Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë tonë kombëtare. Më e çmuara, më e bukur që na bën të ndihemi krenarë për atdheun tonë Shqipërinë.
Epoka e Rilindjes 1832-1912 është epoka më e ndritur e historisë së Shqipërisë. Ajo nxori njerëz të mëdhenj, epokalë, të mendjes e të pushkës, të besës dhe trimërisë, të penës dhe urtësisë, nxori titanët e mendimit dhe veprimit që e nxorën Shqipërinë nga errësira 500-vjeçare otomane në dritë të vërtetë. Këta iluministë i dhanë asaj emrin epoka e dritës dhe diturisë. Ata ishin pararendësit e shpalljes së Pavarësisë së Atdheut, njëqindedhjetë vjetorin e së cilës po festojmë.
Nga Prof.Assoc.proc.Doc.Ilia S.Larti
Në ambientet e teatrit Durrës, Shoqata Atdhetare Kulturore Devolli dega Durrës, organizoi një simpozium Homazh për Patriotët Devollinj që kontribuuan në Rilindjen dhe ngritjen e Flamurit. Aty kumtuesit përshkruan jetën dhe veprat patriotike të shumë devollinjve për periudhën 1832-1912. Si kumtues, përcolla jetën dhe kontributin patriotik të qëndistares së Flamurit Marigo Posios.
Ata i kujtojmë sot dhe do t’i kujtojmë edhe në qindra vjetorë të tjerë, sepse janë vitrina e rilindjes dhe kombit. Ëndrrën dhe veprën e tyre e bënë realitet burra të tjerë të mëdhenj që shpallën pavarësinë e shumëpritur e shumëkërkuar.
Me 28 Nëntor 1912 Ismail Qemali një udhëheqës i shquar me bashkëpunëtorët e tij bashkoi popullin tonë nga Trieste në Durrës dhe e vazhduan mbledhjen në Vlorë. Në kuvendin ndërkombëtar më 28 Nëntor 1912 u shtrua diskutim për ngritjen e flamurit dhe Nikollë Kaçorri ia zgjati flamurin.
Ismail Qemalit nga ballkoni i ndërtesës e shpalli para mijëra njerëzve nga i gjithë Shqipëria. Përgatitjet ishin kryer sidomos ajo kryesorja qëndisja e flamurit, Marigoja me duart e arta e kishte qëndisur dhe bashkë me të qëndronte para ndërtesës.
Ismail Qemali, i cili u emërua si kryeministër i parë i Shqipërisë iu drejtua Marigosë: “Sa herë që do të përmendet dita e flamurit do të përmendet edhe emri jot moj bijë.”
Ishin të gëzuar dhe brohorisnin, “e gëzofshi Pavarësinë përjetë”. Në këtë kontekst edhe sivjet ne festojmë 110 vjetorin e Pavarësisë. E vetmja festë që i bashkon të gjithë shqiptarët anë e mbanë botës është 28 Nëntori-Dita e flamurit dhe e shpalljes së Pavarësisë.
Marigo Posio, mbiemri i vajzërisë Poçi, lindi në Korçë, më 2 shkurt 1892 dhe ndërroi jetë në 23 shkurt 1932.
Ishte e bija e Papakosta Poçit dhe Lenka Ballauri me origjinë nga Voskopoja. Në familjen e saj Marigo Poçi mori mësimet e para në gjuhën shqipe.
Ishte vajza e 27 e regjistruar në shkollën e parë të vashave, më 23 tetor 1891 e për mësuese kishte Sevasti Qiriazin e ndihmësen e saj Fanka Efthimin.
Që e re u martua me Jovan Posion nga fshati Hoçisht i Krahinës (Rrethit), të Devollit Qarku i Korçës.
Për arsye të përndjekjeve të shovinistëve, rreth vitit 1904, çifti Posio u vendos në Vlorë, në lagjen “Muradie”, ku edhe sot në rrugën “Justin Godart” ndodhet shtëpia e tyre.
Shtëpi, e çiftit Posio ka pritur e përcjellë patriotë e veteranë kombëtarë nga të katër anët e atdheut. Marigoja shumë shpejt u fut në vatrat vlonjate me idetë e saj përparimtare. Kur solli plaçkat nga Korça në fund të sëndukut kish vënë dhe një flamur të qëndisur me dorën e saj. E kishte mbuluar me gazeta të vjetra të ngjitura me brumë, që të mos diktohej në rast kontrolli. Ajo u thoshte vajzave vlonjate: “Dëgjoni vajza: Në pajën tuaj duhet të keni medoemos dhe një flamur, me shqiponjë dykrenore, për të shprehur identitetin, por dhe për të sjellë mbarësi në jetën bashkëshortore.”
