Marrëdhënie

June 3, 2016 | 9:02

Luiz Ejlli: Si e josha zonjushën Jo

2Ajo ishte fjalëpakë… Ai me plot humor dhe batuta… Ajo, elegante, e brishtë, me linja ëmbëlsisht të rrumbullakosura. Ai shtatlartë me një pamje tërheqëse… Një tatuazh në gishtin e tij nuk mund të mos ngacmojë vëmendjen. Në pamje të parë duket si një unazë fejese edhe pse nuk feks e verdha e floririt. Katër shkronja kapitale… lejojnë të lexosh MEGI. Është emri i të dashurës. Këngëtari shkodran, Luiz Ejlli, tashmë i mirënjohur, ka vendosur ta përjetësojë lidhjen e tij në një mënyrë simbolike, duke i treguar edhe në një formë tjetër vajzës se sa e rëndësishme është për të… Jo se zonjushës 21-vjeçare, Megi Topalli, nuk i është dashur ky tatuazh për të qenë e bindur në ndjenjat e të dashurit të saj, e megjithatë, nuk mund të mos thuhet se e ka bërë të ndihet edhe më mirë, të përkëdhelet në sedër, e të provojë të shumëfishuar ndjenjën e krenarisë së vajzës së dashuruar… Prej katër vitesh janë bashkë. E më së fundmi po shijojnë edhe një bashkëjetesë të lumtur. Në Paris, ajo studente e ai punonjës në ambasadën shqiptare atje, e gjejnë shpesh veten duke thurur plane të ëmbla për fejesën, martesën e pse jo edhe fëmijët që do ta bëjnë të plotë familjen e tyre në vitet që do të vijnë. Jo se kanë bërë plane konkrete. Fundja, të dy e dinë mirë se i pari në plan është diplomimi i Megit. E megjithatë si të gjithë të dashuruarit kanë edhe ëndrra familjare. Në fundvit, e lanë Parisin, për të festuar si gjithnjë në Tiranë, me familjen e Megit, meqë të tijtë, Luizi i ka në Amerikë… E në atë ndërkohë të shkurtër, na rrëfyen historinë e tyre të dashurisë që nga çasti i njohjes, gjatë një mbrëmjeje me muzikë dhe vallëzim në Shkodër, qytetin e tyre të adhuruar…

Si e kaluat mbrëmjen e ndërrimit të viteve? Ku?

Ishim në Tiranë, me familjen e Megit, meqenëse familja ime ndodhet në USA… Pas mesnate, me shoqërinë tonë, festuam në një lokal.

Tashmë pas heqjes së vizave, ishte më e dëshiruar rruga e kundërt me atë që keni bërë ju, pra ikja nga Tirana. Kurse ju erdhët këtu, duke lënë Parisin, pse? Dëshirë për një festë familjare?

Krishtlindjet jemi mësuar që t’i kalojmë me familjen. Ka qenë gjithnjë kështu dhe do vazhdojme ta bëjmë. Ndaj u kthyem në Tiranë.

Me Megin… jeni të fejuar apo të martuar?

…Të dashuruar

Meqë jemi ketu… ju ka ndodhur në biseda intime të përfytyroni dasmën tuaj? Si do të jetë, ku…

Dasma jonë, është një temë që herë pas here ka qenë pjesë e bisedave tona. E kemi menduar sigurisht, por ende nuk kemi dalë në konkluzione përfundimtare.

Ndoshta është pak herët për të pasur mendime të konsoliduara në lidhje me këtë moment të rëndësishëm në jetën e një cifti, ndaj, le të kalojmë në një argument tjetër: të kthehemi pak mbrapa në kohë. Na rrëfeni për momentin e takimit të parë. Cili është fillimi i historisë suaj të dashurisë?

