Në fokus

April 28, 2016 | 9:40

Luiz Ejlli: Guximi? Duhet ta vësh veten në provë

“Mendimi im përshtatet më shumë me atë të Francois de la Rochefoucauld, i cili thotë: “Nuk mund t’i përgjigjesh kurajës për sa kohë nuk je ndodhur kurrë në rrezik”. Të gjithë flasim për të, të gjithë japim mendimin tonë mbi të, por asnjëri nga ne nuk mund ta vërtetojë atë n.q.s. nuk ndodhet në një situatë të rrezikshme, në mënyrë që ta provojë veten dhe guximin e tij.”

“Nganjëherë sfidat e përditshme kërkojnë më shumë forcë të brendshme sesa ç’na duhet për t’u përballur me një luan”, kështu thonë psikologët. Cili është komenti juaj për këtë?

Jo nganjëherë, gjithmonë njeriu përballet me sfida. Zoti na e ka dhuruar jetën dhe njëkohësisht na vë në në prova të vazhdueshme. E këto prova duhen përballuar. Nuk respektoj askënd që i shmanget përballjes. Jeta ka të papritura, shumë gjëra të bukura, kënaqësi të mëdha, por ka dhe hidhërime nganjëherë të thella. Ne nuk e dimë asnjëherë se çfarë do të ndodhë nesër, prandaj për t`u përballur nevojitet guxim. Personalisht gjërat i shoh me optimizëm. Ndryshe nga luani, njeriu është një qenie racionale, shoqërore, ai nuk vepron vetëm me instinkte, kuraja është të mbrosh atë që beson po aq sa edhe të pranosh të tjerët që nuk mendojnë si ti. Unë shoh jeten, njeriun, vendin tim, vetëm me dashuri.

Cili është reaksioni juaj në momentin e parë, përballë vuajtjes, rrezikut, alarmit… Jeni impulsivë? Të kujdesshëm? Apo ndërdyshas?

Unë jam si shumica e njerëzve. Dua të jem i vërtetë. Më lejo që të mos përgjigjem për vuajtjen. Nuk i konsideroj as alarme e as rreziqe situatat që mund të më jenë krijuar. Personalisht do të thoja që jam një ndërthurje e personit impulsiv dhe i atij të kujdesshëm. Nga ana tjetër, nganjëherë reagimi i njeriut varet edhe nga momenti, edhe nga vendi dhe nga gjendja shpirtërore. Gjithsesi është e lehtë të japësh një përgjigje të tillë kur nuk je përballur vërtet me një situatë shumë të vështirë që të shohësh reagimin dhe guximin.

Ç’lidhje ka midis guximit dhe personalitetit në rastin tuaj: Guxoni sepse ashtu iu vjen së brendshmi? Apo guxoni si rezultat i një llogjike, pasi jeni menduar më parë për veprimin e guximshëm?

Jam rritur në një familje, ku më kanë folur për të qenë sa i drejtë aq dhe i guximshëm. Besoj se jam natyrë e dashur, e sinqertë, nuk i pranoj padrejtësitë dhe ndaj kësaj të fundit guxoj të reagoj. Askush nuk lind i guximshëm, por e zhvillon atë me kalimin e kohës, në sfidat që ne kërkojmë dhe situatat që krijohen. I admiroj të gjithë ata që guxojnë.

Për t`u ngjitur në një skenë, për të kënduar në publik… dikush është i guximshëm, dikush i ndrojtur. Cili keni qenë ju, herën e parë që u ngjitët në një skenë të vërtetë...

Kam qene 6 vjeç kur kam dalë në skenë për herë të parë. Një natë përpara në shtëpi kujtoj që kam pasur frikë. Nëna më thoshte: nesër do më kesh aty. Më shiko mua, ti do këndosh shumë bukur… Mbasi kam mbaruar këngën kam vrapuar pas kuintave dha kam filluar të qaj. Që nga ajo kohë kanë ndodhur shumë gjëra. Pas kuintave… kam emocione, por edhe ndrojtje edhe frikë nga përgjegjësia. Të përballesh me skenën, të përballesh me publikun do guxim, përqendrim. Emocioni që ke në skenë dhe ato që të jep publiku janë të papërshkrueshme.

Guximi sipas jush është: a-Të bësh çfarë është më e drejtë. b-Të mos mendosh gjatë mbi zgjedhjen që bën. c-Të dominosh frikën?

Guximi sipas meje është të dominosh frikën dhe të bësh atë që beson se është më e drejtë. Personaliteti që admiroj më shumë në historinë e njerëzimit, Napoleoni, thotë: Guximi është si dashuria dhe ushqehet nga shpresa (“Le courage est comme l’amour et se nourrit d’espoir) Guximi është shpresa që unë mund t’ia dal mbanë pavarësisht vështirësive, është të shpresosh dhe në momentin kur gjithçka duket e humbur.

Cila nga këto është motoja juaj? a-“Me ta vendosur çfarë duhet dhe mundet bërë, më duhet të gjej vetëm mënyrën”. (Abraham Linkoln) b-“Kurajën e kam. Është frika që më pengon”. (Toto) c-Nuk mund t’i përgjigjesh kurajës për sa kohë nuk je ndodhur kurrë në rrezik”. (Francois de la Rochefoucauld).

Përveç dashurisë, kuraja është tema e dytë më dominuese në literaturë. Njerëzit e urtë në tërë historinë kanë argumentuar se guximi është virtyt themelor që i bën të gjitha virtytet e tjera të mundshme. Mediat popullore na bombardojnë me referenca të vazhdueshme për guximin, njerëz të guximshëm, veprimet e guximshme. Do të thoja që një përcaktim të vetëm nuk mund t’i bëjmë këtij termi, por nga shumë shprehje që kam lexuar, mendimi im përshtatet më shumë me atë të Francois de la Rochefoucauld. Të gjithë flasim për të, të gjithë japim mendimin tonë mbi të, por asnjëri nga ne nuk mund ta vërtetojë atë n.q.s. nuk ndodhet në një situatë të rrezikshme në mënyrë që ta provoje veten dhe guximin e tij.

Cili, sipas jush, është veprimi më i guximshëm që një djalë i ri bën për të dashurën e tij?

Vetë dashuria është guxim. Ajo është besim, është shpresë, është forcë. Është njëra prej gjërave më hyjnore të njerëzimit. Eshtë gjendja më e ëmbël që ekziston. Me mijëra këngë dhe libra mundohen ta kapin dashurinë me tinguj, me fjalë… Një njeri i cili nuk e ka përjetuar atë nuk mundet ta dijë se çfarë forcash e çfarë magjie ajo të përcjell. Në jetë duhet GUXUAR, në jetë duhet DASHURUAR!.

Botuar në revistën Psikologji, korrik 2010

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top