Ola MITRE
“Ndërgjegjësimi për osteoporozën duhet të fillojë që në moshë të re, me qëllim që të ndërmerren masa për ta parandaluar atë”. Deklarata vjen nga mjekja dhe specialistja e shëndetit publik, Lumturi Mërkuri, e cila përmes kësaj interviste, dhënë për suplementin ‘Life Pages’ të “Gazeta Shqiptare”, shpjegon gjithçka rreth sëmundjes së kockave si dhe masat kryesore që duhen ndërmarrë për parandalimin e saj.
Doktoreshë, çfarë është osteoporoza?
Osteoporoza ose kocka poroze, është një sëmundje gjatë së cilës densiteti i kockës dhe kualiteti i saj reduktohen gradualisht. Gjatë osteoporozës kocka bëhet më poroze dhe më e thyeshme. Humbja e masës kockore ndodh në mënyrë të heshtur dhe progresive, shpesh pa simptoma derisa ndodh fraktura e parë, dhe në shumë raste është ajo e cila evidenton osteoporozën. Prandaj osteoporoza është quajtur si “epidemi e heshtur”. Frakturat mund të ndodhin pas një rënieje fare të vogël apo dhe si rezultat i një aktiviteti/veprimi të zakonshëm të përditshëm. Frakturat më të shpeshta dhe më serioze janë ato të legenit dhe të shpinës.
Sa e shpeshtë është osteoporoza?
Osteoporoza është një nga sëmundjet më të zakonshme, me efekte të mëdha negative kronike dhe një problem global shëndetësor. Çuditërisht, osteoporoza është më e zakonshme sesa disa sëmundje të tjera të cilat kanë marrë sot vëmendjen e publikut. Afërsisht 30% e të gjitha grave mbas menopauzës në Amerikë dhe Europë kanë osteoporozë.
Kush mund të preket nga sëmundja e kockave?
Osteoporoza prek të gjithë, si meshkujt edhe femrat. Keqkuptimi më i zakonshëm është se osteoporoza prek vetëm femrat. Është e vërtetë se gratë në menopauzë janë më të rrezikuara për osteoporozë, prandaj shpesh ajo mendohet si sëmundje e femrave; por osteoporoza prek miliona meshkuj anembanë botës me pasoja shkatërruese. Rreziku i frakturave te meshkujt është më i madh se rreziku i zhvillimit të kancerit të prostatës. Frakturat janë më të pakta te meshkujt, por kur ato ndodhin, kanë një nivel më të lartë paaftësie e vdekshmërie sesa te femrat.
A ka faktorë që shtojnë rrezikun?
Disa faktorë duket se shtojnë rrezikun për osteoporozë. Gjinia apo mosha nuk mund të ndryshohen, ndërsa faktorë të tjerë (pirja e duhanit, alkoolit, dieta e mangët me kalcium dhe vitaminë D, mungesa e aktivitetit fizik etj.) janë të lidhur me stilin e jetës dhe mund të modifikohen.
Cilat janë shenjat e saj?
Duke qenë se humbja e masës kockore gjatë osteoporozës ndodh gradualisht dhe është e padhimbshme, nuk ka simptoma të dukshme që tregojnë se një person është duke zhvilluar osteoporozë. Për këtë arsye osteoporoza quhet “epidemi apo sëmundje e heshtur”. Megjithatë disa shenja, si dhimbja e lehtë, reduktimi i gjatësisë trupore me disa cm apo fraktura, mund të jenë të lidhura me osteoporozën. Shpesh shenja e parë e osteoporozës është fraktura/thyerja e kockës. Por, nëse dikush ka faktorë rreziku për osteoporozë, duhet të shkojë te mjeku, i cili sugjeron kryerjen e testeve specifike dhe trajtimin e nevojshëm nëse është e mundur.
Me çfarë diagnostikohet kjo sëmundje?
Për vendosjen e diagnozës rekomandohet kryerja e testit të matjes së densitetit kockor. Një numër testesh të ndryshme për matjen e densitetit kockor janë në dispozicion. Të gjithë individët mbi 50 vjeç, veçanërisht gratë në menopauzë, të cilët kanë një nga faktorët e rrezikut, duhet të bëjnë matjen e densitetit kockor. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka përcaktuar vlerat-referencë që rrjedhin nga matjet e densitetit kockor. Osteoporoza është diagnostikuar kur matja e densitetit kockor e një personi është -2.5 ose më e ulët.
Si mund të parandalohet osteoporoza?
