Në vitet e para të të kuptuarit, apo asaj që të duket si e tillë, nuk është e vështirë të krijosh mite. Legjendat e më të famshmëve në përpjekjen për t’u ndriçuar, të serviren të parat.
Rrëmben ata për të cilët të kanë thënë se janë më të diturit dhe i tjerr deri në njëfarë rruge, ke ecur aq sa për të kuptuar se nuk po shkon askund. Të kishte mendimet e sotme, Elona Agolli nuk do të ishte hapërdarë aq shumë. Sigurisht që do t’i kishte lënë edhe Jungut kohën e tij, por me siguri që do të zgjatej më shumë në bisedat me babain. Do t’i qëndronte mbi kokë sa herë niste të shkruante mbi një fletë të re, do të përpiqej të kuptonte se ç’ia nxiste këtë apo atë mendim, pa ngacmime të jashtme, i ulur aty në cepin e divanit kaf të sallonit të shtëpisë, adresën e së cilës e dinë thuajse të gjithë. “Unë si bijë e të madhit Dritëro iu përafrova veprës së atit tim si lexuese tashmë e pjekur, ndoshta më larg se dy dekada, e vazhdoj të jem e tillë. Sa më tepër lexoja, aq më shumë më mpriheshin tipare që unë i shihja në të përditshmen e Dritëroit, vetëkritikën, vetironizimin, madje edhe “gjakosjen e vetërrahjen” për ta zbërthyer më tepër veten. Erich Fromm e Carl Jungu, që deri diku ishin bërë mësuesit e mi deri në njëfarë moshe për të kuptuar më mirë veten e shoqërinë, u zëvendësuan me Dritëroin, autorin që fati i madh ma kishte taksur baba. Lexoja veprat e atit që ishin ushqimi më i mirë shpirtëror për mua, përkundesha në valët e poezive të tij të mrekullueshme, duke ndier edhe dorën e tij që më ledhatonte flokët, më mësonte se çfarë do të thotë të jesh njeri”.
“PRIT EDHE PAK”
Elona Agolli nuk është bërë shpesh personazh mediatik. Meqenëse vetë shkrimtari Dritëro Agolli, bashkë me të shoqen, Sadijen, të hapin çdo herë derën e shtëpisë për të të shuar vetë çdo kuriozitet, e bija, Elona, ende nuk është parë si burim të dhënash të një lloji tjetër. Ka për të qenë, me siguri, disa vite më vonë. Deri atëherë ka bërë një parantezë në takimin që departamenti i Shkencave të Komunikimit në universitetin “Bedër” organizoi të enjten në sallën e bibliotekës së institucionit aktivitetin e parë për këtë vit akademik në kuadër të ciklit “Lexime nën Hënën e Plotë”. E ftuar në bashkëbisedim me studentët e komunikimit rreth librit më të fundit me titull “Prit edhe Pak” të kolosit të letrave shqipe, Dritëro Agolli, ishte e bija.
MARRËDHËNIA E VAJZËS ME TË ATIN
Elona e nis rrëfimin duke cituar një tjetër bijë, atë të Vitaliano Brancati-t, e cila shkruan: “Deri në momentin që babain tim e kam pasur pranë, kam qenë një qenie inteligjente. Mendoja që mprehtë- sia, inteligjenca është e dhënë njëherë e përgjithmonë, ndërkohë që çuditesha me veten herë–herë, të rrethuar nga budallallëqe, kur babai nuk ishte më në jetë. M’u desh, për të përfituar “stimujt e intelektit”, të ndiqja rrugën e duhur, të përafrohesha e takoja tim atë jo si bijë, por si lexuese e veprës së tij”. Të njëjtat ndjesi ndër vite i ka pasur edhe ajo vetë. “Shkrimtarët janë zakonisht krijesa të vështira, pak ose aspak hapësirë mbetet për familjen në kohën e tyre, pasi krijimi, mbushja e fletëve të bardha me fjalët e artit magjik të shpirtit njerëzor është zaptuesi i kohës së tyre. E ndërkohë që frymëzimi rrëmbente kohën, mendjen trupin, gjithçka të atit tim, në të tjerët strukeshim në qoshet tona e dëgjonim gërvishtjen e penës në letër, ndonjë recitim me zë të lartë, shtëllunga tymi duhani që përcilleshin nga dhoma në dhomë”. Edhe kaq sa merrnin prej tij kanë qenë një poemë më vetë, pa fjalë, por kushtuar vetëm atyre. Familjarët më shumë se kushdo e njohin përpjekjen e vazhdueshme të shkrimtarit për të shfaqur dritën. Shumë prej tyre e kanë bërë të izoluar në vetmi, ndërsa Dritëroi ka punuar vazhdimisht mes tyre në apartamentin e tij. Mund të ndodhte edhe ta linte lapsin vetëm pse nuk i rezistonte dot vrullit të të nipit për t’iu hedhur në qafë… Por këtë e ka bërë vitet e fundit. Në të shkuarën, me fëmijët, “nazet” nuk u pëlqenin dhe aq viteve ku jetonim. “Këto momente në moshën e fëmijërisë, gjithsesi janë të paharrueshme e prandaj gjeta rastin për t’i sjellë në vëmendje”.
