Marrëdhënie

June 23, 2016 | 8:06

Manjola Trebicka: Krenare për babanë!

2Ata nuk ishin thjesht babë e bijë, por më shumë se kaq. Një marrëdhënie e përkryer që shoqërohej nga një miqësi e ngushtë, e pashoqe, që mbahej gjallë, edhe pse në distancë. Ai e dinte se, edhe po të bënte kritika apo t’i jepte një mal me këshilla, ajo nuk do t’ia prishte kurrë. Madje, sa herë prefiksi shënonte +33, ai nxitonte ta ngrinte receptorin i pari, sepse kishte aq shumë nevojë të ndiente zërin e Manjolës, t’i zbrazte gjithçka kishte mbledhur me veten. Kjo ishte një mundësi e shkëlqyer në vend të një filxhani çaji apo një bisede në ballkonin e shtëpisë përballë njëri-tjetrit. Një vit e gjysmë nga humbja e njeriut më të dashur, edhe pse e dinte që do të vinte ajo ditë, e bija e aktorit të merituar, të madhit Roland Trebicka, na sjell emocione nga jeta me artistin baba. Për Manjolën, humbja e njeriut të shtrenjtë të familjes e të zemrës ishte e parakohshme, por dhe e pritshme nga situata shëndetësore ku ai gjendej. Përballja me diagnozën dhe fakti që një ditë nuk do të mund t’i dëgjonte më zërin apo ta shikonte ishte gjëja më e vështirë. Prej 22 vjetësh ajo ka ndërtuar jetën e saj në Francë, por megjithatë shpirti i saj jeton me periudhën më të bukur që ka kaluar deri 22 vjeçe, kur iu desh të shpërngulej për të ndjekur studimet pasuniversitare.

Sa ju mundon mungesa e babait?

Kjo dhimbje shumë e madhe, nuk erdhi e papritur. Ajo është zëvendësuar me një lloj tjetër komunikimi. Një buzëqeshje me vetveten, kur mendoj se, po të ishte babi, sa do të kishim qeshur për një subjekt, sa do të kishim debatuar, sa do të kishim folur e kujtuar situata të njëjta të së kaluarës. Në Francë u edukova me filozofinë “rien est grave”, (asgjë nuk është e tmerrshme), që vdekja është pjesë e jetës. Ajo që ka më shumë rëndësi është cilësia e natyrës së marrëdhënieve, ajo që mund t’i themi apo shkëmbejmë me njëri-tjetrin. Në këtë drejtim kam një lloj qetësie shpirtërore, sepse, megjithëse larg, ne ishim dhe do të jemi gjithmonë shumë afër.

Çfarë ndanit të përbashkët me babanë?

Babi kishte inteligjencën të kuptonte se fakti që nuk isha totalisht “dakord”, nuk do të thotë që isha “kundër”. Ai mësoi që prej 1992, në marrëdhënie me mua, të shikonte të gjitha anët dhe aspektet e një çështjeje, e që një situatë, një fakt, një ngjarje, nuk mund të jetë “totalisht e mirë” ose “totalisht e keqe”. Ne mësuam me njëri-tjetrin të dëgjonim deri në fund argumentet tona pa ia ndërprerë fjalën njëritjetrit dhe që, në fund të fundit, gjithçka është subjektive. Pikëpamjet tona mund të ndryshonin e të evoluonin, por në thelb ishim totalisht “dakord”. Sepse kisha trashëguar nga familja parimet thelbësore: sensin e besnikërisë, të drejtësisë, të ndershmërisë e “le bon sens”.

A mund të na rrëfeni një çast të paharruar me të?

E dija në mënyrë direkte ose indirekte që babi ishte shumë krenar për dy vajzat e tij. Shpeshherë më thoshin që ai fliste gjithmonë me një lloj krenarie për mua. Mundësitë për të qenë krenar jepeshin nga fakti që studiova, punova dhe jetoja në mënyrë të pavarur me atë që ishte pasioni im: muzika nëpërmjet pianos. Por them se momenti më prekës e ku ishte shumë krenar, ishte në ditën e dasmës, kur hymë të dy bashkë në bashki. Jo vetëm që ai ishte babai i nuses, por edhe gjyshi i fëmijës sonë të parë, sepse unë isha shtatë muajshe shtatzënë. Besoj se për të si prind ishte një rekompensim i trefishtë: si prind i pianistes dhe i nuses, si gjysh i Alexis, sepse ne kishim vendosur tashmë emrin e djalit.

