Kolegji Universitar “Luarasi” ka nënshkruar dje marrëveshjen për doktoratura dhe kërkim shkencor me Universitetin e Europës Juglindore në Maqedoni (SEEU).
MARRËVESHJA
Marrëveshja e bashkëpunimit e firmosur dje ndërmjet rektorit të “Luarasi”, Prof. Dr. Arben Malaj, dhe rektorit të SEEU-së, Prof. Dr. Zamir Dika, ka si qëllim shkëmbimin e përvojave mes dy këtyre institucioneve të arsimit të lartë në fushën e kërkimit shkencor. Ndërsa ka vlerësuar paktin, rektori Malaj ka vënë theksin edhe në prioritetet e “Luarasi”, si edhe rëndësinë që do të ketë ky partneritet për stafin pedagogjik. “Me rektorin e SEEU, kolegun Prof. Dr. Zamir Dika, dhe me akademikun Abdylmenaf Bexheti diskutuam rreth mundë- sive konkrete të bashkëpunimit bazuar në prioritete të ‘Luarasit’. Së pari, në rritjen e kapaciteteve shkencore të qendrës IDEA të ‘Luarasit’, bazuar në eksperiencën e suksesshme të qendrës kërkimore shkencore të SEEU. Së dyti, SEEU do të përzgjedhë çdo vit deri në tre kandidatë nga stafi i ‘Luarasit’, të cilët dëshirojnë të ndjekin studimet doktorale dhe iu nënshtrohen kritereve strikte përzgjedhëse”, ka vënë në dukje rektori Malaj.
PROGRAMET E REJA
Një tjetër lajm i mirë, kësaj radhe për të gjithë ata të rinj që ia kanë besuar studimet Kolegjit Universitar “Luarasi”, është hapja e dy programeve të reja për ciklin e studimeve master profesional. Shkresat e firmosura nga ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, për certifikimin e programeve “Siguria dhe Rendi Publik” dhe “Menaxhim Sigurimesh” mbajnë datën 16 tetor. Zyrtarizimi i tyre është një mundësi, para së gjithash, për studentët e “Luarasi”, duke shërbyer si një alternativë e çmuar për ndjekjen e studimeve pasuniversitare pranë këtij universiteti./Panorama
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.