Luizi… (buzëqesh) Megin e kisha parë disa herë në Shkodër, me grupin e shoqeve të saj. Më kishte tërhequr vëmendjen. Si të thuash, e kisha ndjerë brenda vetes një dëshirë për ta takuar e njohur me tej. Në biseda me miq të mi, kisha pasur një lloj stepjeje: “Ajo, gjithnjë thotë ‘jo’… më kishin thënë shokët. Është e kotë…” Dhe më ishte ngulitur ky mendim, por nuk më bëri të hiqja dorë nga ideja ime për t’u prezantuar me të. Ndodhi në një festë. Në fakt, kisha pak ‘frikë’. Doja të ftoja për të kërcyer me mua, por ideja e refuzimit të mundshëm më bëri që të mos nisesha direkt tek ajo. Po sikur të më thoshte “jo”? S’mund ta merrja me mend se si do ta priste ftesën time. Ndaj vendosa të ndjek një strategji: I kërkova një të njohuri të përbashkët që t’ia bënte ftesën në emrin tim. Dhe për kënaqësinë time, i njohuri i përbashkët më dha përgjigjen që dëshiroja. Po, Megi e mirëpriste ftesën time… Shkova ta merrja, dhe ndërsa u nisëm së bashku drejt pistës, i bëj shenjë një mikut tim të orkestrës… Filluan tingujt e këngës “Nothing else matters”. Ishte takimi ynë i parë, prezantimi… E ndjeva se tani rruga ishte e hapur… Biseduam, dhe me dy fjalë u pëlqyem dhe sot jemi këtu. Kurse kënga që na shoqëroi në atë vallëzim të parë, mbeti një motiv i rëndësishëm për ne.

Megi, ju sigurisht e dinit qysh më parë se kush ishte Luizi…

E dija, e kisha njohur tek “Ethet”, e madje kam bërë tifo për të. Nuk duhet të kem qenë e vetmja. Ishte tërheqës në pamje dhe më pëlqente mënyra se si këndonte. Sidoqoftë, isha shumë e re, dhe as që më shkonte në mend një lidhje e mundshme me Luizin. Kaluan disa kohë deri në njohjen nga afër, në festën për të cilën Luizi flet. Ndodhi në Shkodër. Dhe prej asaj ditë filluam të takoheshim më shpesh dhe të njiheshim më shumë.

Çfarë ju bëri më së shumti përshtypje nga takimi i parë me Luizin? Çfarë zbuluat më pas tek ai, që ju bëri të mendonit se qëndronte mirë në krahun tuaj?

Kur e pashë nga afër vura re se kishte sy jeshilë. Nuk mund të më linte shpërfillëse ky fakt. Ishte shumë tërheqës. Sigurisht një tipar i pamjes së jashtme, nëpërmjet të cilës realizohet edhe takimi i parë, apo pëlqimi i parë… Shumë shpejt zbulova natyrën e tij tipike prej shkodrani. Luizi ka shumë humor dhe është pa komplekse. E kujt nuk i pëlen të jetë në krah të një njeriu me humor.

Luiz, Megi përmend sytë jeshilë. Merret me mend se figura e Megit, me një siluetë fine, bukuroshe dhe tepër e ëmbël, duhet të ketë qenë një karrem për ju. Përtej kësaj, ç’ju tërheq ju drejt një vajze, teorikisht? Konkretisht: çfarë ishte që ju joshi te Megi?

Sigurisht që duhet të jetë e bukur. Dhe Megi është e tillë. Përtej kësaj pyesni ju: Personaliteti është diçka që e vlerësoj, sinqeriteti gjithashtu, e sërish këto tipare i kam gjetur te Megi.

“Zonjusha JO”, shpesh bëhet joshëse për djemtë edhe për sfidën që përmban në vetvete. Po sikur të refuzojë? E thatë, edhe në rastin tuaj ekzistonte ky rrezik! Ju kishit besim te vetja? Deshët të vinit veten në provë? Apo më shumë se kaq, ishte pamundësi për të rezistuar?

Isha i vendosur që t’i fitoja zemrën. Qoftë edhe duke vënë veten në provë, qoftë edhe duke pranuar sfidën për të fituar mbi të. Megi më pëlqente kaq shumë.

“Vajza e…”. Dikush mund ta shohë si një ele – ment më shumë në favor. Dikujt tjetër mund t’i ngjallë frikë. Njerëz të ndryshëm reagojnë ndryshe në situata të tilla. Po për ju, çfarë përbënte fakti që Megi ishte vajza e dikujt me pushtet?

Kur e kisha parë për herë të parë Megin dhe më kishte bërë të mendoja për të, nuk e dija se kush ishte. Në të vertetë, miqtë më kishin thënë se “…ajo është vajza e Jozefina Topallit”… Por në të vërtetë unë kisha menduar se bëhej fjalë për një prej vajzave të tjera të grupit. Të vërtetën, se e bija e kujt ishte e zgjedhura ime, e mora vesh prej saj mbas takimit të parë. Por unë doja Megin e jo Kryetaren e Parlamentit. Do ta kisha dashur njëlloj edhe po të kish qenë vajza e dikujt tjetër.

