Vetëm katër muajsh, Xhani ishte ende në fazat e para të jetës. Sapo kish nisur të belbëzonte, të shquante sytë e prindërve të tij të dashur e t’u buzëqeshte kur e përkëdhelnin. Ishte pikërisht në periudhën kur rritja përkon me disa ndryshime psikofizike që mëtojnë pjekurinë në vazhdimësi të trupit. Por disa kapriço fizike dhanë shenjat e para, tregues për një kthesë të re në jetën e tij, por që nuk ishin aspak në favor të vogëlushit. Dilemat për vërtetësi të sëmundjes u sqaruan shpejt. Rasti ishte urgjent. Kishte nevojë për trajtim të veçantë. Shpresa e vetme ishte terapia në një spital me emër në fushën e pediatrisë onkologjike. Xhani ishte shumë i vogël për të kuptuar gjithçka po ndodhte me trupin e tij…
… por ka një dritë që vjen nga humnera, një shpresë që çel zemrat, një nënë që emocionon shpirtra të mekur nga përulësia para fatit të rënë për pjesë. Falë ndërgjegjësimit mediatik, që kohët e fundit ka gjetur një mbështetje të fortë, humanizmit për t’i dhënë udhë shpëtimit të foshnjërakut, i dhanë shpresë dy zonja fisnike. Ishte Zonja e Parë e vendit, Odeta Nishani, ajo që me mbështetjen e humanistes greke Znj. Marianna V. Vardinoyannis bën të mundur kurimin e Xhanit të vogël. Në fakt, motaku ishte një ndër tre fëmijët që deri më sot kanë marrë trajtim të specializuar në spitalin që mban emrin e Ambasadores së Vullnetit të Mirë të UNESCO-s, filantropes më në zë të kohërave, Znj. Vardinoyannis. Spitali onkologjik, i pari në Ballkan për nga rëndësia, ku Xhani dhe dy vogëlushët e tjerë shqiptarë janë shtruar, mban emrin Spitali Pediatrik Onkologjik i Bashkuar “Marianna V. Vardinoyannis – ELPIDA”(Shpresa).
***
Solidariteti, humanizmi dhe shpirtgjerësia janë vlera për të cilat shoqëria ka nevojë. Një gjest a një fjalë e dëlirë, një shpresë dhe një kontribut bamirës, rrit vetëbesimin dhe forcon bindjen se vullneti i mirë dhe pozitiviteti ekziston. Frymëzimi i nxitur nga jeta e një shoqërie të trazuar, mund të jetë mekanizmi i duhur për t’u vënë në shërbim të njerëzve në nevojë, qoftë dhe me një kontribut modest. Fuqia e filantropisë ka ndikim të rëndësishëm, jo vetëm në kufirin shoqëror, por më shumë se kaq. Ajo i jep krah ndërtimit të një modeli shoqëror, e cila të mund të luftojë disa nga problemet globale që bota ka sot. Jo rastësisht një nga titanët e Shekullit XX, Endru Karnegi dhe Xhon D. Rokfeleri vendosën ta përdornin pasurinë për të ndihmuar nevojtarët. Këta bamirës, ndryshe nga organizata bamirësie që kujdeseshin për të varfrit dhe fëmijët e sëmurë, por që nuk zgjidhnin shkaqet e vërteta të këtyre problemeve, kuptuan dhe i dhanë udhë nevojës për një planifikim më të mirë të çështjeve në fjalë, duke krijuar institute dhe fondacione që do të nxitnin ndryshime shoqërore dhe do të financonin kërkimet që kishin si synim eliminimin që në rrënjë të problemeve. Një nga nismëtarët që ka ndjekur gjurmët e këtyre njerëzve të famshëm është dhe Zonja Marianna V. Vardinoyannis. Ndaj, këtë herë e ndiejmë si obligim t’i kushtojmë vëmendje vizionit të një gruaje të fuqishme, misionit të një filantropeje dhe një nëne që nuk rresht së kursyeri veten kundrejt një shoqërie në nevojë. Me mbi 25 vite përvojë humanitare kundrejt të drejtave të fëmijëve, femrave dhe aspektit social të shoqërive në nevojë, Znj. Marianna Vardinoyannis i ka dhënë kuptim vetë qëllimit të fjalës Filantropi, që në prejardhje nga vetë greqishtja e vjetër, do të thotë: “dashuri për njerëzimin”, në kuptimin e përkujdesjes, ushqyerjes, zhvillimin dhe rritjen e asaj se “çfarë është të jesh njeri”, duke identifikuar dhe ushtruar vlerat e saj në ofrimin e vullnetarizmit. Ajo rrezaton mirësi në portretin e saj, një grua sa e fortë aq dhe e pushtetshme në misionin që ka zgjedhur të udhëheqë jetën e saj.