Pas moshës 20 vjeç, hollimi i kockave është një proces natyral i cili nuk mund të ndalet plotësisht. Masa kockore e fituar gjatë rinisë është një përcaktues i rëndësishëm i rrezikut të osteoporozës gjatë jetës së mëvonshme. Prandaj, ndërgjegjësimi për osteoporozën duhet të fillojë që në moshë të re, me qëllim që të ndërmerren masa për ta parandaluar atë. Fëmijët duhen ndihmuar të kuptojnë rëndësinë e ndërtimit të masës kockore që kur janë të rinj. Ata duhen inkurajuar dhe edukuar të kenë një dietë të ekuilibruar të pasur me kalcium, vitaminë D dhe proteina, të ndërgjegjësohen për rëndësinë e peshës normale dhe ushtrimeve fizike, efektet e pirjes së duhanit dhe alkoolit mbi kockat etj. Mënyra më e mirë për të ndihmuar parandalimin e dobësimit të kockave është fillimi i aktivitetit fizik dhe zakoneve të shëndetshme të ushqyerjes që në fëmijëri, dhe ruajtja e tyre edhe në moshë të rritur. Kryerja e ushtrimeve të rregullta fizike luan një rol të rëndësishëm në ndërtimin dhe mbajtjen e masës kockore. Ato reduktojnë rrëzimet dhe përmirësojnë rehabilitimin nga frakturat. Ushtrimet janë individuale, por përgjithësisht shumica e njerëzve ka nevojë për 30-40 minuta 3 deri 4 herë në javë. Marrja e kalciumit në sasi të mjaftueshme është një tjetër masë. Sasia e kalciumit që duhet të konsumojmë ndryshon në stade të ndryshme të jetës. Kërkesat për kalcium janë të larta në vitet e adoleshencës për shkak të rritjes së shpejtë të skeletit. Me kalimin e moshës, aftësia e trupit për të absorbuar kalcium bie, dhe kjo është një nga arsyet pse edhe të moshuarit kanë nevojë për sasi më të larta kalciumi. Ushqimet e pasura me kalcium janë: qumështi dhe produktet e tij; perimet jeshile si brokoli, lakra jeshile etj.; disa fruta si portokalli, kajsia, fiqtë e thatë; arrat, bajamet; drithërat; peshku i konservuar dhe sardelet; lëngjet e frutave dhe uji mineral. Vitamina D është gjithashtu esenciale për absorbimin e kalciumit. Ekspozimi për 15 minuta në ditë në diell i duarve, krahëve dhe fytyrës, është zakonisht i mjaftueshëm për prodhimin e vitaminës D për shumicën e njerëzve. Vitamina D mund të sigurohet edhe nga ushqimet dhe suplementet. Ushqime të pasura me vitaminë D janë vaji i peshkut, veza, mëlçitë, drithërat etj. Ndjekja e një stili të shëndetshëm jete është pjesë e kujdesit për kocka të shëndetshme. Mënjanimi i duhanpirjes, pirja e moderuar e alkoolit, si dhe mbajtja brenda kufijve të normës e peshës trupore janë disa faktorë të rëndësishëm. Kafeina dhe kripa mund të rrisin humbjen e kalciumit nga trupi dhe nuk duhet të merren në sasi të tepërt. Alkooli duhet gjithashtu të merret në sasi të moderuar. Megjithëse nuk ka të dhëna bindëse që tregojnë se pijet e gazuara joalkoolike dobësojnë kockat, nuk duhet tepruar me to.
Cilat janë trajtimet në dispozicion për osteoporozën?
Në varësi nga rezultatet e testit të densitetit kockor, mjeku mund të japë medikamente dhe suplemente për të parandaluar humbjen e masës kockore. Ka një numër opsionesh trajtimi efektiv të cilat kanë treguar se veprojnë për të ruajtur densitetin kockor dhe reduktuar rrezikun e frakturave apo thyerjeve. Një mjekim i përshtatshëm i kombinuar me ndryshime të stilit të jetës mund të shmangë shumë nga frakturat. Trajtimi i osteoporozës është efektiv vetëm nëse merret ashtu siç rekomandohet nga mjeku. Trajtimi i osteoporozës zgjat për periudha të gjata kohore. Kjo gjë për shumë persona nuk është e këndshme, por nuk duhet të jetë arsye për ta ndërprerë mjekimin. Krahas mjekimit, marrja e mjaftueshme e kalciumit dhe vitaminës D është e domosdoshme, pasi ndihmon për të siguruar efektivitetin maksimal të mjekimit me medikamente.
Faktorët e rrezikut që mund të mbahen nën kontroll
- Konsumimi i lartë i alkoolit – njerëzit që pinë më shumë se 2 njësi në ditë alkool, rrisin deri në 40% rrezikun për frakturë nga osteoporoza.
- Pirja e duhanit – studimet tregojnë se ata që pinë duhan janë më të rrezikuar se ata që nuk pinë.
- Indeksi i ulët trupor (IMB< 19-20kg/m2) – që lidhet me humbjen e masës kockore dhe rritjen e rrezikut për fraktura.
- Ushqyerja e varfër me kalcium dhe proteina – një dietë e ulët në kalcium dhe proteina rrit rrezikun për osteoporozë.
- Marrja e paktë/deficiti në vitaminë D – vitamina D është esenciale sepse ndihmon në përthithjen e kalciumit në gjak.
- Aktiviteti i paktë fizik – personat që bëjnë jetë sedentare kanë më tepër mundësi për fraktura se të tjerët. P.sh., femrat të cilat rrinë ulur për më tepër se 9 orë në ditë, kanë 50% më tepër mundësi për fraktura të legenit sesa ato që rrinë ulur më pak se 6 orë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.