Lifestyle

March 8, 2018 | 17:52

Luan Rama sjell shqiptarët e dy shekujve më parë, kryelartë e me armë argjendi

Ca e ca e njohin Shqipërinë përmes refugjatëve që kaptuan detin në përpjekje për të gjetur Eldoradon. Një foto e anijes “Vlora” vlente sa njëmijë fjalë. Ndoshta më shumë. E cilësuan eksod biblik, sepse një e shkrepur e aparatit fotografik dokumentoi më shumë se sa puna e një piktori që, për të njëjtën pamje do t’i duheshin ditë e net të tëra pune të mundimshme.

Leonard Veizi, shkrimtar, gazetar

Leonard Veizi, shkrimtar, gazetar

Kjo ishte Shqipëria e viteve 1990.

Thuhet se ishim futur thellësisht në kohët moderne. Por ne ishim shumë më të prapambetur nga ajo çka ofronte Perëndimi. Pesëqind vite më parë, pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, duhet të ketë pasur një eksod thuajse në të njëjtat përmasa. Por asokohe nuk kishte celuloid që fiksonte pamjet, dhe piktorëve të perëndimit nuk u bëri peneli të ilustronin këtë histori shqiptarësh. Ata u kujtuan më vonë, por gjithsesi u kujtuan. Sepse gjithmonë ka dhe një Shqipëri tjetër. Ka tani, ka pasur dhe dikur.

Shqipëria e viteve 1800. Ajo ishte po aq interesante sa dhe në kohën e Bizantit.

20180308_151545Duke bërë zbritje, ca zarare në shërbim të Portës së Lartë, me jeniçerë të përbetuar e pushtues të mëdhenj, Shqipëria kishte dhe një tjetër faqe që ia tregonte me krenari fqinjëve përtej Adriatikut. Në këtë mënyrë trojet e saj filluan të eksploroheshin nga udhëtarët e huaj. Ca linin shënimet e tyre, të tjerët e ilustronin me pamje. Gjithsesi dëshmitë nuk mungojnë.

20180308_151617Përmes veprave të piktorëve francezë, në imagjinatën tonë rikrijohet jeta e shqiptarëve në rrugëtimet e gjata të historisë.

Ishin kohëra pa njerëz që largoheshin nga atdheu, por me ata që e mbronin atë, pa trima që marketonin prostituta, shisnin drogë me pako, e të vrisnin pas shpine, por me ata që dinin të dyluftonin në sheshin e burrave e syri nuk u trembej, e për më tepër, në ato vite Shqipëria ishte pa djem veshur kokë e këmbë me meshin, tokëza bronzi e baseta poshtë veshit, por me ata që mbanin nga dy pëllëmbë mustaqe spic, të veshur shik me xhubletën e fustanellën tradicionale.

20180308_151716Këta ishin shqiptarët e dy shekujve më parë. Dhe me gjasa të tillë kanë qenë dhe para se akënxhinjtë dhe azapët të suleshin mbi këto troje.

Padyshim që shekulli i XIX veç Rilindjes Kombëtare dhe lëvizjeve për Pavarësi, ishte dhe shekulli i portretizimit të shqiptarëve. Deri asokohe qarkullonin vetëm portretet e Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut. Por në shekullin XIX bota perëndimore u njoh me imazhet e shqiptarëve të thjeshtë, pamjen e tyre, veshjet, gjë që me sa dukej përcillte në vazhdimësi dhe këngët e vallet e tyre epike.

20180308_151508Të gjitha këto nuk bëhen të njohura vetëm nga pena e shtegtarëve prej perëndimi, por dhe nga peneli i piktorëve të tyre.

“Shqipëria dhe shqiptarët në tablotë e autorëve francezë të shekullit të XIX”, është një libër ku na ofrohet gjithçka tjetër, atë që jemi mësuar më pak ta shohim, sepse në fund të fundit më pak dritë kemi pasur për to. Por tanimë, studiuesi skrupuloz Luan Rama, na sjell një tablo të qartë se si është peneluar nga piktorët e perëndimit bota shqiptare, që thënë të vërtetën, i kishte shpëtuar paq asaj çka i imponohej vazhdimisht nga Lindja, e për më tepër nga Lindja e Mesme, kultura e të cilëve ndryshonte fort me atë të vendalinjve, të cilët jetonin në atë pjesë të Evropës që quhej “Gadishulli Ilirik”. Siç thotë vetë autori: “Delacrioix, Decamps, Corot, Gerome, Papety, Bida, Gleyre etj., një plejadë artistësh të mëdhenj na ofrojnë sot imazhin e shqiptarit të shekullit XIX, figurën e tij herë heroike e tragjike dhe herë lirike.”

Ajo çfarë të bën përshtypje në këtë panoramë kaq informuese janë dhe ilustrimet e një udhëtar francez nga Normandia i quajtur Thodose du Moncel. Në morinë e vizatimeve të tij pasqyruar në librin me mbresa: “Nga Venediku në Stamboll përmes Greqisë”, krahas grekëve, ndeshim shpesh dhe shqiptarët me fustanellat e tyre të bardha, diku në sfond apo pranë tempujve të rrënuar, fragmenteve të kapiteleve, kishave të vjetra, objekteve fetare etj.

Dhe kështu shqiptarët vijnë fisnikë në librin e Luan Ramës, aspak demode  e për më tepër të zhveshur. Por mbi të gjitha të armatosur me shpata e kobure të stolisura me argjend.

“Shqipëria dhe shqiptarët në tablotë e piktorëve francezë të shekullit të XIX” është një tjetër kontribut i madh që studiuesi i mirënjohur Luan Rama jep për letrat shqipe.

copy-of-20180308_154637 20180308_151630 20180308_151652 20180308_151843 20180308_151740 20180308_151817 20180308_151919 20180308_151858

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top