Dëshmi

December 27, 2018 | 10:05

Manjola Gusho, ortodontja që sjell artin e buzëqeshjes!

manjola-gushoKur vendosët të bëheni një Ortodonte dhe përse Ortodonci?

Vendosa të studioja ortodonci në vitin e fundit të studimeve të fakultetit. Pas provimit të ortodoncisë vura re që i shikoja njerëzit ndryshe, si i kishin dhëmbët të pozicionuar, buzëqeshjen, profilin. Në këtë kohë kuptova se ortodoncia kishte filluar të më bënte peng të saj. Më pëlqente të shikoja njerëz që buzëqeshnin bukur, ata dukeshin më tërheqës, më të suksesshëm, mund të krijonin marrëdhënie më lehtë. Rruga drejt ortodoncisë ishte e gjatë, me sfida, por buzëqeshjet e pacientëve në fund të trajtimit janë një frymëzim dhe një kënaqësi për të ecur gjithmonë përpara. Është vërtet fantastike të shikosh pacientët kur buzëqeshin pasi kanë mbaruar trajtimin dhe në shumë raste se si iu rritet vetëvlerësimi.

Ç’mund të na thoni për studimet tuaja?

Studimet e larta për stomatologji dhe specializimin 3-vjeçar për Ortodonci i kam kryer në Rumani. Të jesh Ortondont është një rrugë e gjatë, jo me pak sfida, por kjo më ka bërë të mundur të ndikoj në jetët e shumë njerëzve, duke iu përmirësuar buzëqeshjet. Për momentin jam duke punuar për të mbrojtur doktoraturën me një temë mbi teknikat bashkëkohore në ortodonci dhe punoj si pedagoge e jashtme pranë fakultetit të Mjekësisë Dentare. Ortodoncia është një proces ku e mësuara zgjat përgjatë gjithë jetës,ku çdo ditë dalin gjëra të reja për t’u mësuar.

Çfarë ju pëlqen në profesionin tuaj?

Unë jam shumë me fat në atë që bëj. Punoj me të gjitha moshat e njerëzve që kujdesen për shëndetin dhe pamjen e tyre. Si një mjeke ortodonte merrem me raste të ndryshme, që nga trajtimet parandaluese të anomalive tek fëmijët, trajtimet mbi ndryshimet e pozicionit të nofullave (aparatet e ndryshimit të rritjes dhe zhvillimit), trajtime për të rriturit, trajtime ortodontiko-kirugjikale. Më pëlqen profesioni im, më jep mundësinë të mësoj dhe të rritem vazhdimisht. Ortodontët mund të konsiderohen artistë, ata krijojnë buzëqeshje të individualizuara për pacientët e tyre. Ajo që më pëlqen më shumë është të shikoj .buzëqeshjet. e lumtura në fund të trajtimit!

Çfarë ju pëlqen më pak në profesionin tuaj?

Në një trajtim ortodontik nuk mjafton vetëm puna e ortodontit, kualifikimi i tij, manualiteti, shumë i rëndësishëm është bashkëpunimi mjek-pacient. Trajtimet janë të gjata dhe impenjuese si për mjekun ashtu dhe për pacientin. Ne firmosin një marrëveshje në fillim në trajtimit, ku e informojmë pacientin për llojin e trajtimit, kohëzgjatjen, si dhe për detyrat dhe detyrimet e tij. Atëherë kur këto të fundit nuk respektohen nga pacienti, trajtimi nuk ecën sipas parashikimeve, pikërisht kjo mungesë bashkëpunimi nuk më pëlqen, sepse atëherë nuk arrihen rezultate e dëshiruara. Në ortodonci, bashkëpunimi dhe kontaktet vazhdojnë dhe pas mbarimit të trajtimit aktiv. Pas përfundimit të trajtimit fillon periudha pasive, ajo e ruajtjes së rezultatit. Ne i shohim pacientët në mënyrë periodike, sepse rezultati i arritur ka nevojë që të ruhet me anë të aparateve të retensionit (të ruajtjes së rezultatit). Atëherë kur pacientët nuk respektojnë këshillat pas mbarimit të trajtimit, nuk paraqiten në vizita të rregullta, rezultati i trajtimit komprometohet dhe kjo është ajo që më mërzit më shumë se çdo gjë tjetër në profesion. Pacientët duhet të kuptojnë se ortodoncia është një trajtim që zgjat disa vite, por efektet i zgjasin gjithë jetës!

manjola-gusho

Çfarë mendim keni për mjekët e përgjithshëm që praktikojnë ortodonci?

