Festat dhe pushimet janë të rëndësishme. Ato na ndihmojnë të dalim paksa nga jeta e përditshme, të pushojmë, të qëndrojmë me njerëzit që duam dhe të argëtohemi. Për shumë njerëz, sidomos për prindërit, gjëja më e rëndësishme rreth festave është të kënaqin dëshirat e fëmijëve dhe t’i bëjnë ata të lumtur. Kërkimet e dekadave të fundit kanë treguar se prindërimi sot është bërë shumë intensiv, se prindërit po shpenzojnë gjithnjë e më shumë kohë, para dhe energji për t’u siguruar që fëmijët e tyre të jenë mirë.
Padyshim, fëmijët kanë kërkesa gjatë gjithë vitit, por në periudha festash, lista e dëshirave bëhet më e gjatë. “Çfarë dhurate do më bëni për Krishtlindje?” “Po për Vit të Ri çfarë t’i kërkoj Babagjyshit?” Këto janë pyetje që të gjithë prindërit i dëgjojnë, madje muaj përpara, ndaj doemos përpiqen t’u përgjigjen në mënyrë të përshtatshme, sipas mundësive të tyre. Në punën e përditshme me prindër dhe fëmijë parashkollorë, kam kuptuar se prindërit bëjnë çmos që t’ua plotësojnë dëshirat fëmijëve. Po përpara se të kalojmë te dhuratat, le të mendojmë për disa gjëra më bazike. Le të mendojmë për marrëdhënien, për bisedat, për qëndrimin së bashku, për lojën.
Studime të ndryshme tregojnë se gjatë pjesës tjetër të vitit, shumë prindër pohojnë se luajnë pak me fëmijët e tyre, se janë më të shqetësuar për shëndetin fizik se sa për marrëdhëniet dhe nga ana tjetër, shumë fëmijë thonë që rrallë bisedojnë me prindërit e tyre për gjëra të rëndësishme. Andaj, gjatë ditëve pushim, lind nevoja që familjet t’u kushtojnë më shumë rëndësi këtyre aspekteve, ndoshta më pak të plotësuara gjatë kalendarit të punës dhe shkollës.
Çfarë mund të bëjnë prindërit? Natyrisht, prindërit mund të bëjnë shumë gjëra dhe të tregohen kreativë në mënyrat se si do zgjedhin t’i kalojnë ditët pushim dhe festat me fëmijët e tyre. E rëndësishme është të qëndrojnë së bashku, jo vetëm fizikisht, por edhe emocionalisht. Studimet tregojnë se, ditët e pushimit, nëse shfrytëzohen në mënyra pozitive për të nxitur lojën, kuriozitetin, kontaktin me natyrën dhe me mjediset stimuluese, nxisin zhvillimin e trurit te fëmijët, ulin nivelin e stresit dhe shtojnë afeksionin ndaj të tjerëve (Panskepp, 2016).
Festat duhen parë si periudha të lumtura dhe të shkujdesura, gjatë të cilave mund të krijohen eksperienca të reja dhe mundësi për të pushuar, për të luajtur, për të krijuar kujtime dhe për të zhvilluar aftësi sociale të rëndësishme. Neuroshkencëtari Bruce Perry ka thënë: “Gjendjet emocionale bëhen tipare personaliteti”, ndaj ditët e pushimit duhen përdorur me mençuri për t’u kthyer në një kohë cilësore mes prindërve dhe fëmijëve. Mirëpo, jo të gjithë prindërit arrijnë t’ia dalin mbanë “sfidave” të tilla. Për disa, festat nuk janë ajo periudha “gjithë shkëlqim” e vitit që presin me padurim ta shijojnë dhe kjo mund të vijë për arsye të ndryshme. Do të veçoja dy faktorë që mendoj se mund të pengojnë familje të caktuara për të përjetuar “magjinë” e festave.
Të parën në listë do të vendosja gjendjen financiare. Në çdo shoqëri ka familje në vështirësi ekonomike, familje me të ardhura të ulëta ose shumë të ulëta, që nuk arrijnë dot të plotësojnë nevojat bazë, që nuk sigurojnë dot as të mirat e shportës, që mund të mos kenë asnjë mundësi për të përballuar as nevojat e fëmijëve në ditë festash. Mendoni si ndihen këta fëmijë, ndërkohë që moshatarët e tyre flasin për dëshirat që kanë ose po hapin “me mendje” dhuratat që do gjejnë poshtë Pemës së Krishtlindjeve. Edhe fëmijët e familjeve të varfra kanë dëshira, por dëshirat e tyre ndonjëherë nuk u ngjasojnë dëshirave të fëmijëve të tjerë. Këta fëmijë do dëshironin të kishin një xhup më të ngrohtë, një palë çizme të forta, një pjatë gjellë dhe një krevat ku të flinin.