Si është pas kaq muajsh pa biseduar drejtpërdrejtë me të?

Mungesa e zërit me shprehjen “O të keqen babi ty!”, kur bie zilja e telefonit, është e tmerrshme. Zakonisht ai nuk përgjigjej në telefon, por vitet e fundit, me afishimin e numrave ai e dinte kur e merrja unë. Telefonoja pothuajse përditë vitet e fundit. Nuk e linte mamin të kapte telefonin po të isha unë. Shpesh bisedoj me të në kokën time, i flas për veten e familjen dhe imagjinoj përgjigjet e tij. Koncertet që bëj që prej humbjes së tij janë gjithmonë në një pjesë të kokës sime një bisedë me të. Në njëfarë mënyre babi është gjithmonë me mua. Është ajo që ne në shqip e quajmë “dashuri prindërore”. Ne ngjanim shumë me njëri-tjetrin në karakter: kokëfortë, por më të shtruar me kalimin e viteve, vetëmohues, vajtja deri në fund e një vepre të filluar, ideja për të shkuar deri në fund të një pune me çdo kusht e pavarësisht nga vështirësitë. Më mungon shumë…

Sa ju ndjek emri i madh që ka lënë babai juaj?

Jam shumë krenare kur persona ose personalitete më përshëndesin me shumë respekt lidhur me faktin që jam “vajza e Roland Trebickës”. Kjo është dhe arsyeja që mbiemri im është i dyfishtë, CAMUSET-TREBICKA, mbiemri i martesës dhe ai i familjes sime. Është e rëndësishme ta transmetoj këtë dubël-kulturë, frankoshqiptare për fëmijët e mi si dhe për punën time. Mësova nga ndarja fizike me babin se jetës nuk i dihet. Vendosa të jap më pak orë mësimi (vetëm 18 orë në javë), për të qenë akoma dhe më e pranishme për dy fëmijët e mi. T’i marr nga shkolla, të bëj detyrat me ta, t’i çoj në violinë, në solfezh, në karate, në pishinë. Të bisedoj me ta për ditën e kaluar në shkollë. Mundohem t’i dëgjoj dhe t’i ndihmoj duke i inkurajuar për të qenë të pavarur, por edhe me respektin për njëri-tjetrin e për të tjerët. Shpeshherë fëmijët më kërkojnë të shohin gjyshin në youtube. Ata janë shumë krenarë dhe tani janë pak a shumë në moshë të kuptojnë fatin e madh që kishin jo vetëm një gjysh, por edhe një Artist me A të madhe në jetën e tyre. Në njëfarë mënyre, ai është brenda nesh, sepse nga pikëpamja gjenetike unë jam një pjesë e tij, por dhe fëmijët e mi. Atëherë dhimbja është më e lehtë e jeta ka një vlerë. Ishte këshilla e babit që të punoja më pak për të qenë më e pranishme për fëmijët. Ai më thoshte që tani të vegjël kishin nevojë për mua se pastaj më vonë, mbas studimeve, personaliteti i tyre do të ishte formuar, e prania ime kur ishin të vegjël do t’i ndihmonte të ishin të pavarur. Gjithmonë më thoshte se duhet të vazhdoja aktivitetin si koncertiste, sepse ishte kjo veçanti e vullnet që më karakterizonte që e vogël, si dhe arsyeja për të cilën lashë vendin tim, familjen time dhe vendosa të jetoj në një vend të huaj. Po ta lija këtë gjë pas lindjes së fëmijëve, nuk do të isha më “UNË” e do të më mungonte një pjesë e jetës që më bënte të lumtur, e fëmijët do ta ndienin këtë. Sipas këshillave të tij, vendosa të rimerrem me sport. Në klubin e notit shkoj në darkë kur fëmijët janë gati për të fjetur, e mua më bën mirë mendërisht e fizikisht dhe im shoq është me ta përgjatë kësaj kohe. Kështu gjej njëfarë ekuilibri dhe, kur notoj, mendoj shpesh që babi do të ishte shumë krenar e do më thoshte: “Po mor bab, duhen të gjitha për mendjen dhe për trupin!”.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.90

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top