Ju ka ndodhur të dëgjoni shprehjen “dhëndrri i Jozefina Topallit”? Çfarë ndjesie ju krijon një identifikim i tillë? Kam njohur burra që gabi – misht i thërrasin me mbiemrin e gruas (kur kjo është një person publik), por e kalojnë një situatë të tillë me sportivitet… Sa ju ndihmon ju humori tipik prej shkodrani? …

Epo unë jam dhëndrri. Të dyja familjet prej nga vjen Megi, janë të respektuara në Shkodër. E kjo më bën të ndihem krenar kur më identifikojnë me to. Nuk ndihem i cenuar aspak. Aq më tepër, suksesin tim profesional dhe emrin e kam fituar para se të bëhesha dhëndërr… dhe ky është një lloj lehtësimi.

Po për ju Megi, vajza e një personaliteti pub – lik, si ndikoi fakti që Luizi ishte një person i njohur publikisht…

Megi: Të qenit publik nuk ka pasur ndonjë efekt për mua… Përveç faktit që falë “Etheve…” e njoha (qesh)…

Po flasim për një histori dashurie. E megjithatë, pjesë e dashurisë janë edhe konfliktet, apo më saktë, debatet. Njerëz me përvoja të gjata në një lidhje e dëshmojë një gjë të tillë, duke pohuar se debati i bën mirë lidhjes. Madje thuhet se mes të tjerash, një sherr ka një vlerë të jashtëzakonshme për pajtimin që vjen më pas… çfarë mund të thoni ju në një rast të tillë?

Luizi: Debate? Sigurisht që bëjmë. Është e vërtetë që “sherri” ka vlerë për shijen që të jep pajtimi. Por më duket se unë kam një avantazh… muzikën. Nëse nuk këndoj vetë, e kam në disk një këngë të zgjedhur pikërisht për raste të tilla (buzëqesh): Love story dhe Margherita. Si përfundim, ndoshta edhe për efektin e muzikës, debatet mbyllen me humor. Megi: Humorin Luizi e ka armë shumë të fortë. Po po, humori është i Luizit… Por edhe aftësia e tij për të “lëshuar pe” ndërsa unë bëj pak kapriço…

Një këngëtar, i pashëm gjithashtu, duhet të ketë qenë në qendër të vëmendjes femërore. Një avantazh që ju bën të shijoni “fitoren”, apo provokuese për ndonjë xhelozi të vogël?

Megi: Unë nuk jam xheloze për të tjerat. Kam një besim të patundur te Luizi… siç edhe ai ka tek unë. Luizi: Kohë më parë, një gazetë kish botuar një shkrim me titull “Luizi prezanton në pub të fejuarën”. Në foto isha unë me një shok dhe të fejuarën e tij. Në të vërtetë kjo ngjarje shkaktoi problem. Jo, jo, sigurisht, jo me Megin, por në familjen e vajzës që gazeta e kishte paraqitur gabimisht si të fejuarën time (qesh) Megi të kujtohet? (qeshin të dy)

Një shkodrane, si dhe ju. A kishte rëndësi kjo për ju, apo më tepër është një rastësi që ju shkoi për shtat?

Luizi: Të them të drejtën në fillim jo. S’e kisha menduar ndonjëherë një gjë të tillë, nuk besoja se kishte ndonjë rëndësi. Por tani shoh që kemi shumë gjëra të përbash – këta. Dhe kjo padyshim duhet të jetë edhe për shkak të faktit që vijmë nga i njëjti vend. Të dy e duam shumë Shkodrën. Na pëlqen të shkojmë atje… shkojmë gjith – një me shumë dëshirë.

Çfarë ka joshëse Shkodra? Vë re se ju, Megi, flisni me shumë nostalgji për Shkodrën…

Megi: Aty kam kaluar fëmijërinë. Më lidh me të shoqëria që vazhdoj ta ruaj qysh herët. Është një qytet i bukur, me njerëz të mirë. E sigurisht është qyteti i dashurisë sime të parë. Fakti që aty u njoha me Luizin, ka një rëndsi të jashtëzakonshme për mua… Është sikur Shkodra deshi të më bënte një dhuratë…

Kur u njohët me Luizin, ishit tepër e re. Një përvojë e shkurtër në të vërtetë. E kishit menduar kështu më parë? Cilat ishin planet tuaja të rinisë së hershme për krijimin e familjes? Planet u përmbysën, apo ndodhi pikërisht siç e kishit menduar?

