Për sa i përket sasisë, magnezi është i katërti mes mineraleve të pranishëm në trupin tonë dhe është thelbësor për shëndetin tonë. Afërsisht gjysma e magnezit që përmbahet në trupin tonë gjendet në kocka; vetëm 1% është e pranishme në gjak. Trupi i njeriut duhet të bëjë shumë përpjekje për të ruajtur nivelin e mjaftueshëm të këtij minerali.
Ndër funksionet e magnezit mund të kujtojmë: ai mban funksionin normal të muskujve dhe nervave; rregullon rrahjet e zemrës; mban sistemin imunitar në mënyrë efikase; forcon kockat. Por jo vetëm kaq: promovon rregullimin e glukozës; ndihmon në normalizimin e presionit të gjakut; është thelbësor në metabolizmin e proteinave.
Disa studime duket se kanë gjetur një lidhje mes magnezit dhe parandalimit apo trajtimit të disa sëmundjeve si hipertensioni dhe diabeti, por duhet të thuhet se nuk ka prova përfundimtare për këtë marrëdhënie. Magnezi i marrë përmes dietës thithet në zorrën e vogël dhe më pas eliminohet përmes veshkave.
Kur të merrni magnez? Nëse i përmbaheni një diete të shëndetshme dhe të larmishme, zakonisht nuk ka nevojë të merrni suplemente të magnezit. Një i rritur duhet të marrë së paku 240 miligram në ditë.
A ka ndonjë efekt anësor? Nëse merret normalisht me ushqim, nuk jep asnjë problem. Në rast të dozimit të tepërt nga shtesat, më së shumti mund të ketë diarre ose dhimbje barku. Mund të gjendet në perime me gjethe, të tilla si spinaq, por edhe në disa bishtajore si fasulet dhe bizelet.
Simptomat fillestare të mungesës së magnezit mund të jenë: humbja e oreksit, nauze, të vjella, lodhje dhe dobësi. Nëse gjendja përkeqësohet, mpirje dhe ndjesi shpimi gjilpërash, mund të shfaqen ngërçe të muskujve dhe kërcitje, konvulsione, ndryshime të personalitetit, anomali të rrahjeve të zemrës dhe spazma koronare.
Burimi / https://www.pianetadonne.blog/
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.