Nga Orjona TRESA
“Prodhuar në Shqipëri”, kjo është jeta jonë e s’mund të ndodhë ndryshe. Mes trishtimit të zakonshëm, gëzimit të rremë, të papriturave, sharjeve apo lëvdimit, ngarkesave emocionale dhe pse jo… delirit. Një karnavale “festive” e pafund, që na shoqëron herë në segmente e herë gjatë gjithë rrugëtimit në jetë. Duam apo nuk duam, dimë apo shtiremi, ky është fati i të gjithëve, një fat që na hedh tej, mes dëshpërimit apo skizofrenisë akute. “Made in Albania”, një dramë e shkruar nga Stefan Çapaliku dhe e ngjitur në skenë nga Altin Basha, sipas këndvështrimit tim, ia arriti ta përçojë mesazhin, pikërisht ashtu, me të gjitha ngjyrat.
Ato janë të vetëdijshme për hallet që u kanë rënë. Një tufë grash kokëulura mbi makina qepëse, zhurmën monotone të të cilave herë pas here e prishin ato vetë, me çirrje e ulërima ndaj fatit të tyre të mbrapshtë. Janë ato që duke rrëfyer hallet e tyre bien, ngrihen e sërish bien me shpresën e humbur, pa e ditur se ku do t’i çojë sërish e sërish. Dëgjuesi më i mirë i brengave të tyre, janë vetë ato, të 9-ta së bashku, punonjëse të një fasonerie që prodhojnë veshje “Made in Albania” për një treg të huaj. Secila me një problematikë të veçantë, ndryshe nga tjetra, mishërim i një shoqërie si kjo e jona. Ndoshta askush nuk mund ta dijë se çfarë bëhet në një kolektiv të tillë, ku zëri femëror gumëzhin kush e kush të dëgjohet i pari, ku caqet kalohen përmes dhunës fizike, ku me nderin luhet si në një “slot machines”, për fare pak para.
Drama nis me atë, sipërmarrësin e fuqishëm, që menaxhon fatet e tyre, i përbuz, i keqtrajton, i shfrytëzon me pengun e dhimbshëm, luftën për ekzistencë: “Puno për të ngrënë dhe ha për të punuar”.
Një femër e moshuar, e cila për shkak të kushteve ekonomike, duhet të punojë për t’ia dalë të nxjerrë vaktin e radhës, interpretuar nga Artistja e Merituar, Zyliha Miloti; shumë pranë saj, kolegia më e afërt, interpretuar nga aktorja Shegushe Bebeti, në rolin e një femre të vetmuar gjithashtu, të varfër ekonomikisht dhe bashkëjetuese në një fshat të mbytur nga hallet, ku përdhunimi është drama e femrave të vetmuara dhe në moshë…, e kështu me radhë, femra të cilat vuajnë nga një sërë problemesh, njëra me bashkëshortin e rënë në burg për vrasje nga dashuria, një tjetër, e cila me babanë me një këmbë në varr, përjeton në çdo moment dhimbje, por është edhe ajo, femra e vuajtur për shkak të vetmisë në çift, mungesë e plotësimit si pasojë e mentalitetit të vrazhdë të shoqërisë ku jeton…. Për ta “zbutur” paksa këtë lum vuajtjesh e piskamash, prania e Luftar Pajës në rolin e rojës së subjektit, i jepte ritëm veprës dhe grimasa humori.
Historitë e tyre janë përzierje vuajtjesh, dramash të thella, të rënda. Nga ato që i ndeshim çdo ditë, me të cilat mediat mbushin programacionin e tyre javor, e që na kujtojnë sërish çdo ditë, për të na bërë më të ndërgjegjshëm për realitetin ku jetojmë. Këtë kambanë kemi kohë që e dëgjojmë, dhe e ardhur si një vepër e arrirë në skenë, i vesh asaj dimensionin e një kohe kur duhet të bëjmë më shumë se kaq.
“Made in Albania” është krejtësisht prodhim vendas, nga ai BIO fare. Është kulm i një dëshmie ku ekonomia vazhdon të mbetet “thembra e Akilit”, ku mentaliteti shoqëror të mbyt e të fut në ngrehina të pafundme, ku mashkulli del më i forti e ku përbuzja vazhdon ta zhbëjë femrën në rolin e saj.
Kjo dramë e re e Stefan Çapalikut është edhe pjesa e tretë e veprës “Triologia Albanica”. Regjisor dhe producent ekzekutiv i këtij projekti është Altin Basha. Ndërsa skenografia dhe kostumografia është realizuar nga Iliriana Loxha, bashkë me koreografin Gjergj Prevazi dhe muzikën e Endri Sina. Shfaqja luhet në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” me aktorët: Luftar Paja, Zyliha Miloti, Shegushe Bebeti, Albana Kocaj, Eglantina Ceno, Loredana Gjeçi, Era Çaushi, Arjeta Dhima, Sara Smaja, Linda Jarani, Algiona Aga, Aleksander Seitaj, Florian Agalliu.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.