Në fokus

December 19, 2015 | 8:05

Mariza Ikonomi: Frikohem nga faqet e rreme nën emrin tim

Orjona TresaIntervistoi: Orjona Tresa

Rrjetet sociale janë një mundësi informimi, ama vetëm kaq. Pjesa tjetër është ngarkesë emotive nga çfarë thuhet e shkruhet aty. Për Mariza Ikonomin, këngëtaren e njohur, të shpëtojë nga kjo rrjetë as që bëhet fjalë. Edhe ajo funksionon ashtu si miliona të tjerë, përmes një llogarie personale në këto faqe elektronike të populluara. Meraku i vetëm i qëndron aty kur funksionit që ajo i ka veçuar, ia ngarkojnë me komente apo faqe paralele online, duke i dëmtuar dashur pa dashur imazhin si figurë publike. Natyrisht që ky është një shqetësim i përgjithshëm, por për Marizën, kjo epidemi ka hyrë kaq thellë tashmë, saqë vështirë të zhduket. Vitet e fundit ka një shfrenim le ta quajmë, sa i takon përdorimit të rrjeteve sociale. Ju vetë çfarë opinioni do të jepnit karshi tyre? E shikoj si një aspekt pozitiv në fakt, ku njerëzit kanë një mundësi komunikimi akoma më rë thjeshtë. Kanë një hapësirë informacioni shumë të shpejtë dhe sigurisht, është një fenomen që mund të lidhesh me gjithë botën me një shpejtësi blic, gjë që më parë vështirë se mund ta realizoje. Tashmë me anë të këtyre rrjeteve mund të rigjehesh edhe me njerëz që kurrë nuk ke menduar se mund t’i shohësh sërish… e pra them se sjell shumë të mira, por sigurist që çdo e mirë e ka edhe një të keqe.

Ku jeni më shumë aktive dhe përse i përdorni këto rrjete sociale? Facebook më pëlqen më tepër në fakt se sa Instagram sepse të jep ty mundësinë të futesh edhe nëpër link-e të tjera, ku mund të marrësh një informacion apo qoftë të dëgjosh një këngë të bukur, të postuar nga një miku yt. Por edhe Instagram ndonjëherë më pëlqen ta përdor, sepse të gënjen mendjen se edhe ti mund të jesh një fotografe e zonja!

Ka përbërë ndonjëherë shqetësim real për ju, keni pasur pakënaqësi dhe kur?

Në fakt, të them të drejtën, të vetmin shqetësim që më jep, janë faqet fantazëm që njerëzit mbajnë me emrin tim, duke vënë foto dhe info të rreme, sikur të isha vërtet unë dhe kjo gjë më frikëson ndonjëherë. Shpeshherë mundohen të futen në llogarinë time apo të kem edhe kërcënime nga njerëz fantazëm, gjë që shpesh më çon në mendimin e vetëm: më mirë ta mbyll, por deri tani s’ka ndodhur ende.

I ka dëmtuar në ndonjë rast marrëdhëniet e vërteta rrjeti social, p.sh. komenti i padëshiruar në një foto etj.?

Në fakt unë jam pak indiferente përsa u përket komenteve. Nuk është se do më prishi ditën një koment i pakëndshëm qoftë dhe i bërë në një mënyrë tendencioze. Përkundrazi, thjesht qesh dhe habitem me faktin se ku mund të arrij dashakeqësia e një njeriu për të fyer në një mënyrë kaq të rëndomtë. Më kanë ndodhur të tipit. “Sa e shëmtuar je”; “Aman mbylle faqen se na shëmtove ditën”; “Krihi ndonjëherë këto flokë kur të kesh kohë”, e deri te disa fjalë që nuk ma lejon as edukata familjare e qytetare t’i perdor. Hë, më thoni, nuk ju bëjnë edhe ju për të qeshur?!

Çfarë ndodh me ata që nuk janë të denjë për të qëndruar në faqen tuaj?

Tregohem indiferente.

Artistët janë krijues karshi çdo ngjarjeje a tematike që u ndez sinjalin e krijimtarisë. Sa ju ‘ndezin’ rrjetet sociale?

Nuk e di, nuk më ka ndodhur ende që muza ime të ndizet nga rrjetet sociale. Ajo ndizet nga imagjinata, natyra, universi, dashuria…

Studiues të fushës e shohin dhe si sëmundjen e shekullit. Pak e rëndë për ta pranuar. E mbështetni këtë tezë?

Sigurisht që po, epidemi që vështirë se do shërohet ndonjëherë, do shtoja unë.

Momentalisht, a keni një projekt në duar që pritet të finalizohet, apo diçka në ngritje e sipër?

Kam disa projekte në dorë, por për momentin nuk do doja të thoja asnjë prej tyre deri kur ato të konkretizohen. Por do e kuptoni me siguri, se edhe unë si shpëtoj dot publikimeve të rrjeteve sociale.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.100

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top