A mund të jetë faktor tërheqjeje nga profesioni pushteti financiar që mund të të sigurojë partneri? Asnjëherë! Madje kurrë nuk duhet hequr dorë nga vetja. Gjykuese si mendësi? Aspak. Për Majlinda Ketën, të qenit femër, me një karrierë të arrirë dhe përmbushje në aspektin familjar, asnjë grua nuk duhet ta shohë këtë si mundësi për të lënë pas punën dhe detyrimet që e përmbushin atë.
A do të hiqnit dorë nga karriera nëse situatën financiare do t’jua siguronte partneri?
Karriera është një proces që çdo individ thelbësisht e ndërton vetë. Ajo lind dhe rritet bashkë me ty në çdo ditë të jetës ku TI mbetesh motori i saj. E ndërtuar thelbë- sisht, ajo shpreh thelbin tënd. Nuk gjykoj se situata financiare që do të më siguronte bashkëshorti do të merrte “fuqinë” e një vendimmarrjeje ku unë do hiqja dorë nga karriera. Kjo, pasi janë gjëra më të qenësishme që unë do t’ia respektoja vetes sime. Por më duhet të pranoj se situata financiare familjare ndikon që ta “bësh” më të menduar qetësisht, ta shtosh me më shumë mundësira zgjedhjeje në kohë e hapësirë orientimin tënd për karrierën. Le të themi që do gjeja një raport më elastik midis të domosdoshmes profesionale për jetesë dhe aktivitetit human, vullnetar në shoqëri.
Çfarë do t’u këshillonit grave që janë të gatshme të heqin dorë nga ambiciet profesionale?
Do t’u thosha që cilësia në rritjen e tyre profesionale, domosdoshmërisht do të shoqërohet me përfitime të paçmueshme në mëmësi, prindërim dhe jetë bashkëshortore e shoqërore. Ato do të jenë mama të suksesshme, prindër të arrirë, shok jete, përmes modelit me përgjegjësi dhe angazhim në familje e kontributore me vlera shoqërore. Prej fuqisë së femrës burojnë të gjitha fuqitë e një kombi, të një shteti, të së shenjtës familje dhe domosdoshmërisht edhe vetes tënde.
Botuar në revistën Psikologjia, nr.65
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.