Të folurit në publik është një prej frikave që e kanë një numër i madh njerëzish, madje ka edhe nga ata që shkojnë gjer në ekstrem dhe e vendosin atë në të njëjtin nivel me frikën e vdekjes. Por kjo lloj frike është një prej më të këqijave që ju mund të keni, sepse mund të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë negativisht në karrierën tuaj.
Disa prej shenjave të para janë nervozizëm, pëllëmbët tuaja djersitin, ndiheni sikur ju dhemb stomaku etj. Por edhe pse është një prej frikave që kanë një pjesë e madhe njerëzish, ajo mund të kalohet nëse ndiqni disa prej këshillave të mëposhtme:
1) Jini sa më të organizuar
Kur ju i keni mendimet tuaja të organizuara në mënyrën më të mirë të mundshme, kjo do t’ju vijë në ndihmë që të ndiheni sa më të qetë. Kur ju i keni të qarta mendimet tuaja, do ta keni shumë më të lehtë për t’i renditur ato ashtu siç duhet, duke folur pak, por duke thënë thelbin e atyre që duhet. Kjo gjë do t’ju ndihmojë që të jeni sa më pak nervozë, sepse duke i pasur mendimet e qarta, ju do të përqendroheni në gjënë më të rëndësishme, suksesin e fjalimit tuaj.
2) Praktikë dhe parapërgatitje
Asgjë nuk mund ta zëvendësojë praktikën dhe parapërgatitjen përpara mbajtjes së një fjalimi. Hidhni në letër pikat kryesore të fjalimit tuaj që t’i keni me vete në momentin e prezantimit, por këshillohet që të mos i lexoni fjalë për fjalë por të mundoheni t’i memorizoni përpara dhe ta thoni mbi një herë të gjithë fjalimin tuaj nga fillimi deri në fund. Një gjë e tillë do t’ju rrisë vetëbesimin.
3) Refuzimi nga audienca
Kjo është një prej frikave që ka lidhje të drejtpërdrejtë me të folurin në publik, gjë të cilën duhet ta eliminoni duke hequr nga mendja mendime negative të tilla si: Po sikur publiku të mos më pëlqejë, po sikur të brohorasin kundër meje? Hiqini këto mendime sepse publiku është aty për t’ju dëgjuar dhe ka ardhur me dëshirën e tij të plotë.
4) Fjali sa më të shkurtra
Një prej gjërave më të rëndësishme në të cilën ju duhet të përqendroheni kur flisni në publik është ritmi. Fjalimi juaj nuk duhet të jetë i mërzitshëm, sepse audienca do të humbte përqendrimin, prandaj fjalitë tuaja duhet të jenë të shkurtra dhe të sakta.
5) Pasqyra
Praktikojeni fjalimin përpara pasqyrës duke menduar se para jush ndodhet publiku. Duhet të bëni shumë kujdes me gjuhën tuaj të trupit, si p.sh.: me shprehjet tuaj të fytyrës; me gjestet, lëvizjet e trupit etj.
6) Regjistrojeni veten
Regjistrojeni veten në telefonin tuaj që nga fillimi i fjalimit e deri në fundin e tij. Më pas dëgjojeni ose shikojeni për të evidentuar të gjitha ato pika që mund të përmirësohen.
7) Frymëmarrja
Duhet të bëni kujdes me frymëmarrjen gjatë prezantimit të fjalimit sepse ajo ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në të. Nëse nuk merrni frymë, ju do të flisni shumë shpejt dhe publiku do ta ketë të pamundur për t’ju ndjekur. Ky është një ushtrim të cilin duhet ta praktikoni përpara se të mbani fjalimin. Pas çdo fjalie këshillohet të pushoni disa sekonda, duke u çlodhur edhe vetë por edhe duke e bërë publikun të kuptojë se ju po kaloni në një fjali tjetër. Pushimet më të gjata përkthehen në fillimin e paragrafit të ri.
8) Kurse mbi të folurin në publik
Nëse duhet të prezantoni shpeshherë fjalime në publik dhe bëni pjesë tek ata persona që kanë frikë nga të folurit në publik, atëherë këshillohet që të regjistroheni në kurse profesionale, ku përveçse do të ndani frikën edhe me njerëz të tjerë që vuajnë nga e njëjta gjë ju do të mësoni disa praktika mjaft efikase për ta kapërcyer atë sa më lehtë.
9) Mos u stresoni
Edhe disa prej njerëzve më të famshëm dhe më të suksesshëm si Warren Buffet kanë ankth dhe madje edhe frikë kur flasin në publik. Por sipas intervistave të shumta të dhëna prej tij, ai shprehet se e ka sforcuar veten, duke folur sa më shumë të mundej sepse e ka parë këtë si një prej mundësive të vetme për të kaluar këtë lloj frike.
10) Përqendrohuni në fjalimin tuaj dhe jo vetëm tek audienca
Përqendrohuni në fjalimin tuaj, në atë çka ju po prezantoni, në mënyrë të tillë që të përçohet ashtu siç duhet mesazhi të cilin po jepni. Prandaj përqendrohuni më shumë në një pikë të tillë, sesa të shqetësoheni për mendimin apo reagimin e audiencës.
11) Relaksohuni dhe mos e mendoni fare frikën tuaj
Nëse ju vendosni të dilni në publik për të prezantuar fjalimin tuaj, atëherë këshillohet që ju të mos e mendoni fare frikën tuaj, sepse nëse ju e mendoni atë, ajo mund t’ju kthehet kundër dhe mund të ndodhë që edhe të bllokoheni gjatë prezantimit.
12) Reagimi i audiencës
Do të jetë gjithmonë dikush në mesin e publikut përpara të cilit ju do të prezantoni fjalimin tuaj që nuk do të jetë dakord me disa prej pikave që ju do të thoni. Do të ketë edhe persona të cilët do të mërziten dhe nuk do ta aprovojnë atë çka ju po prezantoni, prandaj këshillohet që ju të mos përqendroheni tek këto lloj reagimesh sepse vetëm do të ndikojnë negativisht dhe asgjë më shumë./Monitor
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.