Fisnike në përkujdesje dhe përçimin e kontributit të saj bamirës me finesë dhe ëmbëlsi, duke marrë parasysh vetë moshën e pacientëve të vegjël që çdo vit kurohen në spitalin humanitar tashmë, atë të “ELPIDA”-s.
Ndihma humanitare kundrejt fëmijëve shqiptarë
Shqipëria është shndërruar tashmë në një vend tepër të dashur për filantropen greke, Vardinoyannis. Janë pacientët e vegjël të Spitalit Pediatrik ata që e bëjnë të kthejë kokën. Mezi e pret udhëtimin e afërt për të shkëmbyer fjalë dashurie dhe, pse jo, të këmbejë dhurata për vogëlushët. Falë Xhanit, Mikelit, por dhe fëmijëve të tjerë që kanë gjetur shpëtim në spitalin e vetëm onkologjik të Athinës, ELPIDA, Zonja Marianna nuk gjen rast së shprehuri gadishmërinë dhe mbështetjen e pakursyer për rastet në nevojë. Ajo është nënë e pesë fëmijëve dhe, siç e përmend në intervistat e saj, ndihet krenare që është e dobishme kundrejt një bote më të mirë për ata që nuk i kanë mundësitë. Tashmë ekziston një urë solidariteti dhe kontributi shoqëror mes dy vendeve, Shqipëri-Greqi. Zonja Vardinoyannis është mikpritëse në Spitalin Pediatrik Onkologjik “ELPIDA”, ndërsa një kontribut të vyer ajo jep kundrejt dhe vetë familjarëve të pacientëve të vegjël, duke u dhënë kurajë për të qëndruar të fortë në shpëtimin e tyre. Gatishmërisë dhe përkushtimit të saj frytdhënës për rastin e Xhanit ajo i është përgjigjur: “Një kombinim i fatit dhe vullneti i fortë i familjes së Xhanit, vetëm katërmuajsh, na mblodhi këtu për të luftuar për jetën e tij në këtë spital siç është dhe ‘ELPIDA’. Këtu nuk ka dallime të ngjyrës, kombësisë dhe origjinës. Fëmijët janë të gjithë fëmijët tanë dhe ne shkojmë pas tyre në mënyrën më të mirë të mundshme”. Një tjetër rast urgjent dhe i bërë mediatik mori udhën e shpëtimit falë ndërhyrjes së Zonjës Vardinoyannis. Ishte Mikeli, fëmija që vuante nga leuçemia. Në 10 muaj, Mikeli ishte fëmija i tretë shqiptar që filantropja e madhe greke, Marianna Vardinoyannis, po trajton me shpenzimet e saj në spitalin “ELPIDA”.