Kjo u kthye në traditë, ku çdo vajzë e ruante në pajën e saj si gjënë më të shtrenjtë flamurin në modelin e qëndisur nga dora e Marigosë. Kjo intelektuale e shquar, patriote e flaktë, gjente kohë të lexonte libra e shfletonte gazeta. Ishte e vetmja grua që aktivizohej në veprimtaritë patriotike të kohës, duke u bërë edhe një shembull për masën e gjerë të grave vlonjate. Në shtëpinë e Marigosë, e cila u bë vatër atdhetare, hynin e dilnin patriotët: Çerçiz Topulli, Mihal Grameno, Ibrahim Shyti, Jani Minga, Musa Çakërri tej.
Në shtypin e kohës citohej se: Marigo Posio, mori pjesë në Komitetin e Parë që u formua në Vlorë për Shpëtimin e Atdheut të cilin e ndihmoi në mënyrë modeste dhe me të holla. Në Vlorë, Marigoja iu përkushtua në fillim leximit të të gjithë autorëve të Rilindjes sonë Kombëtare dhe shumë prej poezive të tyre i dinte përmendësh.
Për kohën që jetoi, ajo kishte një kulturë dhe horizont për t’u admiruar, duke u konsideruar si gruaja më intelektuale e qytetit bregdetar. Kjo nuse hoçishtare dhe qytetare vlonjate interesohej për gjithçka që kishte lidhje me lëvizjen kombëtare, emancipimin e grave dhe në përgjithësi me çdo gjë që mbarte në vetvete fatin e atdheut të saj të robëruar.
Nga Vlora ndiqte me vëmendje veprimet e çetave patriotike kundër forcave osmane, në gjithë Shqipërinë, atyre greke në jug dhe në veri atyre serbe dhe malazeze.
Me krijimin e klubit “Labëria” në vitin 1908, Marigoja u aktivizua si këshilltare pranë kësaj qendre patriotike. Aty ajo përhapte idetë përparimtare, dhe përpiqej të përcillte ndjenjën atdhetare te brezi i ri.
Marigoja punoi si drejtoreshë e gazetës “Shpresa kombëtare” më 1921-shin. Artikujt e saj parapëlqente që t’i nënshkruante me pseudonimet “Sapi” dhe “Shqiponja”.
E gjithë familja e saj iu përkushtua lëvizjes së çlirimit të kombit si: i shoqi Jovani dhe vëllai i zonjës Marigo, patrioti Thanas Viso Mborja.
Më 1910-ën Komiteti “Bashkimi“, e dërgoi Marigonë në Korfuz, me qëllim që të koordinonte dhe bashkërendonte veprimet e patriotëve.
Po me këtë detyrë, shkoi dhe më 1911-ën, ku pati takime me mjaft figura patriotike.
Ditët e fundit të nëntorit 1912 oborri i zonjës Marigo u kthye në një punishte për stamposjen e flamujve dhe qylafëve me shkabën dykrenore. Ajo, së bashku me Petro Fotografin dhe Thanas Floqin, prodhoi me qindra flamuj që skuqën qytetin e Vlorës ditën e pavarësisë kombëtare. Thuhet se ajo ka qenë e pranishme edhe në ngritjen e flamurit dhe e ka parë me sytë e saj firmosjen e dokumentit të shpalljes së pavarësisë.
Jovan Posio, në qytetin e Vlorës u miqësua me patriotët Jani Minga dhe Ibrahim Shyti, cilët duke e vlerësuar për ndjenjat atdhetare, e pranuan anëtar të klubit “Labëria”. Shtëpia e çiftit Posio në Vlorë u kthye një strehëz e ngrohtë për punët patriotike, të patriotëve vlonjatë e më gjerë, si: Jani Minga, Murat Toptani, Mustafa Qulli, Mihal Grameno, Pandeli Cale tej.
Familja e Jovan Posios i shërbeu me mish e me shpirt lirisë dhe çështjes kombëtare. Çdo 28 Nëntor në shtëpinë e Posiove priteshin miq e veteranë nga e gjithë Shqipëria dhe në shenjë respekti për ditën e Madhe, çdo dritare e shtëpisë mbante flamuj kuq e zi që valëviteshin gjithë krenari.
