Nga: Majlinda Keta
Nuk e di pse ky 7 marsi i sivjetëm po më vjen i trishtë edhe këtë pasdite të 6 marsit……
Por, Luela, vajza që sapo njoha këtë pasdite, tek Këndi i Lojrave “7 xhuxhat”, ku po dëfrehesha me mbesën time Etual, m’i ndali mendimet e trishta me një fjali të vetme: “Mami, tani do ikim t’i blej lulet mësueses për Festën!”. Si një zogëz e bukur, e veshur plot ngjyra dhe hijshë, hidhej e perdridhej para mamasë dhe shprehte veç gëzim edhe për defrimin e rradhës që e priste pas “7 xhuxhave”. Ky i dyti realisht ishte dëfrim pasi fytyra e saj plot jetë dhe sytë që i qeshnin ruajtën po të njëjtin emocion si ai në momentin e xhiros me trenin e Këndit ndërsa unë e pashë në momentin e parë. – E do zyshën tënde? Po, shuuuuumë- u përgjigj ajo vrikthi. – Po, Luela, zysha duhet shumë, sidomos kaq e vogël saty, në klasën e parë. Edhe unë i kam dashur dhe i dua shumë zyshat e mija, edukatore Shobin, Dhuratën, zysh Lenin, zysh Lumen, Zamirën e shumë të tjera. Yyyyy sa zysha dashke ti? Unë vetëm 1. – Po ti dëshiron të bëhesh zyshë Luela? Jooooo. Më befasoi, lulet po ja blente për Festën e saj por profesionin nuk ja donte !!!!!! …………Nuk di sa e kuptoi Etuali këtë bisedë tonën por nuk do më pëlqente që ajo një ditë të kishte të njëjtin qëndrim me Luelën(e cila uroj të ndërrojë mendje rrugës së gjatë të edukimit me zysha shumë ) …….. Në fakt, Luelë e dashur dhe e ëmbel, mbase, ti e ndjen se sa lodhet dhe sa stres ka mësuesja jote ndërsa ju edukon ju. Besoja lodhjen dhe respektoja stresin pasi ti pak di se në 25 vjet, profesioni i saj nuk u respektua asnjeherë sa duhet. Dikur, para 25 vjetëve, rroga e saj kishte një diference vetëm 30% me rrogën e ministrit të vet, sot Minisri i Arsimit e ka mbi 3 fishin e rrogës së saj. Mësuesja jote Luela është më e stresuar se ajo e imja dikur, se ajo është e pasigurt për vendin e saj të punës. Qetësinë dhe dashurinë për vendin e punës mund t’ja prishë një “Test” me pyetje të çuditshme dhe të ndryshme në shkallë vështirësie nga Tirana në rrethe, jo në të njëjtën ditë, nga një “supermen”, kameleon i pushtetit politik, që mund të ketë mbaruar me “kalueshëm” në shkollë dhe që ka paturpësinë që pikët e vëna për mësuesen tënde t’i deklarojë për “transparencë” në gazeta politike, pa përmbushur detyrimin etik të respektimit të mundësisë së reklamimit të rezultatit apo të dërgimit të tij personalisht, në zarf të mbyllur, si pjesë e respektimit të privatësisë së respektuar. Më pas, po AI supermeni, këto “nota” dhe ca të tjera të vëna nga ekipe që terrorizojnë me shumë se motivojnë mësuesen tënde për punë, shërbejnë për “spastrime” në vendet e punës, edhe në mes të vitit shkollor pa pyetur për Kontrata Pune dhe dashurinë tënde për të. Por mos u habit, që të gjitha këto të shërbejnë edhe për hapjen e ndonjë “Shkolle private për drejtues në arsim” që do ta drejtoje vetë supermeni apo për para mbështetëse për ndonjë Universitet Privat që e merr liçensën për këtë lloj “shkolle” 1 ditë para se Kryeministri t’a deklarojë që: “Kjo është reforma që nuk është bërë 25 vjet në këtë vend”. Kështu, mësuesja jote, që t’i mezi pret ti dhurosh lulet nesër, është e pasigurt, nën stres dhe mbi të gjitha ka humbur