Me një krijim që goditi që në prezantimin e parë, “Mall” e Eugent Bushpepës arriti të fitojë zemrat e publikut, duke rrëmbyer njëherësh në festivalin e fundvitit të Radio Televizionit Shqiptar çmimin e parë. Trofeu i merituar e bëri njëherësh konkurrent të një tjetër festivali të rëndësishëm evropian, siç është Eurosong.
Shorti u hodh, Shqipëria do të jetë e katërta në garën e këngës europiane. Eugent Bushpepa, si përfaqësues i Shqipërisë në edicionin e radhës në Festivalin Europian, do të këndojë mbrëmjen e parë gjysmëfinale të 8 majit, që do të zhvillohet në Lisbonë të Portugalisë. Bushpepa do të këndojë këngën “Mall”, e shpallur fituese në edicionin e fundit të Festivalit të Këngës në RTSH, me tekst dhe muzikë të krijuar nga vetë ai. Natën e parë gjysmëfinale të festivalit do të konkurrojnë 19 këngë, ndërsa në të dytën 18. Nga të dyja netët do të dalin nga 10 këngë finale.
“Mall” ishte fryt i një kompozimi nga një përjetim personal i kantautorit Bushpepa, një këngë gati himn për tingëllimin e saj me motive etno-rrok. Kënga e Bushpepës ishte më e klikuara në youtube ku edhe publikuan këngët përpara zhvillimit të festivalit. Uroj që këtë herë të marrim njëherësh vlerësime po aq pozitive sa shënoi konkurrimi i parë.
Ende nuk dihen detaje rreth mënyrës se si Bushpepa do të paraqitet në skenën portugeze. Flitet se kantautori ka preferuar t’i qëndrojë variantit shqip.
Përgatiti Orjona Tresa
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.