Më 1914-ën, Marigo Posio vihet në krye të përpjekjeve për të ndihmuar muhaxhirët, të cilët u vendosën në ullishtat e Vlorës. Të dëbuar nga trojet e tyre të Çamërisë prej mizorive grekë. Për këtë çështje ajo u kërkoi ndihmë financiare dy kushërinjve të saj të parë, patriotëve Spiridon e Tashko Ilo, që jetonin në Rumani.
Më 1920-ën i dërgon një telegram legatës franceze në mbrojtje të Avni Rustemit dhe mbledh të holla në favor të lirimit të tij nga burgu. Ajo ngriti zërin që Avniu të fitonte pafajësinë.
Në vitin 1924, Marigo e Jovan Posio mbështetën me të gjitha forcat e tyre Revolucionin e Qershorit dhe Fan Nolin. Në këtë kohë Marigoja sëmuret nga tuberkulozi e shkon për kurim në sanatoriumin e Vjenës. Aty u takua me patriotin Tashko Ilo dhe bashkëshorten e tij Aleksandrën, si dhe me mjaft patriotë shqiptarë në mërgim. Kur Tashkoja u kthye në atdhe, Marigoja i dërgoi një letër, ku i shkruante: “Do të shes gjithë pasurinë time dhe xhevahiret (stolitë), për Shqipërinë”.
Në vitet e fundit të jetës Marigoja shkon të jetojë në Tiranë, pranë motrës së saj, Uranisë, e cila ishte martuar me patriotin e shquar Kristo Floqi. Në gjendje të mjeruar, Marigo Posio vdiq më 23 gusht 1932.
Argumente për qëndisjen e Flamurit Kombëtar, nga ana e Marigosë
Sipas Zhaneta Poçit, mbesa e Marigo Posios, Marigoja e qëndisi flamurin kombëtar sipas një modeli të Don Mark Vasa. Marigoja e qëndisi flamurin në një copë që e kishte blerë nga një tregtar me mbiemrin Diamanti. Po këtë flamur Marigoja ia dha Ismail Qemalit!
Në model të tij ajo kishte stamposur e shumë të tjerë, që u vendosën jo vetëm në ballkonin e godinës ku u ngrit Flamuri po dhe në të gjitha dritaret e saj, me përmasa 70 – 40 cm, me shkabën dy krenare në mes dhe anash me shkrimin: “Rroftë Shqipëria”.
Kristo Floqi në një përkujtim të ditës së flamurit shkruante:
“Këtu duhet përmendur edhe një zonjë patriote korçare, zonja Marigo Posio, e cila përgatiti me duart e saj e hartoj me mjeshtëri flamurin e parë që valoj në Vlorë, e që iu dha shqiptarëve sihariqin e shpalljes të independencës së tyre.”
Gazetat e kohës në mjaft artikuj shkruanin: “Marigoja predikonte shqiptarizmin në gra e burra, shkëmbente letra me atdhetarët e shqiptarë të shpërndarë në gjithë botën”.
Sipas të thënave: shoqet e fëmijërisë, Marigonë e thërrisnin -“Shqiponja”
Dhe një arsye më shumë, që thirrej “Shqiponjë”, ishte se: ajo që e vogël qëndiste shqiponja. Gazeta “Arbëria”, që botohej në Gjirokastër, në kohën e saj shkruante: “Flamurin Kombëtar”, që u ngrit në Vlorë nga dora e Ismail Qemalit, ishte qëndisur nga Marigo Posio, mbi cohën e blerë tek tregtari Diamant.
Në shtypin e kohës zinte vend dhe një poezi me titull “Marigo Posio”, me këto vargje:
Cila dorë e pat punue,
at flamur që valoi në Vlorë.
Kombit ia pat kushtue,
për me shpall lirinë tonë.
Ajo qe një atdhetare,
që shkriu plagë e pasuri.
Marigoja vajzë korçare,
e shkriu jetën për Shqipëri.
Poezia dhe publicistika e Marigosë
Ndjenjat patriotike Marigo Posio i ka shprehur edhe në shtypin e kohës, ku ka shkruar mjaft shkrime, dhe poezi. Më 28 nëntor të vitit 1918, në ditën e 6 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, ajo do të ishte në ballë të demonstratës kundër pushtimit nga Italia dhe do të bënte thirrje në shtypin e kohës: “Atdheu mbi gjithçka”.
Më 13 qershor të vitit 1920, kur Avni Rustemi, vrau Esat Pashën në Paris, Marigoja, do të thurte ndër të tjera edhe këto vargje:
Ti vrapove, porsi plumbi,
u bëre erë dhe hije.
