Marrëdhënie

August 14, 2016 | 9:30

Manjola & Esdalin Gorani: Intuita i ruan ekuilibrat

Mëngjeset janë të shpejta, me ngarkesat e secilit. Shkarazi një gotë qumësht, ndoshta kafe, përkujdesi ndaj bijës së vogël dhe vrap për në sipërmarrjen private. “Pa prit! Harrova çelësat e makinës. O perëndi! Për be, ky refren do të ma hajë shpirtin. Përditshmëria, çfarë ‘luksi’ nervash. Kujdes, – ia pret ajo. – Mos harro provat, takimin me kastin e operës, por… edhe fëmijët e kursit ‘Jump&Dance’. Shiko, se kur të kthehesh na duhet të shpenzojmë për shtëpinë”. Ky refren i mëngjeseve mund t’i përkasë gjithsecilit prej nesh. Mjafton që me ‘kripën’ të mos abuzohet. E them këtë sepse, në disa raste, përkatësitë e njërit apo tjetrit prej partnerëve mund ta shndërrojnë raportin në grindje dhe zënka për t’u varur buzët. Përvoja e gjatë  mbart të dyja. Edhe “sheqerin”, ëmbëlsinë që mund të përgatitet me tolerancë, sakrificë dhe mirëkuptim. Ata e kanë kaluar pragun e vështirësisë. Rrezikun që një lidhje mund të shkojë në krisje. Mbi një dekadë së bashku i kanë provuar të gjitha. E ku ka më mirë. Sepse, siç e pohojnë vetë dy artistët, Manjola dhe Esdalini, ky rrugëtim me pengesa ndikon në rritjen dhe pjekurinë e lidhjes në çift. “11 vjet së bashku e koha ka kaluar si pa kuptuar”, – rrëfen Esdalini. Kjo dhe për shkak të angazhimeve profesionale. Marrëdhënia është rritur natyrshëm, pa u sforcuar, duke mos i cenuar ekuilibrat e secilit prej partnerëve. Për Esdalinin është: “Një marrëdhënie reciproke ndjenjash të mira, respekti, përkrahje në ditë të mira e të këqija. Jeta jonë këto 11 vjet pa diskutim ka qenë shumë dinamike, kjo për faktin se jemi të dy artistë të të njëjtit profesion e në të njëjtin institucion. Vitet e para të lidhjes kanë qenë pasionante, si çdo çift i ri që nuk ka shumë angazhime të tjera, por koha dhe sipërmarrjet profesionale jo se e zbehën pasionin, por zunë më shumë vëmendjen tonë pa harruar njëri-tjetrin. Ardhja e vajzës sonë, Olesias, e forcoi edhe më shumë marrëdhënien mes nesh. Mundohemi të gjejmë kohën për të qenë të pranishëm në jetën e saj, gjë që na mban pranë edhe më shumë me njëri-tjetrin, për t’i krijuar një ambient familjar sa më të ngrohtë e të shëndetshëm”. Pavarësisht ngarkesave, kulmit të karrierës së dy të rinjve tepër të talentuar e modele të suksesshme në artin e baletit, asgjë nuk e pengon intimitetin e tyre. Ola më tregon se bukuria e lidhjes pikërisht këtu qëndron, kur mbi supe ia del të mbash fort edhe vështirësitë. “Ne e morëm parasysh këtë risk që në hapat e parë. Ka pasur momente disi kritike, sidomos në fillim, të qenët krijues, secili mbronte idetë e veta, por kur e pamë që jo vetëm po i bënim dëm njëritjetrit, por edhe krijimtarisë, e pamë të udhës të gjejmë një ekuilibër nëpunë. Megjithëse unë, Ola, jam me tezën: Ku ka debat, ka progres. Tani, jo se debati mungon, por është më konstruktiv, duke respektuar mendimet e njëri-tjetrit. Të gjesh ekuilibrin në jetë është sekreti për çdo aspekt të saj. Dhe ne, me intuitën që na karakterizon të dyve, e gjejmë këtë ekuilibër sa herë nevojitet”.

Pikat e dobëta bëjnë mirë

Për çiftin e artistëve, rutina është ndoshta sëmundja më e keqe në marrëdhënie. Detyrimet në punë e familje, angazhimet, bëjnë të kthehesh në motor, i zhveshur nga ndjenjat dhe emocionet, e dashur pa dashur harron partnerin. Nëse arrin të jesh kreativ, sipas Olës dhe Esdalinit, të dëgjosh partnerin kur ai flet, pra hapet me ty, të ketë komunikim e të mos humbasë respekti i ndërsjellë në asnjë moment, nuk do të shfaqej kjo sëmundje që është e dëmshme për çiftin. Ata janë të sinqertë me veten, dhe kjo u ka shërbyer duke qenë objektivë. Po kështu, edhe me partnerin, sepse sinqeriteti i tepërt nganjëherë prish punë. Pra, përsëritet prapë nevoja e ‘të mesmes së artë”. Ata thonë se: “Asnjë nuk është perfekt. Mendojmë se të dy kemi dobësitë tona, ato pika që ndoshta s’na pëlqejnë te njëri-tjetri, por kjo është një marrëdhënie e mirë në çift. T’ia vësh në dukje defektin tjetrit, por pa qenë e nevojshme ta ndryshosh atë, pasi në fund të fundit prandaj njerëzit kërkojnë të jetojnë me dikë në krah, ta pranojnë partnerin me të mirat e defektet që kanë”. Sikundër kur bëhet fjalë për detyrimet familjare, në shtëpi, ato i kanë ndarë në mënyrë joverbale, në heshtje. “Nëse unë merrem me punët e shtëpisë apo gatimin, – tregon Ola, – Esdalini merret me vajzën. Pra, kjo është një ndarje detyrimesh. Nuk e kemi qëllim në vetvete që gjithçka duhet me patjetër të ndahet në detyrimet në shtëpi. Secili nga ne merr detyra e i përfundon ato pa qenë e nevojshme t’i përmenden më pas tjetrit. Kjo e bën edhe më të shëndetshme marrëdhënien tonë”.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.78

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top