E dyta në listën time do të ishin familjet e ndara ose prindërit e divorcuar. Si janë fëmijët e tyre në prag festash dhe pushimesh? Me kë do të festojnë ata? Me mamin apo me babin? Realiteti i këtyre prindërve është i vështirë, ata shpesh mund të mos merren vesh bashkë për të plotësuar nevojat dhe dëshirat e fëmijëve të tyre. Ndoshta dëshira e tyre më e madhe do ishte që prindërit të bashkoheshin, një dëshirë që do mbetet e parealizuar.
Përtej familjeve që përmenda, patjetër edhe familjet e tjera kanë sfida gjatë këtyre festave. Mjedisi përreth nesh është përplot stimuj joshës që na grishin për të shpenzuar shumë e më shumë. Pavarësisht këtyre tundimeve të jashtme, shumë familje mund të zgjedhin të ndjekin një rrugë më pak “materiale” dhe më të fokusuar te “shpirtërorja”. Çfarë mund të bëjnë prindërit së bashku me fëmijët gjatë festave? Më poshtë kam listuar tre gjëra që familjet mund të bëjnë për t’i përjetuar festat me më shumë gëzim:
Dhurata të vogla me kuptim të madh
Më pak dhurata, më pak të shtrenjta dhe më shumë veprime të vogla me kuptim të madh. Çdo fëmijë i pëlqen dhuratat dhe mbase nuk do të mërzitej as me një mal me dhurata. Po askush nuk mund të ketë gjithçka. Si mund të kufizohen në mënyrë të arsyeshme dhuratat që marrin fëmijët? Duke vlerësuar mundësitë, nevojat dhe dëshirat dhe duke krijuar kategori dhuratash: veshje, libra, lodra etj. Disa dhurata që mund të marrin prindërit, mund të jenë me pjesë që mund të ndahen me njëri-tjetrin, të tjerat mund të jenë të veçanta për secilin fëmijë. Disa dhurata mund të merren edhe të përdorura, nëse të rejat nuk përballohen dot nga prindërit. E rëndësishme është që këto lodra të jenë stimuluese dhe interesante.
Më shumë sesa dhuratat e mëdha dhe të shtrenjta janë disa gjëra që në fakt nuk janë “mall” e “gjë”, por veprime, gjeste dhe fjalë. Veprimet e vogla të përkujdesjes, mirësjelljejes dhe durimit do t’u mësojnë fëmijëve si të sillen me të tjerët. Po ashtu, lojërat së bashku janë vitale për lidhjen emocionale me fëmijët. Këto lojëra i dërgojnë fëmijës mesazhin: “Ti ke gjithë vëmendjen time dhe unë kënaqem duke qëndruar me ty”.
Më shumë përvoja dhe kujtime
Ka shumë mënyra se si mund t’u krijojmë përvoja të reja fëmijëve, me shumë pak kosto. Disa prindër mund të bëjnë kartolina ose karta speciale për fëmijët, të cilat përmbajnë “shpërblime” të vogla, si p.sh., të qëndrojë pak më gjatë me shokët apo shoqet jashtë, të rrijë pak më tepër me iPad-in, të shohë një film të preferuar apo të shkojë një vend që i pëlqen. Truri i mbledh kujtimet dhe i ruan ato. Sa më shumë kujtime të bukura të mbledhim, aq më të lumtur do të jemi. Çfarë mund të bëjnë të rriturit që të krijojnë sa më shumë kujtime pozitive me fëmijët? Të qëndrojnë me ta, të kapin çdo çast dhe ta kthejnë në argëtim. Mund ta pyesim edhe vetë fëmijën: “Cila është gjëja që do të dëshiroje të mbaje mend nga ky vit?”
Më pak egoizëm dhe më shumë bujari
Fëmijët nuk lindin bujarë, por ata mund të mësohen të bëjnë gjeste të vogla bujarie që do t’u shërbejnë në jetë. Prindërit duhet të jenë vetë një shembull bujarie, që fëmijët të mësojnë prej tyre. Gjithashtu, ata duhen inkurajuar për mundësitë që kanë. Kur një fëmijë kërkon diçka, mund t’i themi: “E shoh që po e dëshiron shumë dhe të kuptoj, por dua të më ndihmosh me një projekt që kam. Ka disa familje që kanë nevojë për ndihmën tonë për festat, me dhurata dhe ushqime. Le të mendojmë se çfarë mund të dëshirojnë ata. Ne i kemi gjërat që duam, ndaj, le të ndihmojmë të tjerët që të kenë atë që duan. Çfarë mund të bëjmë? Kartolina? Të gatuajmë diçka speciale? Të blejmë dhurata?”
Kërkimet me fëmijët tregojnë se çfarë ndodh me botën e brendshme të fëmijëve kur ata u dhurojnë të tjerëve. Procesi i dhurimit i ndihmon fëmijët të ndihen më mirë me veten, të bëhen më empatikë dhe të ndërtojnë marrëdhënie pozitive me të tjerët.
Ndaj, në këto festa, le të jemi me shpirt pak më afër me fëmijët dhe t’u mësojmë atyre se “magjia” e vërtetë e festave gjendet te veprime të vogla me shumë kuptim.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 150
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.