Shkele, shkove dhe e shove,
Shqipërinë e shpëtove.
Kjo poete patriote gjente kohë të shkruante vargje edhe për luftëtarët, që tregoheshin trima në luftë:
Turp i madh, për Perëndi,
unë, ti dhe ai,
Për nderin e atij gjaku,
qysh e lëmë e qan bonjaku…
Mendimi iluminist dhe veprimtaria patriotike e shqiptares së shquar, Marigo është fiksuar në qindra artikuj dhe poezi në shtypin e kohës dhe kush i lexon ato prek patriotizmin e shqiptares së famshme: Marigo Posio.
Marigosë dhimbjet do t’i vinin njëra pas tjetrës, pas humbjes së dy vajzave u sëmur dhe vetë nga tuberkulozi dhe u detyrua të mjekohej në Vjenë. Me gjithë dhimbjet që kishte në trup, ajo mblodhi forcat dhe bashkë me aktorin e madh Aleksandër Moisiu nisi të bënte veprimtari në dobi të Shqipërisë.
Në gusht të vitit 1932, mbylli sytë qëndistarja e flamurit, patriotja dhe shqiptarja e shquar Marigo Posio. Ajo u përcoll me nderim të thellë nga mijëra vlonjatë.
Dr. Shkencave Historike Zeko Braho nga Vlora është një ndër autorët më seriozë që ka hulumtuar mbi jetën dhe aktivitetin e Marigo Pozios. Punimet e veta në vitin 1990 ia dha shkrimtares Helena Kadare e cila mbasi u njoh me përmbajtjen e tyre, u prek dhe nën përkujdesjen e saj ky punim u shtyp menjëherë, duke u mirëpritur si libër me vlera nga mijëra lexues.
Autori duke e pasuruar jetën dhe veprimtarinë patriotike të Marigosë me fakte të reja, librin e ka ribotuar kohët e fundit, dhe siç cilëson ai: -ndjehem mjaft i lumturuar që më në fund- u gjet varri i Marigosë, i kësaj gruaje të shquar e cila ka një varr madhështor në Zvërnec, si dhe një bust te Kali i Trojës në Vlorë.
Homazh veprës së Marigo Posio
Për aktivitetin e saj të pasur patriotik është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me Urdhrin e Lirisë së Klasit të Dytë me këtë motivacion: “Ka punuar pa u lodhur për përhapjen e gjuhës shqipe, çlirimin dhe emancipimin e gruas shqiptare”. Tiranë 7 mars 1960.
Më 15 prill 2002, (Në kuvendin e parë të Gruas së shquar, që u mbajt në Vlorë), me numër dekreti 3292, ish-Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Rexhep Mejdani e nderoi me “Urdhrin e Flamurit”, me këtë motivacion:
“Në shenjë nderimi për të gjithë brezat që i dhanë pavdekësinë kombit dhe flamurit tonë; në shenjë kujtese historike për simbolet tona të ndërtuara nëpër shekuj, me përpjekjet dhe sakrificat mbarëpopullore për liri e zhvillim, në shenjë respekti të madh për gratë shqiptare, sa frymëzuese dhe realizuese të aspiratave kombëtare, të emancipimit shoqëror dhe të integrimit në familjen e madhe demokratike”.
Busti i Marigo Posios qëndron sot në qytetin e Vlorës, në lulishten që mban emrin e saj.
Për Marigonë si një grua patriote, krijuese dhe qëndistare e flamurit të ngritur më 28 nëntor 1912, në Vlorë ka një bibliografi shumë të pasur.
Kjo bën të mundur që kushdo e deri te profesionistët e fushës së historografisë shqiptare, të gjejnë të dhëna dhe fakte realiste për figurën plot dinjitet e vlera patriotike të Zonjës Marigo. Në historinë e mendimit politik e shoqëror të çerekut të parë të shekullit që iku,
Marigo Posio, zë një vend nderi, duke u shndërruar në një nga përfaqësueset më të denja të femrës shqiptare. Pikëpamjet e saj të përparuara janë vazhdimi i mendimit më të përparuar të “Rilindjes Kombëtare”. Ajo shërbeu si forcë lëvizëse për përparimin e Shqipërisë, ku idetë e saj atdhetare janë aktuale edhe sot e kësaj dite.
Cilësimi nga shtypi i kohës si gruaja më e ditur e qytetit, e bënte atë një model të thjeshtësisë mes grave vlonjate, korçare, devollite dhe gjithë Shqipërisë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.