Nga Mimi tekXhilda, nga Violeta tek Sofia, e së fundmi Dezdemona në operën “Otello” të William Shakespeare. Në rolet artistike i qëllon shpesh të jetë një shpirt i dashuruar, shpesh i zhgënjyer, dhe pothuaj përherë me një fund tragjik. Më tepër se një zgjedhje personale, është një gjetje apo spikatje që duket se regjisorët kanë “nuhatur” në temperamentin e saj, për ta ndërthurur mandej me dellin artistik, e për ta materializuar virtualisht në skenë. Në radhët e artistëve është sopranoja e njohur e Teatrit të Operës dhe Baletit. Në jetë, është thjesht Marjana Leka. Duket se profesioni i artistes, është një nga ato angazhime pa të cilin Marjana vështirë se merr frymë… dhe për të arritur deri në stadin e një sopranoje në karrierë dhe të talentuar, i është dashur të ecë nëpër një rrugë të gjatë, që ka kërkuar edhe sakrifica. E kjo, sa nga ana e saj, aq edhe nga familjarët. Një prej tyre ka qenë edhe e vjehrra, me të cilën ajo ka bashkëjetuar nën një çati për 16 vite. Kjo e fundit duket se në heshtje, apo e thënë ashtu në mënyrë të drejtpërdrejtë, nuk e ka përkrahur me plot fuqinë e shpirtit faktin që nusja e djalit “për mall” të ishte artiste. “Përpara se djali të më prezantonte me bashkëshorten e jetës së tij, unë nuk e doja nusen artiste. Sepse do ishte gjithë kohën e ikur nga shtëpia, me angazhime me orar e pa orar, dhe më tepër merakosesha për djalin tim, kush do t’i bënte për të ngrënë, kush do ta hekuroste. Gjithsesi, kur erdhi Marjana në shtëpinë tonë, gjërat u pranuan siç erdhën, ashtu natyrshëm, pa ndonjë sforcim të madh… Nëse e donte djali im, nëse ai ishte i lumtur përkrah saj, edhe unë si prind do kisha të njëjtën ndjesi. Marjana është një nuse shumë e mirë, e sjellshme dhe që familjen e ka të shenjtë, dhe këtë tipar e kam vlerësuar gjithnjë tek ajo”, tregon Qamile Kalo, vjehrra e sopranos së njohur. Që në fillim të jetës bashkëshortore, Marjana e dinte se nuk do të kishte mundësinë e të jetuarit vetëm me burrin. Do të ishte bashkë me vjehrrin e vjehrrën, në një apartament në qendër të Tiranës. Nuk kishte zgjidhje tjetër, ndonëse kushtëzimi për të bërë gjërat e duhura dhe për t’u dhënë jetë dëshirave qoftë edhe të momentit, ishte një nga ato “kapitujt” e fillimit të historisë që e shfletonte herë me apo pa dëshirë. “Kur hyra në fillim, e ndava mendjen që nuk do jetoja vetëm me burrin. Në atë strehë do ishin edhe prindërit e tij. Më mbeti pjesa e përshtatjes, por sigurisht jo e të dalit nga vetja. Nuk e kam menduar me tmerr, i kam thënë vetes që ata janë në një moshë të caktuar, mbi supe kanë një histori të tyren dhe të jetosh me dy njerëz që i përkasin gjeneratave të tjera nuk është fare e pakonceptueshme. I kam shmangur tensionet, mendimet negative, në radhë të parë për një rehati shpirtërore timen, dhe për tim shoq”, rrëfen Marjana. Nuk ka bërë veprime të sforcuara, apo nuk është përpjekur që gjërat t’i ndrydhë brenda vetes, vetëm për t’i bërë qejfin vjehrrës dhe për të mos e cenuar raportin me të. I ka thënë dhe i ka bërë gjërat fakt! Por si ka vepruar? Cila është përvoja e saj, që ia vlen të ofrohet?… Është ulur shtruar me Qamilen dhe i ka bërë të ditur se deri ku shkojnë kërkesat e saj dhe ku dëshiron që të mos preket apo fyhet. “Sime vjehrre i kam thënë që në fillim dy gjëra: gjumin e mëngjesit e kam shumë të rëndësishëm dhe dua të mos ma prishë njeri… Me idenë që e shijoj shumë atë kapitjen me gjumë deri në orën 8:30… dhe e dyta, në mëngjes nuk bëj asnjë punë shtëpie sikur të puthitet qielli me tokën… Në fillim, ime vjehrrë nuk bëri ndonjë skenë, nuk është se s’më foli për ditë të tëra, apo ndikoi tek i biri… thjesht i mori si të mirëqena dhe mua më erdhi mirë për këtë”, vijon Leka. Ashtu siç, nga ana e saj, Qamilja, edhe sot kur kanë kaluar rreth 20 vjet nga bashkëjetesa në një shtëpi me nusen, e ka peng në zemër që me Marjanën nuk ia doli dot të vazhdonte traditën e të pirit të kafesë që në pikë të mëngjesit… “Edhe sot që e kujtoj më dhemb kjo gjë. Kur mora vesh që nusja e djalit nuk e konsumonte fare kafenë, më ra si bombë. Dhe nisur nga kjo, fillova që të bëja vetëm kafe për tim shoq. Çohesha herët, ia përgatisja e ia vija tek koka e krevatit (gjë të cilën e bëj edhe sot), ndërsa Marjana vazhdon e qetë detyrimet e saj”, pohon 73-vjeçarja. Tashmë, prej dy vjetësh, Marjana Leka me familjen e saj janë zhvendosur në një apartament personal, me më shumë hapësirë, vetëm ata të tre dhe pa praninë e prindërve të të shoqit. Nuk ishte kjo një zgjedhje personale, apo dëshirë e Marjanës për të qenë larg tyre… ishte momenti që trokiti që ata të pozicionoheshin diku tjetër, ndonëse ftesa për të jetuar të gjithë së bashku ishte e drejtpërdrejtë për të dy prindërit e bashkëshortit të saj. Këta të fundit preferuan që pleqërinë ta ngrysnin në folezën e tyre, ku ende jetojnë të dy, ndonëse Qamilja edhe sot kur e kujton ditën e largimit të djalit me nusen dhe nipin derdh lot. I rishfaqen copëzat e atyre ditëve, kur nga mërzia ajo zuri shtratin, dhe për më tepër përfundoi e shtruar në spital për ditë të tëra. Por, parë duke lënë mënjanë shumëçka, rezulton të jetë një zgjidhje e mirë. Sot, Marjana dhe vjehrra e saj kanë hapësirat e tyre për të vepruar individualisht, janë gjithsecila zonjë në shtëpinë e vet, e sakaq e respektojnë njëra-tjetrën, për sa kohë janë pranuar respektivisht me të mirat e të këqijat vetjake! Dhe ia kanë dalë mbanë! Pakënaqësi? Ka, por aq të vogla sa s’e cenojnë të tërën. Për shembull, siç thotë gruaja 73-vjeçare: “Do doja që nusja e djalit të ma shprehte më shumë dashurinë… domethënë, të ishte më e hapur në shfaqjen e ndjenjave karshi meje… Ndonjë përqafim, a ledhatim, a fjalë e ngrohtë më shumë, por për një gjë jam e sigurt: shpirtin e ka të madh dhe është zemërmirë”.
Botuar në revistën Psikologji, nëntor 2010
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.