edhe avokatët e saj në demokraci, Sindikatat. Ato e kanë lënë atë shoqet e saj, në mëshirën e fatit që i shkruan politika e rradhës. Këto “avokatë” nuk e di sepse janë trembur për kërkesa, Kontratë në kohën e duhur dhe greva këto vitet e fundit pasi janë bërë palë me supermenin, hanë çdo lloj çorbe dhe ndajnë e pranojnë çdo fitorje të supermenit pushtet, sjellje kjo që shpreh se kanë harruar kohën e pak viteve më parë kur me forcën e tyre organizative dhe ligjore rrezikonin edhe ekzistencën e qeverive. ……….Luelë e dashur, duaje shumë dhe respektoje mësuesen tënde! Duaje dhe besoje se ajo bën më të mirën edhe pse gjithçka shkruajta më lart synon ta kthejë atë: – në një mendjetrup pa liri për të menduar, gjykuar, kritikuar supermenin “reformator”, – pa dinjitet dhe krijueshmëri në zotësitë dhe kompetencat e saj që i dëshmon diploma e universitetit dhe institucionet shtetërore të profilizuara për kualifikimin e saj, – pa forcë kundershtuese dhe “rrebeluese” në emër të të drejtave që ja njeh Kontrata e Punës. ……..Luelë e dashur, beso dhe konfido tek mësuesja jote për gjithçka që të duket se cënon qetësinë e mendjes dhe trupit tënd. Bëje këtë se ajo është nënë, motër dhe të kupton me forcën e mendjes dhe kuron “sëmundjet” me magjinë e dashurisë nga shpirti. ……..Luelë e ëmbël dëgjoje me durim dhe komuniko pa fund për çfarëdo pyetje që të kesh për jetën dhe mos u habit se mund të thotë: “Të kthej përgjigje më të saktë nesër pasi të konsultohem me libra në bibliotekë a shtëpi por edhe me koleget e saja”. Këtë sjellje të saj çmoje dhe mos e harro POR përpiqu bëje edhe ti në karrierën dhe jetën tënde, edhe nëse bëhesh Kryeministre e këtij vendi. ……..Nuk po e zgjas shumë se e di që tani po shkruaj jo vetëm për Ty e ëmblae vogël, apo për Etualin apo Liliamin, por po vijoj të shkruaj se e KAM për DETYRë ndërsa jetoj mes tyre dhe me shqetësimet e tyre POR edhe mbi të gjitha se dua që mësuesia të mbetet profesioni ndër më të zgjedhurit nga të rinjtë në këtë vend dhe e respektuar nga shteti dhe shoqëria.
E di pse? Sepse mësuesi i vërtetë, edukatori në detyrë dhe nën mision, NUK KONCENSIONON asgjë nga detyrimet që i ka këtij kombi, shtetit të shqiptarëve. Ai vë mbi gjithçka FEMIJEN si pjesë e idealit profesional dhe i tillë mbetet deri në vdekje. Ai e do dhe çmon shumë lirinë dhe dinjitetin e gjithësecilit prej jush. ……….Unë kam njohur plot të tilla në rrugëtimin tim përmes edukimit, Dhuratën, Lenin, Lumen, Zamirën, Zanen, Sonjën , …….. UROJ që edhe TI t’i duash shumë edhe mësuesit e shumtë që do kesh në jetën tënde.
Mos u mërzit në se nuk na japin “like”, haptazi, mbi murin e komunikimit tonë pasi na shkruajnë edhe në kutinë “e fshehtë”. Tani që po e mbull shënimin tim mbi takimin tonë, Ti nuk arrite të mësoje që edhe unë jam një mësuese…ndaj dhe fola aq gjatë me ty EDHE aty tek “7 xhuxhat” ndërsa t’i dëfreheshe me atë fytyrën engjëllore që nesër do ta ketë fat mësuesja jote t’i lexojë emocionin dhe dëgjojë urimin magjik në vite mes shqiptarëve, në kohë të mira dhe të këqija për arsimin: “Gëzuar Festën mësuese!
Gëzuar 7 marsin shkolla shqiptare, kudo që je dhe shërben!”.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.