Në fokus

September 28, 2018 | 20:01

“Luarasi” diplomon brezin e 14-të të studentëve, rektori Ruka: “Mos harroni se jeta është shkollë dhe vetëm shkollë!”

 

Kolegji Universitar “Luarasi” diplomoi brezin e 14-të të studentëve në një atmosferë festive, ku morën pjesë profesorë, studentë dhe personalitete të shquara të vendit. Ceremonia e diplomimit përkon me 15-vjetorin e themelimit të “Luarasit”.

fotoja-e-madhe-675x450

Gjatë fjalës së tij, rektori i Kolegjit Universitar “Luarasi”, Ethem Ruka tha se, “Luarasi” është rritur që nga dita e krijimit të tij dhe sot është një nga 4 universitetet më të mira në vend.

“Falënderoj drejtuesit e ‘Luarasit’ që është rritur gradualisht prej 15 vitesh. Këtë vit u hap fakulteti i tretë, ai i teknologjisë së informacionit dhe inovacionit. Sot “Luarasi” vazhdon të rritet me një infrastrukturë të përsosur. ‘Luarasi’ është sot një nga 4 universitetet më të mira në Shqipëri. Kjo është arsyeja se pse numri i maturantëve që zgjedhin Luarasin është më i lartë. Falënderoj grupin “Hysenbelliu” që vlerëson autonominë akademike. Jam i bindur se diploma e ‘Luarasit’ do ju shërbejë në jetë. Paçi fat dhe mos harroni se jeta është shkollë dhe vetëm shkollë”,- tha rektori Ruka.

Sakaq, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, ka përcjellë mesazh urimi për të rinjtë e “Luarasit” që diplomohen, ndërsa ka shprehur mirënjohje për prindërit e tyre, dhe pedagogët e “Luarasit”.

“Sot është një ditë shumë e veçantë, kanë ndodhur dy gjëra. Së pari disa djem dhe vajza të mrekullueshëm diplomohen, dhe së dyti pas tre vitesh kam vënë kostum dhe kollare, dhe kjo është fuqia e oligarkëve, vetëm ata të detyrojnë të bësh gjëra të tilla. Përtej humorit dua të falënderoj themeluesit, rektorin, dhe administratorin. Fakti është që sot luhet derbi Tirana-Partizani, por pavarësisht kësaj të gjithë prindërit janë këtu, dhe kjo tregon shumë. Dua të them se pa ju atje, nuk do të ishin këta këtu. Kjo është një shkollë private, dhe jo të gjithë do të kishin mundësi të ishin në një shkollë të tillë, me kushte të tilla, dhe profesorë të këtij niveli. Ndaj them se ju jemi shumë mirënjohës të gjithë prindërve. Po kështu i jemi mirënjohës mësimdhënësve, jo ata që vijnë për atë rrogën, për 8-orëshin, po e kam fjalën për ata që bëhen mentorë, që kujdesen për botën tënde shpirtërore, që të bëhen si vëllezër. Kjo është ajo që ndihmon për të ardhmen e gjeneratës tonë. Unë them që në punën tonë, nëse dëmtohet një pemë, apo një pllake, e zëvendësojmë, ndërsa puna e një mësuesi, e një mentori, është një punë që ndodh vetëm njëherë. Nuk mund t’i thuash një nxënësi hajde ta bëjmë dhe një 3-vjeçar se nuk e bëmë mirë. Ndaj meritojnë gjithë respektin dhe mirënjohjen tonë për punën tyre.

Edhe dy fjalë për studentët. Kam një pyetje për ju: Ne e gjejmë veten apo e krijojmë? Nëse fillojmë të shajmë shokët e klasës, ne jemi bërë sharës të ardhshëm, dhe çfarëdo që të bëhemi nesër, do të jemi sharës profesionit. E nëse kërkojmë gjërat më të virtytshme në shoqëri, i rrahim shpatullat dikujt edhe kur nuk ia ka dalë, kjo do të na bëjë t’ia dalim me sukses në këtë frymë solidariteti. Nëse sot jemi dekurajues, të tillë do të jemi për tërë jetën, do të krijojmë nesër dikë që do të na tregojë vetëm dështimet.

Ndaj miqtë e mi, ju që diplomoheni sot, jeni formuar, dhe do formoheni edhe më tej. Ne jemi si enë, nëse mbushemi me mjaltë do të jemi të dobishëm, e nëse mbushemi me helm, do të jemi të dëmshëm. Arsimi është një gjë që vazhdon. Unë dua që t’ju uroj të gjithëve shumë sukses, e di që studioni për shumë lëndë që ndoshta ka inflacion, por asnjëherë nuk ka inflacion për ata që arsimohen. Edhe në juridik, ndonëse ka shumë që diplomohen, ka gjithmonë vend për më të mirët. Ndaj iu them miqve të mi studentë, mos u shqetësoni që në këtë treg ka plot të tjerë, por përpiquni që të jeni më të mirët. Dhe unë jo vetëm që jam krenar për ju sot, si prindërit dhe profesorët tuaj, por jam edhe fansi juaj më i madh”, u shpreh kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Burimi Balkanweb

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top