfida, ç’marrëdhënie keni me të?
Sfida për mua është ajo që mendoj se nuk do ta arrij, apo se nuk do ta përballoj dot, çka fillimthi më krijon një gjendje pasigurie. Por vonë kam zbuluar çelësin e kapërcimit apo përballimit të sfidës: ta barazosh veten me hiçin, ose më mirë me vdekjen. Duke menduar se në esencë je veçse pjesë e një pluhuri kozmik, kjo ndjesi të çliron nga droja, brishtësia para dikujt, kompleksiteti e inferioriteti, çka sjell që dhe tjetrin përballë, sfidën, ta zhvlerësosh, duke ia hequr forcën apo pushtetin e jashtëm që ka mbi ty. Pra, sfida përballë teje e humbet forcën e vet dhe bëhet për ty si një lloj aventure, ku ti thua “e pse jo”, mund ta bëj. Dhe kështu unë nisem drejt sfidës, pa menduar se mund të thyhem (madje edhe pse mund të thyhem, s’ka ndonjë rëndësi prestigji).
Çfarë ju bën ta pranoni sfidën?
Ideja se mund të fitoj mbi të. E di se në fund të fundit, edhe pse mund të jetë e dhimbshme, ajo do të jetë një hap përpara, duke e pasuruar veten me një eksperiencë të re, edhe po të kesh humbur. Pra, për mua nuk ka të bëjë me instinktin, karakterin, dëshirën për të mbrojtur statu-quo-në e vendosur, por diçka e menduar. Por kjo është e lidhur edhe me moshën. Në rini, ku eksperienca mungon dhe referencat po ashtu, ne hidhemi shpejt drejt sfidës, të panjohur ose të njohur…
A prireni t’u ikni sfidave? Apo përkundrazi flisni për lumturinë e një sfide të re?
Prirja ime aktualisht është t’u iki sfidave, t’u largohem. Kur ke përballuar disa sfida në jetë, ndoshta lodhesh dhe nuk ke dëshirë më të provosh të tjera, megjithatë sfida mbetet, ajo vigjilon para nesh. Ish-presidenti francez Miterandt kërkonte të shkonte drejt sfidës në moshën 80-vjeçare, kur kishte kancer dhe e dinte që do të vdiste, por ai donte ta shikonte drejt e në sy vdekjen, kërkonte t’i bënte ballë kësaj sfide të fundme. “Ç’është vallë vdekja?” – pyeste ai. A ka gjë tjetër pas vdekjes? Ishte një agnostik që ra në mistiçizëm, por që shkoi pa u trembur drejt një sfide të madhe. Fan Noli kërkoi të bëhej muzikolog në moshë të thyer. Eksploratorët kanë qenë njerëzit më sfidues të njerëzimit…
A nënkupton energjia fizike mashkullore prirjen e tij sfiduese?
Deri në moshë të re mendoj se sfida lidhet shumë me energjinë fizike, mashkulli kërkon të dominojë përmes saj. Por pas moshës 30-vjeçare nuk është energjia fizike, por ajo mendore, është dimensioni psikik që bëhet përcaktues nëse duhet ta përballosh një sfidë apo jo, t’i shmangesh asaj apo jo.
Nga se varet, për ju personalisht, kapërcimi i një sfide?
Në rininë tonë nganjëherë ishte krenaria, mburrja, që të mos themi vaniteti. Më pas instinkti i vetëmbrojtjes, duke menduar se një dështim mund të sjellë një dështim tjetër…
Si reagoni ju ndaj saj, sa më e vështirë apo e pamundur bëhet ajo?
Në kapërcimin e sfidës rëndësi ka synimi dhe shpresa. Duhet të kesh një motiv të madh që ta nisësh betejën përballë një sfide. Ikja e të rinjve shqiptarë në vitin 1990, si refugjatë me anije, drejt botës së lirë, ishte një sfidë e madhe për këta njerëz, të cilët shkonin drejt së panjohurës. Por synimi i tyre ishte liria, diçka sa abstrakte, aq dhe konkrete në jetën e tyre. Jusuf Vrioni e përballoi sfidën në burg duke kërkuar lirinë brenda vetes.
Çfarë do të thoni lidhur me sfidën mashkull–femër në raporte intime? Sa mendoni se mashkulli vazhdon të jetë sfidues edhe në këtë linjë?
Ishte një kohë që në shoqërinë shqiptare mashkulli, si një eho e një kanuni të moçëm, ishte sfiduesi i përhershëm. Gruaja pësonte forcën e tij, dhe ky pozicionim e bënte disi të egër mashkullin, duke e larguar atë nga intimiteti i brishtë e poetik. Raportet mashkull-femër më parë ishin raporte force e dominimi. Gruaja ishte mësuar gjenetikisht me një rol të tillë: një “matrone” e nënshtruar. Hyrja e shoqërisë shqiptare në një faze të re, pra drejt modernitetit në fundin e shekullit XX dhe fillimin e shekullit XXI, po sjell një ripozicionim të raportit mashkullfemër. Sfiduesi nuk duket se është gjithnjë burri. Fenomeni i sotëm, ku janë gratë që kërkojnë të divorcohen për të përjetuar lirinë e tyre, është shumë domethënës. Madje kjo nganjëherë i ka çuar deri drejt krimit, duke vrarë burrat, inkuizitorët e tyre. Dhe kjo është sfidë e madhe. Tridhjetë vjet më parë, këto ishin të paimagjinueshme. Ndoshta edhe për disa vjet, tek ne do të ketë një ndryshim raportesh “mashkull-femër” përballë sfidës…
Çfarë forme merr sfida kur rivalët (kryesisht profesionale) janë femrat?
Mendoj se duhet të jetë sfida më e bukur, pasi përplasja duket se bëhet më ëmbël. Nuk ke frikë nga përplasja e madhe. Eshtë një joshje dhe njëherësh një konkurrencë për të ngadhënjyer mbi konkurrenten që është femër. Ajo tashmë nuk është më seksi i dobët, apo “Seksi i Dytë”, siç e cilësonte në esenë e saj emblematike francezja Simone de Beauvoire. Madje, ke një lloj respekti, ndryshe nëse do të ishe përballë një mashkulli, ku përballen më shumë “forcat fizike”. Përballë të njëjtit seks mundja është e hidhur, vuajtëse, kurse në rast të kundërt e pranon më lehtë humbjen, pra ajo nuk është aq destruktive në kuadrin moral.
Ju, konkurroni (i hyni rrezikut-sfidës) për të dominuar veten apo të tjerët?
Për të dominuar veten, apo më mirë për t’i treguar vetes se mund të përballosh një sfidë, mund të arrish atë që do.
Botuar në revistën Psikologji, nëntor 2010
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.