INICIATIVAT
Nëse do të citonim disa nga iniciativat e saj në fushën humanitare, pikësëpari do të përmendim ngritjen e Njësisë së Onkologjisë për fëmijët “Marianna Vardinoyannis ELPIDA (Shpresa)”, të spitalit të parë onkologjik për fëmijë në Greqi, i cili u inaugurua në tetor të vitit 2010, që iu dhurua shtetit grek që të kenë mundësi mjekimi në të të gjithë fëmijët që kanë nevojë. Në mirënjohje të kësaj iniciative personale, shteti grek i vuri emrin e saj spitalit. Më tej, krijimi i Bankës së parë të Dhuruesve Vullnetarë të palcës së kurrizit në Greqi me emrin “Vizioni Elpida (Shpresa)”. Gjithashtu, Marianna Vardinoyannis ka krijuar Njësinë e Transplantit të Palcës së Kurrizit në spitalin “Shën Sofia”, që u inaugurua në vitin 1993, ku kanë bërë transplant 520 fëmijë me sëmundje të lindura, të cilët fituan një shans të dytë në jetë. Për punën e saj ka marrë shumë çmime, të tilla si: Kryqi i Artë i Urdhrit të Mirësisë të Republikës Greke, titullin e Kalorësit të Urdhrit të Legjionit të Nderit të Republikës së Francës, çmimin e Akademisë së Athinës, në vitin 1997, çmimin “Paul Harris Fellow” të “Rotary International” etj.
TITULLI “NËNË TEREZA”
Filantropja greke Marianna Vardinoyannis prej 25 vitesh u dedikohet fëmijëve që vuajnë nga sëmundje të rënda, duke marrë përsipër kurimin e tyre në këmbim të buzëqeshjes. Në vizitën e fundit në Shqipëri, gjatë festave të nëntorit, humanistja e njohur Vardinoyannis, e pritur nga Zonja e Parë Odeta Nishani, ka preferuar që ndalesën e saj të parë ta bëjë në shërbimin e onkohematologjisë pediatrike në QSUT. Në mesin e fëmijëve, humanistja premtoi mbështetjen e pakursyer të saj për kurimin e rasteve më të rënda në spitalin “ELPIDA” në Greqi. Prej vitesh, Vardinoyannis asiston shëndetësinë shqiptare duke u ardhur në ndihmë dhjetëra rasteve të fëmijëve në nevojë.
DEKORIMI
“Nënë Tereza”. Ky është titulli që Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i ka akorduar Zonjës Marianna Vardinoyannis për përkushtimin e saj ndaj fëmijëve që vuajnë nga sëmundje të rënda. Përmes një ceremonie të veçantë, mbajtur në ambientet e Presidencës, kreu i shtetit, Bujar Nishani, i akordoi titullin “Nënë Tereza” Znj.Vardinoyannis, me motivacionin se ka shpëtuar e vijon të shpëtojë jetët e fëmijëve shqiptarë, të cilët vuajnë nga sëmundjet e rënda të gjakut. Gjatë fjalës së mbajtur, Zonja Odeta Nishani e cilësoi humanisten si një shpëtimtare shpirtrash të vegjël. “Jemi mbledhur këtu të përshëndesim me nderim kontributin e një humanisteje të madhe, dashurinë që përçon ajo te njerëzit në nevojë, mirësinë që dhuron ajo te familjet që i ka pllakosur tragjedia e një fëmije të sëmurë. Imagjinoni lotët e një nëne e një gjysheje tek kërkojnë me ngulm të bëjnë përtej të pamundurës për fëmijën e tyre të sëmurë. Kjo shpëtimtare shpirtrash të vegjël quhet Marianna Vardinoyannis”, tha Zonja e Parë. Odeta Nishani shprehu mirënjohje për kontributin që Ambasadorja e Vullnetit të Mirë të UNESCO-s ka dhënë për fëmijët shqiptarë, duke u ofruar atyre kurim të specializuar në klinikën e saj, në Athinë.