PËR VEPRËN E RE TË TË ATIT, ËSHTË KULMINACION
Ajo nuk është kritike, ama fjalën e saj mund ta thotë. E njeh poezinë e të atit që kur ka mësuar germat dhe ka gjithë të drejtën për thënë fjalën e saj. “Sa i takon veprës së re, nuk dua të gjykoj si kritike letrare për librin e ri që sapo ka parë dritën e botimit “Prit edhe Pak”, por dy fjalë si botuese do t’i thosha në prani të këtij auditori nostalgjindjellës për mua. A do të quhej një tentativë e ndrojtur për t’iu afruar përsëri me freski e origjinalitet artit magjik të poezisë në këtë periudhë të jetës së tij, apo një kulminacion i mjeshtrit, i cili pasi ka provuar, eksperimentuar, krijuar, vargje e strofa të larmishme, ritmike, tonike, varg i lirë apo i matur, katërrrokëshi, gjashtërrokëshi, dymbëdhjetërrokëshi etj., gjatë krijimtarisë së gjatë mbi pesë dekadëshe, në këtë moshë synon perfeksion: koncentrate mendimi, koncentrate figurative, shumëkuptimshmëri e shumëinterpretueshmëri. Dhe mendoj që është kulminacion.
POEZIA E SHKUAR DHE AJO AKTUALE
“Pjesa më e madhe e poezive është një skërmitje dhëmbësh ndaj pleqërisë, skërmitje që e kemi parë edhe në vëllimet e tjera të mëparshme si “Gdhihet dhe ngryset”, “Lypësi i Kohës”, apo “Pelegrini i vonuar”. Madje, për pleqërinë është shkruar që në vitin 1977, poezia “Pleqëria” e vëllimit “Kambana e largët”: Pleqëria vjen e pakuptuar, vjen ngadalë pa zile, pa këmborë; gjurmëve të tua duke shkuar flokët t’i pudros me pak dëborë… Por në vëllimin “Prit edhe Pak”, poezitë kushtuar pleqërisë janë sa meditative, aq edhe ironizuese, sa përmbajnë keqardhje për fluturimin e viteve të rinisë dhe mosrealizimin e plotë të aspiratave, aq edhe sarkastike, tallëse. Brenda kësaj kategorie dallohen poezitë e autorit, sfidë ndaj pleqërisë. “’Pleqëri nuk është mosha e thyer, pleqëri është vdekja e ndjenjave, tharja e vatrave të trurit dhe vdekja është në fakt vdekja e trurit, truri vdes i pari, më pas trupi’, më kallë- zonte një ditë im atë”, tregon Elona. Me siguri që për pleqërinë, poezinë a rininë, i ati i ka treguar gjatë e shumë. Përmes poezisë a prozës, Dritëro Agolli e ka bërë këtë me të gjithë. Sot, edhe më shpotitës se më parë.
EROTIKA NË POEZITË E REJA
Disa vite më parë kur e kam takuar Dritëroin në shtëpinë e tij, një nga gjërat që më ka pyetur ka qenë “çfarë bëhet jashtë?”. Kishte vite pa dalë. Diçka dëgjonte në televizor, ndiqte kryesisht politikën, por gjërat “e gjalla” kishte kohë që nuk i prekte. “Në të ri,- pati thënë- ti je kurioz për gjithçka. Mendon se po të mos jesh edhe ti aty ku janë të gjithë, me siguri që po humbet gjëra të mëdha, pale ç’ndodh dhe ti po i humbet të gjitha. Në fakt, me kalimin e viteve e kupton që jashtë nuk ndodh asgjë, ose ndodh gjithmonë e njëjta gjë”. Megjithatë, largimi nga bota nuk i ka fshirë nga kujtesa shkrimtarit, gjithë çikërrimat e përditshme të njerëzve, prandaj edhe iu rikthehet përherë në poezi. “Poezia meditativo-filozofike, po ashtu është e natyrshme që edhe kjo tipologji të lëvrohej nga Dritëroi në këtë vëllim. Sentenca poetike, mbrujtje e thukësi mendimi, përvoje, mençurie e të parëve etj. E nuk ka se si të mos ketë poezi edhe për ato gjëra të zakonshme, të thjeshta, episode që jetojmë përditë, por që në artin e madh të poezisë të tjera vlerë marrin, siç citojmë ‘Rëra e plazhit’, ‘Cunami’, ‘Inati ynë’”, tregon e bija. Vetëm se këtë herë në botimin e ri “Prit edhe Pak” ka edhe poezi erotike. “Njihen në letërsinë botërore raste të lëvrimit në moshë të thyer të shkrimtarëve të mëdhenj dhe hedhjes së tyre drejt krijimtarisë erotike (Moravia me “L’uomo che guardava” apo të tjerë). Por Dritëroi gjuhën erotike e ngre lart, krahasimet e metaforat e tij të pakrahasueshme, përherë i drejtohen natyrës, pjellorisë, tokës, bimës, lules. Rikthimi te vendlindja, malli për të parët, pikëtakimi i dëshiruar me ta, sa përmes keqardhjes, sa mallit, sa ndjenjave aq njerëzore, shprehen bukur në poezitë si ‘Pranë lumit’, ‘Të mençmit e vdekur’ etj”. Për ta mbyllur, njësoj siç e nisi, por tashmë me bindjen e patjetërsueshme se një autor që mund t’i zëvendësojë të atin, nuk mund të ketë, Elona Agolli shton: “Dua ta mbyll ketë përsiatje, rrëfim me disa vargje të atit tim të shtrenjtë, të poetit tim të dashur, të rrëfimtarit e prozatorit tim të përzgjedhur e të preferuar.
http://www.panorama.com.al/marredhenia-babe-e-bije-nga-femijeria-deri-sot-flet-vajza-e-driteroit/
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.