Megi: Kur u njohëm me Luizin, ende s’i kisha mbushur 17 vjeç. As që e mendoja një lidhje në atë moshë e aq më pak krijimin e familjes. Kisha plane të tjera, ëndërroja studimet që doja t’i kryeja jashtë shtetit. Por tashmë them se është mirë kështu siç ka ndodhur. Kam njohur njeriun e jetës sime, por pa i prishur planet e shkollës…

Një djalë që ju turbullon qetësinë ndërsa jeni ende e vogël… Një bisedë nënë e bijë në raste të tilla është e imagjinueshme: cili ka qenë reagimi i mamasë suaj kur mësoi për dashurinë tuaj? Kur ia rrëfyet? Cili ishte komenti i saj i parë?

Megi: Me mamanë kam folur gjithmonë për gjithçka. Kemi një marrëdhënie shumë të afërt. Angazhimet e saj profesionale nuk e kanë penguar që të më rrijë afër. Mund te them se jemi si dy shoqe të ngushta. Kemi folur gjithnjë e flasim për çdo gjë… Lidhjen time me Luizin ia kam rrëfyer që ditën e parë, menjëherë pas festës ku ne kërcyem bashkë. Reagimi i saj? Nuk pati ndonjë kundërshtim. Nuk tha asgjë as për faktin që ende s’i kisha mbushur 17 vjeç. Ndoshta pse kishte be – sim tek unë. Pastaj, ajo gjithmonë ka kërkuar lumturinë time. Dhe mesa, duket, e ndjente se njohja me Luizin më kishte bërë të lumtur.

Keni një vëlla të vogël. A ju ka shkuar ndonjëherë në mend: sikur të kisha një motër?

Megi: Ta kisha një motër s’do ishte keq. Por kjo nuk do të thotë se vëllai im nuk është vëllai ideal. Nuk më rrihet pa të, e dua gjithmonë pranë vetes.

Le t’i kthehemi marrëdhënies suaj. Megi, ende në shkollë, Luizi tashmë i diplomuar, në punë… jetoni bashkë, në Paris. Si funksionon marrëdhënia në shtëpi? Si i keni ndarë “detyrat e shtëpisë” mes njëri-tjetrit?

Megi: Jemi munduar të gjejmë një rrugë të përbashkët. Nuk i ndajmë detyrat, i bëjmë si të na vijnë.

Çfarë note i vini Megit si “zonjë shtëpie” ? Kuzhina, pikë e dobët apo e fortë për të? Sa e rëndësishme është për ju një grua që di të gatuajë apo një grua që dëshiron të mësojë të gatuajë?

Luizi: Si zonjë shtëpie Megit i jap 10 pikë nga 10 të mundshmet… Për të gatuar (qeshin të dy) merr vetëm 2 pikë nga 10 të mundshmet. Por nuk ka rëndësi fakti që Megi s’di të gatuajë. S’e kam aspak problem të gatuaj vetë…

Gatuani vetë?! Cili është specialiteti juaj?

Luizi: Gatuaj unë kur bëhet fjala për gjellë tradicionale. Specialiteti im është tasqebap dhe mish jahni.

Megi duket shumë fjalëpakë dhe e butë. Një imazh i jashtëm, apo kështu është ajo në të vërtetë?

Luizi: Është mirë mos ta bësh me nerva… Por në përgjithësi është e urtë.

A jeni ju burri tolerant që pranoni vendimet e të fejuarës, apo ndonjëherë (pse jo) tekat femërore?

Luizi: E dua dhe e respektoj shumë Megin, dhe mundohem që t’ia plotësoj të gjitha. Por ka një reciprocitet këtu. Ne kemi një respekt të ndërsjelltë si dhe ndikojmë në të njëjtën mënyrë te njëri-tjetri. Mund t’ju them se Megi ka ndikuar shumë në jetën time. Pikërisht ajo ka qenë pika ime e fortë për të marrë pjesë dhe në koncerte dhe festivale. Ajo më thotë gjithnjë: duhet të shkosh dhe të fitosh. Ishte ajo që këmbënguli në idenë që të studioja për juridik, ndërsa unë e kisha me përtesë pikërisht këtë degë. Por sot që e kam diplomën në xhep, i jam shumë mirënjohës. Duhet të pranoj faktin që çdo gjë që më ka kërkuar, ka qenë për të mirën time, pse jo për të mirën e të dyve.