HUMANISTJA
Ndërkohë për humanisten Vardinoyannis ka qenë rasti i një fëmijë vetëm 4-muajsh ai që e ka takuar me Zonjën e Parë, duke përforcuar më tej urën e bashkëpunimit. Vardinoyannis kujtoi mes emocionesh takimin e parë që pati me zonjën Nishani. “Është nder i madh të vlerësohem me këtë titull të veçantë. Kur fillova veprimtarinë time para 25 vjetësh, ndoqa një vizion të madh, ndërtimin e një bote më të mirë për fëmijët e sëmurë, sot ndiej një emocion të madh se ky vizon më solli pranë jush dhe konkretisht ura e shpëtimit për të shëruar Xhanin e vogël mes Shqipërisë dhe Greqisë. Nuk do ta harroj kurrë atë ditë të mrekullueshme kur Zonja e Parë, Odeta Nishani, erdhi në Athinë, e mbante në prehër Xhanin e vogël dhe mbështeti prindërit e tij tepër të emocionuar. Bashkëpunimi ynë është tepër i çmuar”, tha filantropja Vardinoyannis. Në maj të 2015-s, Ambasadorja e Vullnetit të Mirë të UNESCO-s, filantropja dhe humanistja, Znj. Marianna V. Vardinoyannis, gjatë vizitës në Tiranë u takua dhe me ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Gjatë takimit u diskutua mbi mundësitë e bashkëpunimit dhe intensifikimin e marrëdhënieve në sektorin e kujdesit shëndetësor dhe, veçanërisht, atë të kujdesit ndaj fëmijëve. Në këtë kuadër, ministri Beqaj falënderoi Znj. Vardinoyannis, njëkohësisht edhe themeluese e Fondacionit me të njëjtin emër, me një status të veçantë konsultativ në Këshillin Ekonomik dhe Social (ECOSOC) të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe e Spitalit “ELPIDA”, për mbështetjen e vazhdueshme që Fondacioni që ajo drejton i ka dhënë vendit tonë në këtë sektor dhe e njohu atë me përpjekjet e Ministrisë së Shëndetësisë për përmbushjen e angazhimeve programore në sigurimin dhe vendosjen e mbulimit universal me kujdes shëndetësor në vend.
FILANTROPIA… DREJTIMI I DUHUR
Marianna Vardinoyannis është filantropja, angazhimi i së cilës i ka kaluar kufijtë e Greqisë për shkak të aktivitetit të ngjeshur humanitar. Aktiviteti i shumëfishtë fokusohet te problemet sociale, si të drejtat e njeriut, mbrojtja dhe shëndeti i fëmijëve, përhapja e humanizmit, edukimi, paqja, trashëgimia kulturore botërore dhe dialogu mes kulturave dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Ajo është themeluese dhe presidente e Shoqatës së Fëmijëve me Kancer, “ELPIDA” dhe e Fondacionit për Fëmijët dhe Familjen, që në vitin 2013 mori emrin fondacioni “Marianna Vardinoyannis”. Në vitin 1999 u shpall Ambasadore e Vullnetit të Mirë të UNESCO-s për mbrojtjen e fëmijëve dhe trashëgiminë kulturore. Gjithashtu është anëtare e Bordeve Drejtuese të organizatave dhe fondacioneve ndërkombëtare si ai i Bibliotekës së Aleksandrisë, të fondacionit “Drita e Afrikës”, të Këshillit Presidencial të “Lojërave Speciale Olimpike EuropëEuroasi”, të Fondacionit për Kulturën e Paqes (Spanjë) etj. Ka lindur në Athinë dhe është rritur në Ermioni. Është e martuar me biznesmenin dhe manjatin e anijeve Vardi I. Vardinoyannis, President i “Motor Oil” dhe kanë 5 fëmijë. Bashkë kanë zhvilluar një aktivitet të madh humanitar dhe kulturor, në Kretë dhe në Ermioni, ku konsiderohen bamirës aq dhe në pjesën tjetër të Greqisë dhe jashtë vendit. Zonja Vardinoyannis ka mbrojtur doktoraturën në Arkeologji pranë Universitetit të Sheffieldit, diplomë të Historisë së Arteve dhe Ekonomisë nga universitete në Amerikë. Është Doktor Nderi i Ligjionit të Universitetit të Sheffieldit, e Filozofisë të Universitetit Metropolitan të Londrës dhe Shkencave Humane. Marianna Vardinoyannis është ambasadore e UNESCO-s dhe një personalitet aktiv në nivel rajonal dhe ndërkombëtar që lufton për të drejtat e fëmijëve dhe familjes. Ajo njihet për luftën e saj kundër abuzimit seksual të fëmijëve, nëpërmjet Fondacionit për fëmijën dhe familjen, e cila është krijuar nga vetë ajo. Gjithashtu, Marianna Vardinoyannis, në njohje të kontributit të saj dhe përpjekjeve për të krijuar një Europë të qytetarëve, u shqua si Gruaja e Europës.