Unë mendoj që mjekët e përgjithshëm mund të praktikojnë trajtime ortodontike në klinikat e tyre nëse kanë njohuritë e mjaftueshme, por ata duhet të kuptojnë dhe të pranojnë limitet tyre dhe të mos marrin në trajtim raste, të cilat i kapërcejnë aftësitë e tyre. Mund të bëjnë trajtime të thjeshta parandaluese tek fëmijë, drejtime të thjeshta dhëmbësh, por jo raste të vështira. Ortodontët kanë njohuri më të thella, më shumë eksperiencë dhe më shumë eficencë në trajtimet e tyre. Ka kaq shumë zgjedhje, nuanca dhe hollësi që mund të ndikojnë rezultatin e një trajtimi ortodontik. Dhe të gjithë këta faktorë bëjnë dallimin ndërmjet dhëmbëve që janë të drejtë dhe një buzëqeshje që të mahnit, ky quhet arti i ortodoncisë.

Si e shikoni ortodoncinë në vitet e ardhshme?

Ortodontët do vazhdojnë të përmirësojnë trajtimet ortodontike duke përdorur programet kompjuterike për planet e trajtimit. Masat, të cilat i marrim tani me mënyra manuale (lugë e alginat) do të zëvendësohen me skanera intraoralë. Trajtimet do të avancojnë, do të kemi trajtime të individualizuara , të cilat janë më precize dhe kërkojnë më pak kohë nga mjeku për t.u aktivizuar, vizita më të rralla dhe të gjitha këto do të çojnë në një kohë trajtimi më të shkurtër me rezultate fantastike.

Si e kaloni kohën e lirë? Ndonjë hobi?

Kohën e lirë në përgjithësi e kaloj me familjen time, ne kemi dy fëmijë të vegjël, një djalë 5 vjeç dhe një vajzë një vjeç, të cilët kërkojnë shumë impenjim, por dhe na japin shumë kënaqësi. Më pëlqen të takohem me miq, të vjetrit dhe më të rinj, ose në mungesë të kohës për t’u takuar të bisedojmë në telefon. Më pëlqen të lexoj libra, por më duket që është nga ato hobe, të cilave u kam hyrë më shumë në hak në këto kohë me shumë angazhime profesionale dhe familjare.

Çfarë mesazhi keni për lexuesit tanë?

Prindër, çojini fëmijët tuaj për vizita tek mjeku specialist Ortodont pas moshës 7 vjeçare. Jo domosdoshmërisht mund të kenë nevojë në atë moshë për trajtim ortodontik, por ju do të informoheni nëse fëmija juaj mund të ketë një anomali të mundshme dhe duke e ditur mund të ndërhyhet në kohë për parandalim ose për trajtim të hershëm. Për pacientët e rritur, mos hezitoni të filloni një trajtimin ortodontik, i cili ju dhuron një buzëqeshje tërheqëse dhe i lejon botës të shohë bukurinë, jo vetëm në sipërfaqe, por edhe brenda secilit prej jush. Ortodoncia është me të vërtetë një formë arti dhe unë ndjehem shumë me fat që jam pjesë e saj.

Rruga “Fadil Rada”, Nr.1, Shk.1, Ap.1, |  pranë Ministrisë së Mjedisit, Tiranë.

Cel klinika: +355 69 81 62 505  |  +355 69 22 46 044  |  [email protected]  |  Manjola Gusho Ortodont

klinika_dentare_manjola_gusho  |  www.manjolaortodont.al

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top