A dini të bëni dhuratat e duhura për Megin? Sa i vëmendshëm jeni ndaj disa vogëlimave që shpesh burrat s’u vënë rëndësi? Për shembull, a bëni surpriza, a kujtoheni për datat e rëndësishme?

Luizi: Deri tani nuk kam pasur ankesa, dhe datat nuk i harroj kurrë. Sigurisht çfarë nuk harrojmë kurrë të festojmë është data e njohjes sonë: Nuk kemi shumë komplekse, bëjmë një darkë të qetë dhe romantike jashtë, rrimë deri vonë dhe kujtojmë momentet më të bukura… por dhe të vështirat që kemi kaluar.

Megi, cila është dhurata më domethënëse që do ta veçonit nga të tjerat që keni marrë nga Luizi?

Megi: E keni vënë re? Në gishtin e unazës së martesës Luizi ka një tatuazh me emrin tim… Ishte në surprizë e mahnitshme për mua.

Pse pikërisht një tatuazh, Luiz?

Luizi: Isha i vendosur që të bëja diçka që do ngelej përjetë. Ajo e meritonte që ta bëja, por fillimisht nuk dija se çfarë. Dhurata i kam bërë nga më të ndryshmet, por si të gjitha dhuratat, ose mbarohen ose vjetërohen ose prishen. Ideja e tatuazhit më erdhi kur pashë një dokumentar mbi tatuazhet më të bukur në botë.

A e keni menduar ndonjëherë një këngë kushtuar Megit ose marrëdhënies suaj?

Luizi: E kam menduar dhe do ta bëj. Teksti do jetë i bazuar mbi përshkrimin e Megit dhe krahasimeve që do t’i bëj. Si rrymë do jetë e lehtë, baladë… klipin nuk e kam menduar ende.

Po ju, Megi, çfarë mendoni në lidhje me idenë e kësaj kënge?

Megi: Ia kujtoj gati çdo ditë …dhe do të vazhdoj ta bëj derisa më në fund kënga do të jetë gati.

Çfarë planesh keni për të ardhmen? Si e mendoni familjen e plotësuar? I doni fëmijët… sa do të keni?

Luizi: Unë i dua shumë fëmijët. Do të doja të kisha pesë fëmijë. Megi nuk është kundër (ndë- rhyn Megi: edhe mua më pëlqen një familje e madhe…) Kam një motër, e cila më ka dhuruar tri mbesa të bukura. Kam një marrëdhënie të mrekullueshme me to, i dua shumë dhe më duan. Kam një keqardhje që ato jetojnë larg, në Amerikë dhe më merr shumë malli për to…

A e njohin mbesat Megin?

Luizi: E madhja po, ajo është 7 vjeç. Janë pëlqyer të dyja mes njëra-tjetrës. Ime mbesë thotë: Megi është e mirë sepse është Megi e dajës. Kurse dy të tjerat janë të vogla, njëra 3 vjeç dhe tjetra akoma s’e ka bërë vitin.

Veten e përfytyroni baba vajzash apo djemsh?

Luizi: Meqë kam mbesa, mendoj se vajzat janë shumë të mira, lozonjare, përkëdhelëse. Por, sigurisht, fëmijët janë të mirë, vajza apo djem qofshin, vetëm të jenë shëndosh dhe të kenë jetën e gjatë.

Dhe për ta mbyllur, cilat janë planet tuaja të afërta?

Megi: Duke marrë parasysh që jetojmë jashtë, dhe nuk kemi ardhur këtu për turizëm, plani numër një është që të diplomohem. Pas 2 vjetësh. Pastaj në bazë të diplomës dhe rezultateve do shohim se çfarë mund të bëj. Luizi: Unë do t’i qëndroj afër Megit, gjithmonë siç kam bërë prej 4 vjetësh, dhe do vazhdoj punën. Gjithsesi kur të kthehemi në Shqipëri do mundohem që të aktivizohem në festivale dhe koncerte që mund të zhvillohen aty.

A.M

Psikologji Shkurt 2011

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top