AKTIVITETE RAJONALE DHE NDËRKOMBËTARE
Marianna Vardinoyannis nisi me aktivitetet e saj si anëtare e organizatave të ndryshme, shoqatave dhe instituteve humanitare, prej nga ku ajo luftoi për paqen ndërkombëtare dhe solidaritetin e përbashkët përmes fokusit të saj primar mbi problemet që lidheshin më së shumti me fëmijët, për të arritur një marrëveshje sa i takonte: shëndetit të fëmijëve, edukimit, mirëqenien sociale, kundër varfërisë, abuzimit dhe shfrytëzimit të fëmijëve. Ajo krijoi marrëdhënie të forta me disa personalitete ndërkombëtare, të tilla si Mbretëresha Rania e Jordanisë, Suzanne Mubarak, disa rrjete, bashkëpunime dhe organizata si Koalicioni Global i Femrave për Mbrojtjen e Paqes, duke u fokusuar në krijimin e një kulture të paqes në botë. Në 2013, Marianna Vardinoyannis mori pjesë në Bordin e Qendrës Ndërkombëtare Nizami Ganjavi së bashku me Ismail Serageldin, Vaira Vike-Freiberga, Tarja Halonen, Suleyman Demirel, Roza Otunbayeva, Ambasador Walter Fust dhe Federico Mayor Zaragoza. Kjo është një organizatë jofitimprurëse, kulturore, jopolitike, dedikuar kujtimit të poetit azerbajxhanas, Nizami Ganjavi, mbi studimet dhe shpërndarjen e veprave të tij, promovimin e parimeve të mishëruara në shkrimet e tij, avancimin e kulturës dhe të shprehjes kreative, promovimit të të mësuarit, dialogut, tolerancës dhe mirëkuptimit mes kulturave dhe njerëzve.
SPITALI I PARË ONKOLOGJIK PËR FËMIJËT
Në 14 tetor të vitit 2010, Spitali Pediatrik Onkologjik i Bashkuar “Marianna V. Vardinoyannis – ELPIDA” (Shpresa) është ndër të parët e këtij lloji që janë ndërtuar në Europë, vendosur në Athinë, Greqi. “ELPIDA”, e cila është qëllimi i jetës për Marianna Vardinoyannis, fokusohet në kujdesin e fëmijëve me kancer. Ai është i pajisur me aparaturat më shumë të avancuara teknologjike mjekësore të përdorura për trajtimin e kancerit, spital i cili sot është në dispozicion në botë.
ÇMIME DHE TITUJ NDERI
“Legjione Nderi”, marrë në 2006 nga Republika Franceze. “Urdhri i Kryqit të Artë për bamirësi nga Republika e Greqisë”. Marianna V. Vardinoyannis merr gradën e “Zyrtarit të Legjionit të Nderit 2015”. Ceremonia u mbajt në selinë e UNESCO-s në Paris dhe medalja iu dorëzua nga ish-presidenti i Francës, Z.Valery Giscard d’Estaing.
Botuar në revistën “PSIKOLOGJIA”, numri 103
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.